1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni - Ivanov dhe Pendarovski në balotazh

Fatos Musliu14 Prill 2014

Sipas rezultateve të para jo zyrtare të KSHZ nga numërimi i 99% të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 27 Prill në balotazh do të garojnë Gjorgji Ivanov dhe Stevo Pendarovski.

https://p.dw.com/p/1Bham
Mazedonischer Präsident Ivanov bei der Stimmabgabe
Fotografi: picture-alliance/dpa

Sipas rezultateve të para jo zyrtare të Komisionit shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) nga numërimi i 99% të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, kandidati për president i VMRO-DPMNE-së,Gjorgji Ivanov, ka marrë 448.304 vota, rivali i tij nga opozita, Stevo Pendarovski ka fituar gjithsej 326.069 vota, kandidati i PDSH-së, Iljaz Halimi ka grumbulluar 38.965 vota dhe kandidati nga GROM, Zoran Popovski 31.360 vota. Në bazë të këtyre rezultateve më 27 prill në balotazh për zgjedhje presidenciale do të garojnë Gjorgji Ivanov dhe Stevo Pendarovski.

“Do të jem president i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Do ta nxis edhe më shumë jetën e përbashkët të të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare. Do të vazhdojmë t'i realizojmë objektivat që kemi para nesh. Fitorja e thellë në raundin e parë është edhe një dëshmi se qytetarët i besojnë konceptit tonë”, u shpreh kandidati për president, Gjorgji Ivanov pas kumtimit të rezultateve jo zyrtare nga KSHZ.

Lufta nuk ka përfunduar, kështu është shprehur kandidati i opozitës maqedonase për president, Stevo Pendarovski: “Fitimi i mbi 300 mijë votave për kandidatin e opozitës është hap i guximshëm. Votat e fituara nga kandidati në pushtet nuk janë rezultat i cilësisë së tij por i forcës së partisë që e ka nominuar. Ndaj dua t'ju them se lufta nuk ka përfunduar. Tani na pret balotazhi. Jam i vetëdijshëm se pavarësisht presioneve të pushtetit, ne mund të korrim fitore më 27 prill”, u shpreh Stevo Pendarovski.

Kandidati i vetëm shqiptar në zgjedhjet presidenciale, Iljaz Halimi nga partia PDSH ka arritur të fitojë vetëm 4.7% të votave. Kjo përqindje atij nuk ia ka mundësuar të vazhdojë garën në raundin e dytë. Por lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, thotë se është i kënaqur nga rezultati që ka arritur kandidati i tyre për president. “Ky rezultat është i kënaqshëm për ne. Jam i bindur që pas dy javësh këto vota do të shëndrohen në 13 apo 14 deputetë. Jam i bindur në këtë fitore të PDSH-së në zgjedhjet parlamentare dhe vlerësoj se kjo do të jetë gjëja më e mirë që do t'i ndodhë Maqedonisë", deklaroi Menduh Thaçi.

Nga pjesëmarrësit në zgjedhjet presidenciale, por edhe nga OJQ-të që kanë vëzhguar procesin zgjedhor është dhënë vlerësim i përgjithshëm se procesi i votimit është bërë në mënyrë korrekte, demokratike dhe transparente. Organizata qytetare, MOST, e cila ka monitoruar zgjedhjet në të gjitha qendrat e votimit ka shënuar disa incidente dhe parregullsi të vogla, por të cilat nuk kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar të votimit. Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, në paraqitjen e tij pas mbylljes së qendrave të votimeve akuzoi pushtetin për dhunë dhe presione ndaj votuesve. Ai u zotua se kjo dhunë do të anulohet më 27 prill. “Do të jemi gjithandej Maqedonisë së bashku me qytetarët dhe nuk do të lejojmë që demokracia të shkelet. Është obligim i yni që të luftojmë për të drejtën tonë, për zgjedhje të lira dhe demokratike”, është shprehur Zoran Zaev.

Në zgjedhjet presidenciale, sipas KSHZ-së, në vendbanimet me shumicë shqiptare jehona e votuesve ka qenë mjaft e vogël për shkak se partia shqiptare në pushtet, BDI, ka bërë thirje për bojkotin e zgjedhjeve për shkak të refuzimit të kërkesës së saj për një president konsensual. BDI nuk do ta ndryshojë qëndrimin as për raundin e dytë zgjedhor pasi sipas zëdhënësit të BDI-së, Bujar Osmani asnjëri nga dy kandidatët që kanë kaluar në balotazh nuk i plotëson kriteret e kandidatit konsensual që kërkohet nga BDI-ja. “Ideja për president konsensual duhet të mbetet gjallë deri në realizimin e saj. Kandidatët që shkojnë në balotazh nuk e kanë verdiktin e popullit shqiptar, andaj ata nuk do ta fitojnë votën e shqiptarëve", thotë Bujar Osmani.

Prej sot vazhdon fushata paralele për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale si dhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që zhvillohen po më 27 prill.