1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vitet e ndryshimeve në Shqipëri në sytë e gjermanes Adelheid Feilcke-Tiemann

6 Korrik 2010

Si e kujton ajo Shqipërinë e atyre viteve, para dhe pas hapjes së ambasadave? Si e priti Gjermania ardhjen e refugjatëve?

https://p.dw.com/p/OBr5
Adelheid Feilcke-TiemannFotografi: DW

Adelheid Feilcke –Tiemann ka vizituar Shqipërinë për herë të parë në vitin 1988 si etnomuzikologe dhe gazetare dhe për të ndjekur festivalin folklorik kombëtar në Gjirokastër. Më pas në 89' ka qenë studente dhe ka punuar për magjistraturën e saj në fushën e muzikës folklorike shqiptare. Gjithashtu ka ardhur në një ekspeditë të muzeut foklorik të Berlinit, disa ditë para hapjes së ambasadave më 2 korrik 1990.

DW: Zonja Feilcke, ju keni pasur fatin që Shqipërinë ta vizitoni para 2 korrikut, keni qenë e pranishme ato ditë para 2 korrikut dhe po ashtu gjatë kësaj ngjarje. Si e kujtoni Shqipërinë e atyre viteve sot pas 20 vjetësh? Çfarë ju ka lënë përshtypje?

Adelheid Feilcke: Kur erdha për herë të parë, njerëzit ishin shumë të mirë, por edhe të frikësuar. Ata kishin shumë frikë që të flisnin me të huajt. Nga ana tjetër në 89', kur ndodhi rënia e murit të Berlinit, unë isha në Shqipëri dhe kam parë që njerëzit i kanë ndjekur me vemendje këto ngjarje. Mua më kujtohet shumë mirë që për herë të parë njerëzit ishin ndryshe, të relaksuar, flisnin më haptas me të huajt. Pra ajo fryma e ndryshimeve në lindje të Evropës ndjehej shumë në bisedat me njerëzit. Kishte filluar të ndjehej atmosfera ndryshe. Por kur filluan të hynin njerëzit nëpër ambasada situata përsëri dukej e tensionuar. Unë kam qenë në ambasadën gjermane dhe i kam parë vetë njerëzit e plagosur. Ishte një pasiguri e madhe, frikë, ankth se mos situata dilte jashtë kontrollit.

Mua më kujtohet shumë mirë edhe fakti, kur isha kthyer nga Gjermania dhe ndiqnim lajmet për njerëzit, që do të largoheshin nga Shqipëria, patëm frikë se mos do të ndërhynte regjimi i asaj kohe. Bëhet fjalë për rastin, kur njerëzit nëpër ambasada do të dilnin me autobusë për të shkuar në aeroport dhe u krijua një lloj frike se mos njerëzit do të arrestoheshin. Pra kishte ankth kudo. Por kishte edhe shpresë për nisjen e tyre drejt perëndimit.

DW: Ju vetë kishit frikë, kur qëndronit në atë kohë në Tiranë ?

Adelheide Feilcke: Më kujtohet lidhur me frikën edhe një tjetër element. Kur nisi fluksi i njerëzve për të hyrë nëpër amabasada, gati të gjithë të huajt ishin larguar nga Shqipëria për shkak të situatës së pasigurisë. Më kujtohet, kur unë vajta në aeroportin e Tiranës për t'u larguar nga Shqipëria dhe hyra në aeroplan. Aty pashë që avioni ishte plot me gazetarë, të cilët kishin ardhur për të ndjekur zhvillimet, por nuk i kishin lënë të hynin për të raportuar, pasi nuk ishin të pajisur me vizë hyrëse.

Biles ata filuan me mikrofona të më pyesnin mua se çfarë po ndodh në Shqipëri, në Tiranë. Pyetjet ishin nga më të ndryshmet: A ka të plagosur? A do të ndryshojë sistemi? Çfarë do të bëhet me ata, që janë nëpër ambasada?

Më kujtohet që unë nga ngarkesa psiqike, që kisha marrë me vete nga Tirana, nuk isha në gjendja të flisja. Vetëm një ditë më pas në Gjermani fillova ta kuptoj se çfarë po ndodhte vërtet atje. Atëherë kuptova se nën çfarë presioni jetojnë njerëzit atje, si ata brenda mureve të ambasadës, por edhe ata jashtë.

DW: Ju zonja Feilcke u ngarkuat më pas të shoqëronit refugjatët nga Brindisi në Gjermani, të cilët u sollën me tren, meqenëse e njihnit edhe gjuhën shqipe. Kjo ju ka ndihmuar që të kuptonit më mirë shqiptarët, të cilët pas gjithë atyre vuajtjeve po shkonin drejt një bote të panjohur?

