1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Wolff: Evropa ka nevojë për më shumë burime kapitali

Bernd Riegert27 Prill 2015

Bashkim monetar, bashkim bankar dhe tani bashkim i tregut të kapitalit: pse ka nevojë BE për këtë projekt, të cilit i hapën rrugë ministrat e financave në Rigë? Pyetje drejtuar Guntram Wolff nga qendra "Bruegel"

https://p.dw.com/p/1FF6Q
Guntram Wolff
Fotografi: Bruegel

Deutsche Welle: Zoti Wolff, projekti tjetër i madh i BE ndodhet në prag të derës: bashkimi i tregut të kapitalit. Çfarë synon konkretisht ky projekt, a mund të na e skiconi shkurt?

Guntram Wolff: Në bashkimin e tregut të kapitalit kemi të bëjmë me përmirësimin e rrjedhave të qarkullimit financiar, bërjen e tyre më stabile dhe për të mundësuar qasje më të mirë te to, para së gjithash për sipërmarrjet, por edhe për buxhetet. Qytetari synohet të ketë mundësi më të mira për të kursyer, për të përfituar interesa më të mira bankare për kursimet. Me këtë synohet të forcohet stabiliteti jo vetëm i bashkimit monetar, por i gjithë BE. Ky është objektivi i madh i këtij projekti. Për këtë nevojiten masa të ndryshme.

Për cilat masa bëhet fjalë? Thuhet se është një projekt afatgjatë, që do të zbatohet në vitin 2019.

Në plan afatshkurtër është e rëndësishme para së gjithash që të rritet transparenca e tregjeve financiare. Informacionet duhet të përmirësohen në një mënyrë të tillë, që njeriu të dijë se çfarë produkti po blen me të vërtetë. Transparenca është si të thuash gjaku i nevojshëm që të jetojnë tregjet mirëfunksionuese financiare. Pastaj kemi edhe një agjendë afatmesme, ku natyrisht gjërat sigurisht duhen rimenduar në pikëpamje strukturore, pra e kam fjalën për stabilitetin financiar, procedurat e falimentimit dhe politikën e taksave dhe tatimeve.

Kemi të bëjmë me një pasojë të krizës së fundit financiare të vitit 2008? A është e nevojshme të bëhet një bashkim i tregjeve të kapitalit, për të arritur më shumë stabilitet në sektorin e financave?

Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për krizën më të fundit financiare, por që të jemi të përgatitur më mirë për krizën e ardhshme dhe që të dalim më shpejt nga një krizë e tillë. E shohim fare qartë se ne në Evropë kishim më shumë probleme për të dalë nga kriza, sepse ishim shumë të varur dhe ende jemi të varur nga bankat. Meqenëse bankat patën probleme, probleme i dolën edhe pjesës që mbeti të ekonomisë. Më shumë diversifikim i sistemit financiar do të ishte e mirë për stabiltetin.

Cila është kritika për bashkimin e tregut të kapitalit? A ekziston droja se tregjet financiare do të jenë në fund më të fuqishme dhe me më shumë ndikim se ç'janë sot?

Sa më shumë integrim ekziston përtej kufijve, aq më shumë jostabilitet mund të ketë, pra kriza që kalojnë nga një vend në tjetrin. Kur i integron më fort tregjet financiare, duhet të forcosh njëkohësisht edhe kuadrin rregullator, mbikqyrjen, në mënyrë që integrimi të mos çojë në kriza të reja.

Bashkimi i tregut të kapitalit shihet edhe si pjesë e planit të madh të Junckerit, për të nisur investimet në vëllimin e 315 miliardë eurove në Evropë. Pra kjo do të thotë se sipërmarrjet në tregjet jugore të krizës do të kenë qasje më të lehtë te kapitali se deri më sot. A mbërritëm prapë te Greqia?

Nuk duhet të ëndërrojmë, se ky bashkim i tregut të kapitalit do t'i zgjidhë në njëfarë mënyre problemet tona me Greqinë ose me vendet e tjera jugore. Këtu bëhet fjalë vërtet për një projekt afatgjatë. Në plan afatshkurtër ne duhet t'i vemë nën kontroll problemet në sistemin bankar dhe në borxhet shtetërore. Të gjitha këto gjëra sigurisht nuk mund t'i zgjidhë bashkimi i tregut të kapitalit.

Guntram Wolff drejton Institutin me emër "Bruegel", një qendër studimore për politikën evropiane, veçanërisht çështjet financiare dhe ekonomike. Ekonomisti gjerman është i ftuar rregullisht si mysafir në takimet informale të ministrave të financave të BE, ku ai jep impulse për konsultimet e politikanëve.