1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhje, që përcaktojnë fatin e Erdoganit

Thomas Seibert/Angjelina Verbica30 Mars 2014

Zgjedhjet lokale turke janë më shumë se vetëm zgjedhja e kryetarëve të komunave. Pas trazirave në Gezi, skandalit të korrupsionit e ndalimit të twitter-it turqit do të votojnë edhe për kryeministrin Erdogan.

https://p.dw.com/p/1BYM5
Fotografi: Reuters

Nëse Erdogani del i dobësuar apo i forcuar nga ky provim, vendoset edhe në metropolin 15 milionësh të Stambollit, ku kryeministri i sotëm para 20 vjetësh filloi karrierën e tij politike si kryebashkiak. Në qoftë se partia e tij AKP e humb sundimin mbi bashkinë e qytetit gjigand në Bosfor, kryeministri 60-vjeçar do të goditej rëndë politikisht.

Mustafa Sarigül është njeriu, që dëshiron ta bëjë këtë goditje. Kryetari i bashkisë të lagjes së pasur të Stambollit Sisli është kandidat i partisë opozitare sekulariste CHP në Stamboll dhe kontrahent i kryetarit aktual Kadir Topbas nga partia e Erdoganit. Sondazhet parashikojnë një rezultat të ngushtë. Sarigül premton internet falas në të gjithë qytetin, në rast se fiton, po ashtu edhe përdorimin gratis të transportit publik për studentët. Shenja të qarta se 57 vjeçari dëshiron të bëjë për vete në rradhë të parë të rinjtë. Erdogan e quan Sarigülin "anarkist".

Replika të ashpra verbale

Në fushatat zgjedhore turke nuk mungojnë sharjet e kundërshtarit. Por fushata aktuale është edhe për vetë turqit e pazakontë. Kryetari i partisë CHP Kemal Kilicdaroglu e quan Erdoganin "kryehajdut", kryeministri akuzon kundërshtarët, se kanë krijuar një "organizatë terroriste" për të rrëzuar qeverinë.

Akuzat e fundit për korrupsion e kanë dëmtuar Erdoganin. Gati çdo ditë shfaqen në internet inçizime të reja të telefonatave, që e vënë atë në siklet apo anëtarë të tjerë të qeverisë. Herë është fjala për ryshfet, herë për presion mbi median. Kryeministri vetë i sheh të gjitha këto si komplot të lëvizjes së predikuesit islamik Fethullah Gulen, i cili e ka mbështetur për një kohë të gjatë AKP-në.

Mustafa Sarigul në një miting të opozitës në Stamboll.
Mustafa Sarigul në një miting të opozitës në Stamboll.Fotografi: picture alliance/ZUMAPRESS

Ndalimi i twitterit

Në përgjigje të akuzave për korrupsion Erdogani ka larguar nga puna mijëra policë, gjykatës dhe prokurorë, që konsideroheshin si pasues të Gylenit. Javën e kaluar ai bllokoi twitterin, për të penguar përhapjen e zbulimeve të reja. Të enjten (27.03.) Erdogani e bëri realitet kërcënimin dhe mbylli edhe platformën e videos, YouTube. Mështetësit e tij shohin në këto hapa masa të domosdoshme për të mbrojtur shtetin, kundërshtarët e tij shohin sulme ndaj demokracisë dhe shenja frike të një politikani, që udhëheq në mënyrë gjithnjë e më autoritare.

Fethi Acikel, profesor i shkencave politike në Universitetin e Ankarasë, sheh pas qëndrimit të ashpër dhe polarizues të Erdoganit një strategji të llogaritur mirë. Që prej protestave në Gezi verën e kaluar kryeministri është përpjekur që me ndihmën e "tensioneve të kontrolluara" në shoqëri të arrijë qëllimin e tij, një sistem të ri presidencial në Turqi, thotë Acikel për Deutsche Wellen. Në vend të presidencës aktuale relativisht të dobët politikisht Erdogan kërkon të kalojë në një sistem sipas modelit francez apo amerikan, ku të jetë vetë në krye.

