1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zëri i Kosovës në kryeqytetin gjerman

30 Tetor 2011

Vjollca Hajdari jeton në Berlin. Shqiptarët në kryeqytetin e Gjermanisë e njohin vajzën nga Mitrovica që i prezanton shpesh ata në mediat gjermane në diskutime politike për Kosovën.

https://p.dw.com/p/131vG
Vjollca Hajdari
Vjollca HajdariFotografi: Vjollca Hajdari

Vjollca Hajdari jeton në Berlin. Shqiptarët e Berlinit e njohin fytyrën e vajzës që i prezanton herë pas here në mediat gjermane, kur zhvillohen diskutime politike për Kosovën. Qofshin ato emisione të Sabine Kristiansenit, apo biseda politike të Radios RBB në Berlin.

Por, shumë prej tyre e njohin Vjollcën që nga ardhja në Berlin. Sepse ajo i ka këshilluar ata kur ka punuar në Senatin e Berlinit për çështjet e refugjatëve. Ose ka përkthyer për ta në kontaktet me autoritetet. Vjollca flet gjermanisht sikur të kishte lindur në Gjermani. Në fakt ka lindur në Mitrovicë, prej së cilës është larguar 20 vjet më parë. Prej Gjermanisë nuk ka mësuar vetëm gjuhën, por edhe mënyrën e qetë të të argumentuarit. Një aftësi që e ka ndihmuar shumë në jetë. E ka ndihmuar për shembull kur ndërmjetësonte për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, para se të largohej. Por e ka ndihmuar edhe kur është vendosur në mediat gjermane, përballë diskutuesve serbë. Apo kur është dashur t'u japë udhëzime refugjatëve që ndodhen në frikërat e para të mbërritjes në vend të huaj.

Vjollca Hajdari, Klaus Kinkel dhe Harald Juhnke 1999
Vjollca Hajdari, Klaus Kinkel dhe Harald Juhnke 1999Fotografi: Vjollca Hajdari

Largimi nga shtëpia dhe ndarja nga gjyshja e paharrueshme

I ati, inxhinjer në Mitrovicë angazhohej edhe politikisht dhe pasi u lirua nga një arrestim, vendosi të largohet nga Kosova së bashku me familjen. Vjollca u nda nga shokët dhe teatri. Por ndarja më e dhimbshme ishte ajo nga gjyshja. "Nuk e harroj ditën kur u nisëm në katër të mëngjesit, ishte ende errësirë, dhe e vetmja që dinte për ikjen tonë, ishte gjyshja, se ne nuk i kishim treguar kërkujt nga frika. Kur u përshëndetëm ajo qau, na përqafoi dhe u mërzit. Ishte shumë prekëse, sepse nuk e dinim a do të shiheshim më. Në fakt ishte ishte hera e fundit që u pamë," tregon ajo.

Me një biletë në dorë, familja niset me taksi për në Shkup. Ishte 10 tetor 1991 kur zbritën në Hanover në Gjermani. Disa të afërm që ndodheshin në Berlin i ndihmojnë për të shkuar atje. "Ne erdhëm në Berlin dhe ishim pa orientim. Kur mbërritëm ishte një fundjavë dhe na detyruan të qëndronim dy ditë ilegalisht, deri sa të vinte fillimi i javës dhe të regjistroheshim. Për mua ishte çdo gjë e re, çdo gjë më dukej e huaj, e frikshme. Vetja më dukej vetja në ëndërr. Dëgjoja vetëm se si flitej azil...azil... azil... Unë isha adoleshtente, dhe nuk e dija çdo të thotë të marrësh azil. Më pas e kuptova."

Familja vendoset në një kamp refugjatësh të ngritur mbi një ish- kazermë ushtarake në Spandau. "Kur na vendosën në një kamp refugjatësh unë nuk mund ta pranoja faktin që ne u futëm atje. Dallimi ishte shumë i madh. Ne ishim nisur nga shtëpia jonë në Kosovë dhe futeshim në një shtëpi, ku ishte përmbledhur gjithë bota. Tjetërsimi ishte shumë i madh, duke qenë në vend të huaj nga njëra anë dhe duke u ndeshur me njerëz nga të gjitha anët e botës nga ana tjetër. Fakti që ne humbën privatësinë, më bënte të ndihesha shumë keq. Ishte situatë shumë e pakëndshme", kujton ajo.

Vjollca Hajdari dhe Sabine Christiansen 1999
Vjollca Hajdari dhe Sabine Christiansen 1999Fotografi: Vjollca Hajdari

Përpjekjet për jetë normale në vendin e panjohur

Shpëtimi vjen nga një kontakt me një qendër sociale. Vjollca fillon të mësojë shpejt gjuhën, të shkojë në kursin e gjuhës dhe brenda një viti të regjistrohet në gjimnaz. Pas gjashtë muajsh familja largohet nga kampi, dhe të atit i njihet zyrtarisht përndjekja politike. "Primare për prindërit ishte të fillonim jetën normale, unë u vendosa në shkollë dhe më pas fillova studimet për publicistikë dhe politikë dhe paralelisht punoja".

Punët kanë qenë të ndryshme, në TV e shqiptarëve në Berlin, në përkthim, për Kryqin e Kuq. Por edhe moderime takimesh dhe konferencash politike zhvilluar për Kosovën. Familja ka qenë prezente në shtypin gjerman në vitet 1996, 1997, kur mediat shkruanin për situatën politike në Kosovë, përndjekjet.

Vjollca Hajdari dhe Frank Walter Steinmeier 2010
Vjollca Hajdari dhe Frank Walter Steinmeier 2010Fotografi: Vjollca Hajdari

"Interhomines" - Projekti për integrimin


Në vitin 1999, punonte me disa gazetarë të Berliner Zeitung. Vjollca kujton: "Ishim duke pritur valën e refugjatëve që vinin nga Kosova apo Maqedonia, kur erdhi ftesa nga Sabine Christiansen për të marrë pjesë në emisionin e saj. Ai u transmetua më 11 prill, dhe kishte të ftuar Klaus Kinkelin, ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Otto Schilly ministër i Brendshëm, Jean Claude Juncker, kryeministri i Luksemburgut, John Cornblum, ambasadori Amerikan në Berlin, Thomas Roth, korrespondent i ARD-së në Beograd, Dragan Sekulic, prift serb në Berlin, këngëtarin Harald Junker, që kishte dhuruar 50 mijë marka gjermanë për fëmijët shqiptarë dhe unë. Emisioni quhej "Si do të përfundojë kjo luftë?"

Pas luftës së Kosovës, Vjollca iu kthye sërish studimeve. Tani është e angazhuar në kryesinë e Shoqatës gjermane, "Interhomines" ku drejton një projekt për integrimin, si dhe publikimin e artikujve shkencorë dhe socialë për problemet e migrantëve. Paralelisht "jam duke bashkëpunuar me një deputet të Bundestagut gjerman, për një projekt për Kosovën," thotë Vjollca Hajdari.

Autor: Aida Cama

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

Vjollca Hajdari, geboren in Kosovo, lebt und arbeitet in Berlin. Während ihre Engagement zu Kosovo trieft Vjollca Hajdari hochrangige Politiker in Deutschland; Copyright: Vjollca Hajdari
Vjollca Hajdari und Martti Ahtisari 2007Fotografi: Vjollca Hajdari