1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë të rejash solli Konferenca Botërore e ushqimit?

Bernd Riegert23 Nëntor 2014

Konferenca botërore për ushqimin në Romë bëri të qartë se nuk ka recetë të thjeshtë që vepron kundër urisë së 800 milionë vetëve në botë. Megjithatë më mirë me hapa të vegjël, se në vend numëro, mendon Bernd Riegert.

https://p.dw.com/p/1DrNJ
Dürre ohne Ende Am Horn von Afrika droht Hungersnot
Fotografi: picture-alliance/dpa

40% e të gjithë njerëzve në këtë planet kanë uri ose nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Ky problem skandaloz, mosntruoz i njerëzimit duhet të marrë një zgjidhje. Për këtë ishin të një mendimi të gjithë pjesëmarrësit e Konferencës Botërore të Ushqimit në Romë. Parimisht ata ishin dakord edhe për shkaqet e urisë dhe rrugët për reduktimin e saj. Por gjithmonë deir më tani problemi ka qenë tek mungesa e vullnetit politik dhe ekonomik si të shteteve të pasura, ashtu edhe të shteteve të goditura nga ky problem, si në Afrikë ashtu edhe në Azinë jugore.

22 vjet pas konferencës së parë botërore për ushqimin kjo temë ende qëndron në rendin e ditës. Kombet e Bashkuara, mundën të tërhiqnin vëmendjen edhe për shkak të prezantimit të Papës aty. Pse zgjat ende edhe pas 22 vjetësh problemi i urisë? Fëmijët e uritur, gratë e burrat të ushqyer keq për shkak të mungesës kronike të ushqimit duhet të përbënin prioritetin kryesor çdo vit. Por shumë shtete dërguan në konferencë vetëm ambasadorët apo përfaqësuesit e tyre në Romë, që lexonin në intervale pesëminutëshe fjalimet e përgatitura. Angazhimi i vërtetë ka tjetër pamje.

Një plan aksioni i paplotë nuk mjafton

Megjithatë u miratua një plan aksioni i zgjeruar, i cili rendit në 60 pika problemet kryesore dhe zgjidhjet e mundshme. Në të flitet për mbështetjen e fermerëve, marrëveshje tregtie të ndershme, akses në përkujdesin shëndetësor, për ujë të pastër, arsimim dhe edukim. Por për fat të keq mungon një axhendë kohore, deri kur duhet të arrihen këto qëllime. Po ashtu në këtë plan nuk bëhet fjalë për mekanizma kontrolli. Nëse një qeveri nuk e respekton planin e aksionit, nuk ka për t'u përballur me asnjë pasojë. Konkluzionet e konferencës së Romës do të merren nga Kombet e Bashkuara dhe do të shënohen si objektiva zhvillimi, të cilat do të përcaktohen në vitin 2015. Deri në vitin 2025 mund të kemi shpalljen e një dhjetëvjeçari kundër urisë. Shumë agjenci, autoritete dhe konferenca zhvillojnë takime, shkruajnë plane dhe merren me koordinime. Nganjëherë madje ata pengojnë njëri-tjetrin, kritikoi për shembull Kryqi i Kuq në Romë.

Bernd Riegert
Bernd Riegert komenton

Hapat në luftën kundër urisë janë shumë të vogla dhe përparimet janë të ngadalshme. Kjo lidhet edhe me kompleksitetin e jashtëzakonshëm të kësaj katastrofe të vazhdueshme, që prek kaq shumë sektorë të politikës, ekonomisë dhe shoqërisë në këto vende. Vetëm ekonomia e vogël bujqësore nuk mund t'ia dalë me furnizimin me ushqim të masave të varfra. Ata që kanë uri kanë nevojë për të ardhura për të blerë bukë. Çfarë shansesh kanë ata në shoqëritë që nuk kanë mundësi punësimi as për të shëndetshmit? Ndryshimi i klimës, luftërat qytetare, konfliktet etnike i shkatërrojnë sukseset e pakta dhe ashpërsojnë problemet. Nuk ka fushata të mjaftueshme informuese për ushqimin e duhur për fëmijët, për efektin e qumështit të nënës dhe higjienën e duhur për artikujt ushqimorë.

Zgjidhje përfundimtare, një plan të përgjithshëm për dhënien fund të katastrofës së urisë në botë nuk do të ketë - kjo është e qartë edhe pas konferencës së Romës. Mbeten vetëm projektet konkrete në nivel lokal dhe rajonal në vend. Mbetet shpresa që një ditë vetë qeveritë ta kuptojnë se është e papranueshme ekzistenca e urisë në një vend, se ajo rrënon zhvillimin ekonomik dhe sjell me kriza politike.

Paradoksi: Uri dhe mbipeshë në dy anët e botës

Vendet e pasura në veri dhe vendet në ekspansion nuk duhet të tregojnë me gisht vendet në zhvillim. Edhe ato kanë apo janë rrugën më të mirë të krijimit të problemeve me ushqimin. Drejt tyre po vjen një ortek dhjami. 500 milionë vetë në këto vende kanë mbipeshë, mbipeshë e ekzagjeruar, bëhet fjalë. Fëmijë me mbipeshë dhe të rinj që mund të kthehen në një problem për shoqërinë paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në disa vende si në Emiratet e Bashkuara gati gjysma e personave në moshë madhore vuan nga mbipesha. Vendet në ekspansion si Panamaja luftojnë me urinë dhe mbipeshën në të njëjtën kohë e në të njëjtën masë në shoqëri. Edhe në Europë dhe SHBA njerëzve po u merr frymën sheqeri, kripa e yndyrnat. Nga njëra anë të uritur, nga ana tjetër mbipeshë. Sistemi duket se ka dalë tërësisht nga binarët. Konferenca tjetër botërore për ushqimin nuk ka për të qenë e fundit dhe nuk ka për të pritur 22 vjet. Ushqimi është një çështje e të gjithëve, çdo ditë.