Zgjedhjet komunale si referendum

Por me këtë plan nuk u bë gjë. Përkundrazi gjithnjë e më shumë turq u distancuan nga kryeministri, tetë njerëz u vranë në protestat në Gezi, polarizimi vazhdoi të rritet. Akuzat për korrupsion e acaruan më shumë klimën, shpalosën në një dimension të panjohur më parë anët e errëta të AKP-së. "Prandaj këto zgjedhje janë në një farë mënyre një referendum pro apo kundër politikave nepotike, korruptive dhe autoritare të AKP-së", thotë Acikel.

Erdogani ka ende shumë përkrahës
Erdogani ka ende shumë përkrahësFotografi: Bulent Kilic/AFP/Getty Images

Askush nuk pret që tensionet pas ditës së zgjedhjeve të bien. Përkundrazi Acikel pret të tjera, të paktën deri në zgjedhjet presidenciale në muajin gusht. Aktualisht nuk dihet, nëse Abdullah Gül, i cili javët e fundit është distancuar gjithnjë e më shumë nga miku i tij i vjetër Erdogan do të kandidojë përsëri, apo nëse do të kandidojë vetë Erdogani.

Skenaret për ditën pas zgjedhjeve

Përgjigja e kësaj pyetjeje lidhet ngushtë me rezultatin e zgjedhjeve të së dielës. Sipas anketimeve AKP do të marrë ndërmjet 35 dhe 45 për qind, për shkak se ajo e ka ende mbështetjen e bazës së saj konservatore. Kjo do të thoshte, që ajo mbetet partia më e fortë, por në krahasim me zgjedhjet e parlamentare të vitit 2011, kur ajo fitoi gati 50 për qind, do të humbasë vota. Erdogani e konsideron çdo rezultat, që është mbi rezultatin e zgjedhjeve lokale të vitit 2009 si sukses, atëherë partia e tij arriti në 38.8 për qind.

Nëse AKP bie nën këtë prag dhe humbet edhe qytete të rëndësishme si Ankaraja, apo Stambolli, Erdogani nuk do t'i realizojë dot ambiciet për president. Kundërshtarët e tij e dinë këtë dhe bëjnë thirrje në internet, që të gjitha votat e opozitës të përqendrohen te kandidati i CHP-së Sarigül.

"Opozita e heshtur" në AKP kundër Erdoganit

Sipas vëzhguesve brenda AKP-së po rritet pakënaqësia ndaj linjës së Erdoganit. Ka një "opozitë të heshtur" brenda partisë në pushtet, e cila aktualisht nuk guxon të dalë hapur, thotë autori dhe kolumnisti Mustafa Akyol Deutsche Welles. Vetëm nëse popullariteti i Erdoganit bie tek votuesit besnikë të AKP, atëherë mund të imagjinohet një revolucion i pallatit kundër 60-vjeçarit.

Por edhe sikur AKP të fitojë më shumë se 40 për qind, situata nuk ka për t'u qetësuar. Erdogan ka deklaruar tashmë se pas ditës së zgjedhjeve do të veprojë më me forcë kundër lëvizjes Gylen. Mediat spekulojnë për masa ndaj firmave dhe shoqatave, që janë të afërta me lëvizjen. Stacioni televiziv Kanaltürk, i afërt me Gylen, e ka humbur ndërkohë licencën si rrjet televiziv, që transmeton në mbarë vendin.

Protesta kundër korrupsionit me 25 mars në Stamboll.
Protesta kundër korrupsionit me 25 mars në Stamboll.Fotografi: Ozan Kose/AFP/Getty Images

"Përçarje e inteligjencës islame"

Turqia ndodhet para "problemit të kalimit" në një erë të re, thotë për Deutsche Wellen Murat Somer, politolog në universitetin Koc të Stambollit. Erdogan duhet tani të shtypë demokracinë dhe shoqërinë e hapur, për të qëndruar në pushtet.

Kryeministri është përpjekur të forcojë pushtetin e tij dhe të shmangë kontrollin e qeverisë nga institucionet e tjera, duke apeluar për vlerat kombëtare dhe islame. "Por tani edhe inteligjenca islame është e përçarë brenda vetes", thotë Somer, duke patur parasysh grindjen midis Erdoganit dhe lëvizjes Gylen.

Një rrugëdalje Somer sheh në ringjalljen e kursit të reformave të dekadës së fundit. "Ne duhet të kapërcejmë krizën me parimet e vendosura të ndarjes së pushteteve dhe sundimit të ligjit, duke siguruar që qeveria e ardhshme turke të kthehet në rrugën e reformave ligjore dhe politike."