1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ylli Bodinaku çau në korrik 1990 murin shqiptar të Berlinit

30 Janar 2012

Ylli Bodinaku, që më 2 korrik, çau me kamionin e tij murin e ambasadës gjermane, drejton sot një servis automjetesh në periferi të Tiranës. Sot ai tregon për jetën e tij dhe kthesën që i dha asaj Gjermania.

https://p.dw.com/p/OAHW
Ylli Bodinaku në shtëpinë e tij në Tiranë intervistuar për Deutsche Welle-n nga Ani Ruci
Ylli Bodinaku në shtëpinë e tij në Tiranë intervistuar për Deutsche Welle-n nga Ani RuciFotografi: DW

Ai nuk e quan veten hero. Por kështu e ka quajtur atë, në mbrëmjen e 2 korrikut 1990, ministri i Jashtëm i atëhershëm i Gjermanisë, Hans Dietrich Genscher.

Ylli Bodinaku, kujton si sot, atë mbrëmje, kur i ra murit të pasëm të ambasadës gjermane dhe hyri brenda me kamionin e tij të ngarkuar me gruan, dy djemtë, njërin 11 vjeç dhe tjetrin foshnjë dy muajshe, me shokë, miq, me plot 36 vetë. Dhjetra të tjerë vërshuan më pas në ambasadën gjermane, nga muri që ai rrëzoi. “Atë mbrëmje, në Bon u raportua që në ambasadën gjermane ishin futur menjëherë 86 vetë. Punonjësit e ambasadës na mblodhën dhe na lexuan një faks që kishte dërguar Gensche-ri. Shoferi bashkë me të tjerët janë heronj të demokracisë shqiptare. Ata shembën murin e Berlinit të Shqipërisë. Kështu thoshte fjalë për fjalë Genscher-i në faksin e tij,” sjell ai ndërmend.

Kamioni Skoda, me të cilin Ylli Bodinaku çau murin e ambasadës gjermane në Tiranë më 2 korrik 1990
Kamioni Skoda, me të cilin Ylli Bodinaku çau murin e ambasadës gjermane në Tiranë më 2 korrik 1990Fotografi: Werner Daum

Shembjen e atij muri Ylli e kishte projektuar në ëndrrat e tij më të guximshme, që nuk e thyen prej torturave të Sigurimit të shtetit në Tiranë. Ideja se një ditë ai do t'i binte atij muri e mbajti gjallë më pas në qelinë e burgut famëkeq të Spaçit, ku regjimi e çoi si të burgosur politik. “Murit nuk i rashë aksidentalisht. As nuk më shtyu dikush. Ishte një urrejtje e brendshme. Në moshën 27 vjeçare u dënova me 10 vjet burg për politikë. Isha i vendosur t'i bija murit. E dija se ecja drejt vdekjes. Muri ishte i lartë dhe i trashë. Shanset ishin shumë të pakta për të shpëtuar.”

Ai u shpëtoi tullave që binin nga muri i rrëzuar vetëm me një plagë të thellë në krahun e majtë, që ia mjekoi një infermiere çeke, të cilën personeli i atëhershëm i ambasadës gjermane në Tiranë e solli enkas për të nga ambasada çeke, përballë. Shenjat e plagës janë të dukshme edhe sot pas 20 vitesh. Ylli Bodinaku. thotë se nuk u shpëtoi vetëm tullave të murit, që rrëzoi kamioni i tij, por edhe shenjëstrës së snajperave të policicë së regjimit që po jepte shpirt, që kërkonin ta asgjësonin. Personeli i ambasadës gjermane i kishte dhënë udhëzime të prera që të mos dilte në dritare, të mos lëvizte nga dhoma në katin e tretë, ku e kishte vendosur bashkë me familjen e tij. Dy javë më pas ai do të ndodhej në jugperëndim të Gjermanisë, në qytetin Mannheim, ku e caktuan autorittt gjermane.

Jeta e re në Mannheim

Atje, zanati i motoristit i hapi derën e punës në kompaninë e njohur MAZDA. Vitet që punoi në Mannheim, në atë kompani, qenë një shkollë e vërtetë profesioni, kulture dhe formimi personaliteti për Ylli Bodinakun. “U jam shumë borxhli, u jam shumë mirënjohës gjermanëve. Këtë e them me shpirt. Atje mësova çfarë është disiplina e punës, se si nuk pihet duhan në vendin e punës. Atje mësova gjermanisht. Shefi im tek MAZDA më thoshte ik, shko mëso...Çfarë kam parë dhe kam mësuar atje jam munduar t'i vë në jetë këtu, ja siç e sheh me sytë e tu.” thotë Ylli Bodinaku.

Kthimi në atdhe - Shqipërinë duhet ta bëjnë shqiptarët

Ajo që shoh me sytë e mi është një servis, në katin e parë, të shtëpisë së tij trikatëshe në kodrat e Saukut, pranë Tiranës. Katër punëtorë dhe dy djemtë e tij riparojnë automjete dhe motorat e tyre. Syri të zë edhe automjete të viteve 50-të që janë bërë krejt si të reja. Rregullimin e motorëve, Ylli Bodinaku e ka pasion të vjetër; duket si i lindur për të qënë mototrist, dhe në laboratorin pranë servisit sheh një arsenal të tërë veglash dhe motorë automjetesh që duart e tij i kanë bërë sikur sapo kanë dalë nga fabrika.

Motor në ofiçinën e Ylli Bodinakut
Motor në ofiçinën e Ylli BodinakutFotografi: DW

Për fat të keq kamioni i tij historik nuk gjendet mes automjeteve që ai i ka riparuar. Për fat të keq as në ndonjë muze. Kur ai ishte në Gjermani atë e shitën për hekurishte. Kjo e trishtoi dhe e zhgënjeu kur u kthye përgjithmonë në atdhe. Tani ai përpiqet të kultivojë një kulturë tjetër tek të punësuarit e tij. Vlerësim dhe respekt ndaj asaj që kanë bërë të tjerët, disiplinë, rregull. Si shembuj ai ka përherë në majë të gjuhës episode nga Gjermania. “Kur isha në Gjermani Genscher-it i vunë gjobë vetëm sepse hyri me makinë me shpejtësi në shtëpinë e tij, më kupton? “ pyet ai.

Ai është krenar që ka sjellë në servisin e tij gjithë përvojën që fitoi në vitet e qëndrimit në Gjermani. “Shqipërinë duhet ta bëjnë shqiptarët, thotë ai. Gjermania më bëri të mendoj kështu dhe të jem ky që jam”.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama