1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çmimi "Pulitzer" për "Washington Post" dhe "Guardian"

AG/Lindita Arapi15 Prill 2014

Juria e çmimit "Pulitzer" - njërit nga çmimet më të rëndësishme të gazetarisë. ia jep çmimin dy gazetave, të cilat bënë publik skandalin e NSA-së, "Washington Post" dhe "The Guardian".

https://p.dw.com/p/1Bi9Q
Fotografi: picture-alliance/dpa

Për të dyja gazetat çmimi "Pulitzer" është një nderim i jashtëzakonshëm: Kategoria më e rëndësishme prej 21 kategorive të çmimit "Pulitzer" i jepet njëkohësisht dy gazetave të njohura: "Washington Post" e merr çmimin për "zbulimin e përgjimeve masive përmes Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, NSA, e veçanërisht për raportimin e zgjeruar për publikun duke e ndihmuar atë të kuptojë kontekstin e përgjithshëm." Këtë e bëri të ditur komiteti i dhënies së çmimit në Universitetin Columbia në Nju Jork. Edhe për "The Guardian" formulimi tingëllon i njëjtë: Këtu theksohet që gazeta "me raportimin e saj nxitës ka ndihmuar edhe për të ndezur debatin mbi përgjimin shtetëror dhe kontradiktën mes sigurisë dhe sferës private."

"Washington Post" dhe "Guardian" bënë të kuptueshme për publikun përgjimet masive të NSA- Pamje nga Qendra në Maryland.
"Washington Post" dhe "Guardian" bënë të kuptueshme për publikun përgjimet masive të NSA- Pamje nga Qendra në Maryland.Fotografi: picture-alliance/dpa

"Washington Post" dhe "The Guardian" - të dyja gazetat me publikimet lëshuan ortekun e një skandali mbi bazën e dokumentave të ofruara nga ish-punonjësi i NSA-së, Edward Snowden. Nga qershori i vitit 2013 dolën në dritë hap pas hapi aktivitetet e përgjimit të NSA-së, ku jo vetëm qytetarët normalë bëheshin pre e përgjimeve masive, por edhe politikanë të nivelit të lartë, ndër ta edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në raportimin investigativ të dokumenteve të Snowdenit u bënë pjesë një sërë mediash,në botë, ndër to edhe revista gjermane, "Der Spiegel", "Süddeutsche Zeitung", dhe transmentuesi publik, NDR.

Çmimet Pulitzer 2014

Të dy gazetat fituan në garë kundër gazetës "Newsday" në Long Island, e cila kishte raportuar për dhunën policore. Një çmim tjetër në gazetarinë investigative iu dha gazetarit, Chris Hamby, i cili kishte zbuluar një rrjet avokatësh dhe mjekësh, që kishin mashtruar minatorët për dëmshpërblimet. "Boston Globe" u nderuar për "raportimin sensibël dhe të thellë" pas atentatit me bombë në maratonën e Bostonit. Shkrimtarja Donna Tartt u nderua për romanin e saj "Gardelinë", i cili parashtron luftën e një djali pasi nëna iu vra në një atentat me bombë.

Qendra e gazetës "The Guardian" në Londër
Qendra e gazetës "The Guardian" në LondërFotografi: Bethany Clarke/Getty Images

Çmimi "Pulitzer" u themelua në vitin 1917 nga botuesi njujorkez, Joseph Pulitzer. Çmimi ofron 7.000 euro për secilin zhanër, ndërkohë që çmimi kryesor "Shërbimi ndaj publikut" i jepet një gazete dhe jo personave të veçantë. Në juri bëjnë pjesë shkrimtarë, botues, publicistë, ndërkohë që përzgjedhja e mijëra kandidatëve bëhet në një procedim disa shkallësh.