1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet lokale në Kosovë

Bahri Cani16 Nëntor 2009

Në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e parat prej shpalljes së pavarësisë. Viotuan rreth 45 % e qytetarëve. Zgjedhjet kaluan pa incidente serioze, ndërsa në shumicën e komunave do të ketë balotazh.

https://p.dw.com/p/KY3y
Hashim Thaçi: "PDK-ja ka fituar më së shumti..."Fotografi: AP

Me të përfunduar procesi i votimit në orën 19 të mbrëmjes, partitë poltike garuese në zgjedhjet lokale, nxituan të shpallin rezultatet e tyre dhe e përbashkëta ishte se asnjëra nga partitë në shumicën e rasteve nuk kontestuan rezultatet e njëra tjetrës. PDK-ja e cila udhëheqë me qeverinë, thotë se ka fituar më së shumti vota në komunat e Kosovës. Kjo parti pohon se udhëheqë në 20 komuna. LDK-ja ka pësuar rënie të votuesve krahasuar më zgjedhjet e fundit. Mirëpo ka fituar në kryeqytet. Një ngritje të numrit të votuesve ka shënuar AAK-ja e cila në dy komuna në Deçan dhe Junik, thotë se ka fituar që në raundin e parë. Pos kryeqytetit, i cili pothuaj se është e qartë se ka fituar kandidati për kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, gati në të gjitha qendrat e mëdha të Kosovës do të shkohet në balotazh, sepse asnjë nga kandidatët nuk kanë fituar 51% të votave, sa duhen për të fituar që në raundin e parë. Në balotazh do të shkojnë nga dy kandidatë për kryetar komune, ata që kanë marrë më së shumti vota. Kandidatët që do të garojnë në raundin e dytë janë kryesisht nga katër partitë kryesore garuese në këto zgjedhje. PDK, LDK-së, AAK-së, dhe koalicioni AKR/LDD.

Wahlen im Kosovo 2009
...Presidenti Fatmir Sejdiu përgëzoi qytetarët...Fotografi: AP

Pjesëmarrja në votime më e lartë se herën e kaluar

Pjesmarrja e qytetarëve në zgjedhje ishte pak më shumë se 45 %. "Numri i qytetarëve që votuan ishte mbi 700.000, nga mbi 1.500.000 me të drejtë vote, që do të thotë 45.36 përqind”, saktëson Nesrin Lushta, kryetare e KQZ-së. Zgjedhjet u zhvilluan në 36 komuna të Kosovës. Në garë ishin mbi 200 kandidatë për kryetar komunash. Zyrtarë të KQZ-vë, thanë se me përjashtim të disa incidenteve të vogla shumë të izoluara procesi i votimit për zgjedhjet lokale ka rrjedhur normalisht në të gjitha rajonet e Kosovës. Në të njejtën linjë për një proces zgjedhor korrekt është shprehur edhe rrjeti i organizatave joqeveritare vendore që monitoroi zgjedhjet. Zgjedhjet u monitoruan edhe nga rrjeti ndërkombëtar ENEMO, i cili gjatë ditës së sotme (e hënë) do të dal me vlerësimin e ecurisë së zgjedhjeve.


Pa incidente serioze

Policia e Kosovës nuk njoftoi për incidente. Udhëheqësit politikë përgëzuan qytetarët për pjesmarrje në votime. Të njejtin vlerësim e dhanë edhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Procesi i votimit për zgjedhjet lokale u zhvillua edhe në vendbanimet serbe, mirëpo pjesmarrja ishte mjaft e ulët. Përqindja më e madhe në vedbanimet serbe u shënua në tri komunat e reja, Graçanice, Ranillukë dhe Kllokot, diku afër 20 përqind. Në këto komuna për të inkurajuar serbët që të votojnë gjatë procesit të votimit ishin ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Kristofer Dell dhe kryesuesja e një delegacioni të parlamentit evropian që po qëndron në Kosovë, Doris Pack. Ndërsa në komunat më shumicë serbe në veri të Kosovës, numri i pjesmarrësve serbë në zgjedhje ishte tejet i ulët.

Wahlen im Kosovo 2009
... votoi edhe një pjesë e serbëve.Fotografi: AP

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Bahri Cani