1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare në Kosovë

Bekim Shehu8 Qershor 2014

Afro 1.8 milionë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote vendosin për 2000 mijë kandidatë që garojnë për 120 vendet e Parlamentit të Kosovës.

https://p.dw.com/p/1CET9
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në Kosovë ka filluar që nga ora shtatë e mengjesit procesi i votimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Qendrat e votmit janë hapur në të gjithë teritorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit, njofton kryetarja e Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka.

“Në 38 komuna të Republikës së Kosovës mbahen Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në Listën Përfundimtare të Votuesve janë 1 milion e 782 mijë e 454 emra të personave që kanë të drejtën e votës, ta ndarë në 798 Qendra të Votimit me gjithsejt 2 mijë e 374 Vendvotime”, thotë Valdete Daka.

Valdete Daka
Valdete DakaFotografi: DW

Në garë janë 31 subjekte politike, nga 19 parti politike, 7 nisma qytetare, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur. 2.000 mijë kandidatë garojnë për 120 vende në Parlamentin e Kosovës. Udhëheqësit më të lartë të shtetit, përfshirë edhe përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare, në mesazhet e tyre bëjnë thirrje për zgjedhje të qeta, të ndershme dhe demokratike.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, thotë se “zgjedhjet e përgjithshme të 8 Qershorit, duhet të kenë vulën e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, zgjedhjeve që do të përcaktojnë pjekurinë e shoqërisë sonë si zgjedhje gjithëpërfshirëse, ku secili qytetar në secilën pjesë të vendit të ketë mundësinë që lirshëm ta thotë fjalën e tij”.

Mijëra policë në gatishmëri

Për të garantuar sigurinë gjatë procesit të votimit, janë angazhuar mijëra policë, përfshirë edhe pjesëtarët e misionit EULEX dhe Forcave Paqerujatëse, ndonëse këta dy mekanizma ndërkombëtarë më shumë janë të përqendruar në veri të Kosovës. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, edhe në këtë pjesë janë hapur të gjitha qendrat e votimit, ndonëse, është akoma herët të flitet për përqindjen e daljes në zgjedhje.

EU Parlamentswahl 25.05.2014 Kosovo
Fotografi: DW/B. Shehu

Komandanti i forcave paqeruajtëse në Kosovë, gjenerali Italian Salvatore Farina, ka vizituar herët në mëngjes Mitrovicën e veriut. Ai tha se “KFOR-i gjendet atje për të ofruar ndihmë për Policinë e Kosovës dhe atë të EULEX-it, për t'u mundësuar qytetarëve që lirshëm të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”.

Në katër komunat në veri të Kosovës, të drejtën për të votuar e kanë 62,737 vetë dhe votohet në 44 qendra votimi.

30 mijë vëzhgues

Zgjedhjet e përgjithshme në vend po vëzhgohen nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, numri i të cilëve arrin në rreth 30 mijë. Një mision e Bashkimit Evropian prej 100 pjestarësh për vëzhgimin e zgjedhjeve tashmë është në teren. Ky mision i vëzhguesve të BE-së, sipas presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, do t'u japë një legjitimitet më të madh këtyre zgjedhjeve. Zgjedhjet komunale të vitit të kaluar thotë presidentja Jahjaga, kanë vendosur një standard demokratik të cilin duhet mbajur edhe në zgjedhjet e tetë qershorit.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00 të mbrëmjes.