1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steaua Bukuresht humbet emrin e tij

Nemanja Rujevic13 Dhjetor 2014

Me mbarimin e fazës së grupeve të Ligës së Evropës Steaua Bukuresht zhvilloi zyrtarisht lojën e tij të fundit me këtë emër. Klubi i humbi të drejtat për markën Steaua. Do ketë një kompromis në minutën e fundit?

https://p.dw.com/p/1E3c9
Steaua Bukarest FC Schalke 04
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gjithçka është në rregull mund të mendojnë vizitorët e painformuar kur vizitojnë faqen zyrtare të internetit të klubit rumun me traditë Steaua. Majtas lart në faqe është logoja e famshme, tri vija të kuqe dhe dy blu vertikale, me një "steaua" të verdhë, pra yll, në mes. Nën to tabela që e tregon kampionin rekord nga Bukureshti në pozicion e favorshëm në krye të tabelës. Titulli i 26-të është shumë afër, thuajse asnjë prej klubeve të tjera rumune nuk konsiderohet si sfidues serioz. E megjithëse Steaua mbledh me zell pikë në fushën e lojën, klubi po humbet diçka shumë më të rëndësishme: emrin e tij, logon dhe ngjyrat e klubit.

E verdha e ndezur si ndihmë e parë

Gjykata supreme e Rumanisë së fundi mori vendim që marka Steaua nuk është më pronësi e klubit. Ajo i përket vetëm Ministrisë së Mbrojtjes, e cila në 1947 krijoi Steaua, fillimisht me një tjetër emër, si klub sportiv të ushtrisë. "Në të vërtetë pronarët e dikurshëm po bëjnë atë që duhej të ishte bërë para 25 vjetësh me të gjitha markat dhe jo vetëm në sport: mbrojtjen e një emri dhe një marke", komenton gazetari rumun Cristian Ștefănescu. Për Deutsche Welle-n ai thotë se ky proces nuk duhet të dramatizohen më shumë se ç'duhet: një emër mund të jetë një shtesë e rëndësishme për imazhin, por vetëm kaq.

Lojën e fundit të kampionatit në fushën e vet kundër CSMS Jassy, lojtarët e Steaua e zhvilluan me fanella me ngjyrë të verdhë të ndezur me stema të ngjitura mbi to. Në tabelën ku paraqiten logo dhe emri i ekipit shkruhej vetëm: mikpritësit. Me këtë paraqitje sportdashësit nuk ishin të kënaqur: "ne jemi Steaua", bërtisnin ata vazhdimisht. Por jo të gjithë janë të mërzitur për këtë zhvillim, thotë Ștefănescu, një pjesë e madhe e opinionit të futbollit në Rumani madje ndjen një farë gëzimi nga ky zhvillim. "Nuk duhet harruar se Steaua dhe rivali i tij më i madh Dinamo Bukuresht janë të dy produkte të diktaturës komuniste. Për një kohë të gjatë ata drejtoheshin dhe sponsorizoheshin nga ushtria ose nga policia e fshehtë famëkeqe Securitate. Kështu ushtria dhe policia për dekada me radhë e kanë dominuar garën sportive përmes terrorit."

Fußball Mannschaftsfoto Steau Bukarest Europapokal der Landesmeister 1985/1986
Fitore e Kupës së Evropës 1985/1986Fotografi: imago/Colorsport

"Ushtria do para"

Por njohësit e sportit në Rumani janë të një mendje se zënka juridike nuk nënkupton doemos edhe fundin e markës Steaua. Ushtria thjesht kërkon para për të drejtat e shfrytëzimit të emrit, mendon legjenda e tenisit Ilie Nastase, edhe vetë gjeneral në ushtri. "Jam i sigurt se do të arrihet një marrëveshje pasi nga ky konflikt askush nuk mund të fitojë", thotë ai. Një zhvillim të ngjashëm la të nënkuptohej edhe ish traineri i kombëtares Anghel Iordănescu, gjithashtu një gjeneral, i cili konsiderohet si mik i ngushtë i ministrit të Brendshëm Gabriel Oprea.

Një shenjë të vullnetit të mirë tregoi dhe udhëheqja e ushtrisë të hënën (8.12.) kur i lejoi ish fituesit të kupës së Evropës të mbante emrin e vjetër në ndeshjen kundër Dinamo Kiev, gjë që në medie u cilësua si "armëpushim". Ndeshja nuk ishte për tifozët e rëndësishme vetëm për shkak të fitores sportive por kishte edhe rëndësi të madhe simbolike. Në vitet e lavdishme '80 Ylli Bukureshtit fitoi superkupën Evropiane pikërisht kundër Dinamos. Këtë herë Steaua humbi 2:00 dhe u skualifikua nga Liga e Evropës.

Steaua Bucharest Besitzer Gigi Becali, Rumänien
Gigi BecaliFotografi: Daniel Mihailescu/AFP/GettyImages

Pronar privat i dyshimtë

Kohët e fitoreve historike të Steaua kanë mbaruar tashmë, shkëlqimi i ditëve të kaluara duket se nuk mund të arrihet më. Ndër tifozët më besnikë të Steaua asokohe ishte edhe diktatori stalinist i Rumanisë Nikolau Çaushesku, i cili u rrëzua dhe u vra në revolucionin antikomunist rumun në 1989. Pas revolucionit edhe në Rumani u hap rruga për privatizimin e pasurisë shtetërore në gjithë vendin, ku bënin pjesë edhe klubet e futbollit.

Klubi sportiv Steaua u ble nga një përfitues i dyshimtë i kohës së transformimeve: George "Gigi" Becali, sipas të dhënave të veta rumuni më i pasur. Sipërmarrësi i gjithpranishëm në medie, përzihet edhe në politikë dhe madje një farë kohe ishte deputet në Parlamentin rumun dhe atë evropian. Megjithatë ai nuk dallohej edhe aq për idetë politike por më shumë për deklaratat e tij homofobe dhe antisemite. Ose dhe për vetë inskenimet si Robin Hud kur p.sh. pagoi një faturë prej 200.000 eurosh që banorët e një lagjeje të Bukureshtit i detyroheshin shtetit për rrymë elektrike.

Becali e ka vënë pasurinë e tij kryesisht me spekulime në treg, ndër të tjera në një këmbim të kontestuar tokash me Ministrinë e Mbrojtjes. "Kjo do të thotë se të dy palët që luftojnë për markën Steaua e njohin shumë mirë njëra-tjetrën", vë në dukje me ironi gazetari Ștefănescu. Një marrëveshje është pra mjaft e mundur. Megjithatë negociatat mund të ishin disi të komplikuara: tifozi i futbollit "Gigi" Becali aktualisht është në burg për shkak të korrupsionit.