1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zhgënjim para zgjedhjeve presidenciale në Kroaci

Nils Neubert28 Dhjetor 2014

Në Kroaci zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Presidenti aktual Ivo Josipovic kërkon një mandat të ri dhe duket se ka më shumë shanse. Rivalja e tij është diplomatja Klinda Grabar-Kitarovic.

https://p.dw.com/p/1EAmN
Fotografi: Getty Images/AFP

Aktualisht janë katër kandidatë, që ia kanë dalë të mbledhin 10.000 firmat për të dalë në garën presidenciale. Më shumë shanse i jepen presidentit aktual Ivo Josipovic, 57 vjeç, pranë Partisë Socialdemokrate, por si president ai duhet të dorëzonte anëtarësinë. Konkurrentja tjetër është Kolinda Grabar-Kitarovic, 46 vjeç, kandidate e partisë konservatore HDZ, ish-ministre e Jashtme e Kroacisë, diplomate, e cila së fundmi është marrë me marrëdhëniet me publikun në NATO. Kandidati tjetër është Milan Kujundzic, mjek dhe anëtar i vjetër i HDZ-s, i cili vitin e fundit themeloi partinë populiste të djathtë, Hrvatska Zora, (Agimi Kroat).

Kolinda Grabar-Kitarovic
Kolinda Grabar-KitarovicFotografi: AFP/Getty Images/E. Barukcic

Më i riu në garë

Kandidati më i ri është Ivan Vilibor Sinčić. Ai ishte fillimisht jashtë loje, po ndërkohë ka grumbulluar shumë simpati. Me 24 vjetët e tij ai është dukshëm më i ri se mosha mesatare e politikanëve në Kroaci, gjë që i dha simpati në popullatë. Ai ka qenë aktivist i lëvizjes Zivi-zid (muri i gjallë), të cilët përpiqen me efekt mediatik të ndalojnë dëbimet nga banesat për qytetarët në borxhe. Planet politike të Sinčićit janë konfuze. Ai kërkon kurs të rreptë kundër BE-së, kërcënon me daljen nga Bashkimi Europian. Si model ai ka kryeministrin hungarez Viktor Orban, i cili ka qenë në qendër të kritikave për kufizimin e të drejtave të njeriut. Sinčić i merr pikët tek rinia, sepse në debatet politike ai është prezantuar si dikush, që nuk bën pjesë tek kasta e vjetër politike. Në një duel televizi të kandidatëve në fund ai iu drejtua tre kandidatëve më të moshuar: "Si i ri unë jam i tronditur për demagogjinë, që degjova këtu. Ju të gjithë keni qenë pjesë e qeverive dhe partive, që e shkatërruan vendlindjen time."

Weltjugendtag Kroatien
Fotografi: DW

Vendlindja e shkatërruar

Ky citat dhe një foto rebeluese e Sinčić qarkullojnë në mediat sociale me efekt. Mario Miljak, një teknik nga Dubrovniku, shkruan se "ndoshta ai nuk do të bëhet president, por atyre u tha të vërtetën." Miljak shkruan "se është i shqetësuar për të ardhmen e Kroacisë, njerëzit që braktisin vendin, sepse nuk shohin perspektiva aty."

Kroacia ndodhet në një krizë të thellë. Ekonomikisht njerëzit ndodhen në gjendjen më të vështirë që nga pavarësia në vitin 1991. Nëse anëtarësimi në BE lidhej me shpresën se do të kishte më shumë fonde për biznesin e vogël, tani është përhapur ideja se nuk është BE- ajo, që zgjidh problemet strukturore ekonomike në vend. "Financial Times" e përcaktoi Kroacinë së fundmi "fëmija problematik i Europës." Megjithë turizmin Kroacia kaloi në vitin e gjashtë pa rritje ekonomike, borxhi publik është nga më të lartit. 18,7% e kroatëve janë të papunë.

Brain Drain sipas mënyrës kroate

Tek brezi i ri sundon ideja se nuk do të ketë përmirësim në të ardhmen e afërt. Mediat publikojnë rregullisht artikuj për të rinj të diplomuar, që thonë se krahas diplomës pasaporta dhe një biletë avioni për në një vend tjetër janë dokumentet më të rëndësishme. Shumica e të rinjve largohen nga një vend, ku siç thonë, për të gjetur një punë duhet t'u përkasësh partisë në pushtet, ose të kesh lidhje me vendimmarrësit.

Mario Miljak e komentoi kështu gjendjen në vendin e tij: "Partia konservatore HDZ na vodhi për vite me radhë, Partia Socialdemokrate nuk është në gjendje të ndryshojë diçka, megjithëse ndodhet në pushtet. I gjithë sistemi politik është i korruptuar." Megjithatë Miljak shkon të votojë për të mbajtur në këmbë demokracinë, siç thotë ai.

Por ka edhe qëndrime më radikale, si ai i gazetarit kritik Toni Gabric nga Zagrebi. Ai shkruan në portalin online "h-alter" se "unë po thyej tani të gjitha rregullat e gazetarisë dhe ju bëj thirrje të dielën të harxhoni një gjysmë ore për të shkuar në qendrën e votimit dhe t'u hiqni vizë të katër kandidatëve." Sipas gazetarit Gabric të katër kandidatët nuk janë të aftë për këtë detyre, secili është i interesuar për pushtetin personal, ai ka frikë se asgjë nuk do të ndryshojë në gjendjen e vendit.