Adelheide Feilcke: Nuk e harroj kurrë momentin, kur erdhi anija dhe njerëzit po dilnin me furi. Sigurisht që kishte eufori të jashtëzakonshme, por edhe pak kaotike. Njerëzit nuk dinin, ku ishin, disa në një tren disa të tjerë në një tren tjetër, gratë veç, fëmijët veç, burrat veç. Kishte që edhe pjesëtarët e një familjeje ishin të shpërndarë nëpër trena të ndryshëm, apo vagona të ndryshëm. Njerëzit ishin shumë të lodhur, të dobësuar. Rruga dhe kushtet nëpër ambasada kishin qenë jo të mira, dhe të gjithëve iu lexohej lodhja dhe vuajtja. Biles gjermanëve iu ra në sy menjëherë ajo mungesa e shëndetit normal tek ata. Por ata ishin edhe vitalë, sepse në një farë mënyre po i linin të gjitha pas dhe tani po shihnin drejt një të ardhme më të mirë.

DW: Pasi mbërritën në Gjermani, si u pritën nga opinioni ardhja e tyre? Vetë ngjarja e 2 korrikut, pra hapja e ambasadave, në mesin e të cilave dhe ajo gjermane si u komentua nga publiku gjerman?

Adelheide Feilcke: Patjetër që për politikën zyrtare, për mediet, apo për publikun gjerman, hapja e ambasadave, ardhja e refugjatëve ishte shenjë e hapjes së sistemit. Domethënë ne në Gjermani ishim të bindur që me hapjen e ambasadave do të binte regjimi, ose sistemi socialist. Ajo në një farë mënyre ishte dhe përvoja jonë në Gjermaninë Lindore. Për herë të parë mijëra njerëz treguan me largimin e tyre se ishin të pakënaqur nga ky sistem. Pa marrë parasysh se nuk ishte një revoltë politike, por ishte një revoltë e varfërisë, për të gjithë ishte e qartë se ai sistem kishte falimentuar. Njerëzit kishin interes për lirinë e lëvizjes, për lirinë e të shprehurit të mendimit të lirë. Për gjermanët ishte e paqartë, se sa do të zgjasë ky proces dhe a do të shoqërohet ky proces edhe nga dhuna, sepse përvoja e shteteve të tjera e kishte treguar këtë. Rasti i Rumanisë i kishte krijuar të gjithëve dyshime, se i njëjti skenar mund të përsëritet ndoshta edhe në Shqipëri. Megjithatë hapja e ambasadave solli edhe një element tjetër për Gjermaninë. Për herë të parë Shqipëria ishte në fokusin e vemendjes në mbarë botën perëndimore. Deri në atë kohë Shqipëria ishte gati-gati e panjohur, pothuajse një vend i harruar në hartën e Evropës. Ne nuk kishim informacione. Gazëtarët perëndimorë nuk lejoheshin të hynin në Shqipëri. Prandaj me hapjen e ambasadave, me ardhjen e shqiptarëve në Gjermani dhe në vende të tjera u hap një dritare, filloi një dialog i drejtpërdrejtë me njerëzit. Refugjatët, që ishin njerëz të thjeshtë dhe jo funksionarë, flisnin pa rezerva, lirisht pa asnjë cenzurë për situatën në Shqipëri, për të kaluarën e tyre. Mbaj mend që ky kontakt u mirëprit shumë nga Gjermania dhe vendet e tjera.

DW: Sot pas 20 vjetësh, zonja Feilcke, meqenëse keni qenë e lidhur me zhvillimet në Shqipëri si e vlerësoni Shqipërinë sot, zhvillimet e saj demokratike?

Adelheide Feilcke: Hapja e ambasadave ka pasur ndikim tek njerëzit. Padyshim procesi i ndryshimeve politike zgjati për fat të keq relativisht shumë. Megjithatë Shqipëria pati një proces të suksesshëm deri më sot. Po të kemi para sysh se ku ka qenë Shqipëria para 20 vjetësh, ajo vërtet sot ka bërë ndryshime mjaft pozitive. Mungesat kanë qenë të jashtëzakonshme, veçanërisht në infrastrukturë, në hapjen me botën e jashtme dhe në kontaktet me organizmat ndërkombëtare. Ka pasur trazira politike, kriza jo të lehta, por Shqipëria është në rrugë të mbarë. Shqipëria ka pasur sukses në integrimin e të gjitha forcave politike, që nuk është e lehtë. Shqipëria po punon edhe në drejtim të pajtimit të brendshëm, veçanërisht të kampeve rivale politike, por për këtë duhet bërë më shumë. Shqipëria me hapjen e kufijve, me integrimin e ka gjetur veten e saj në Evropë. Tani më nuk vihet në diskutim vendi i saj në NATO, apo në një të ardhme të shpejtë edhe në Bashkimin Evropian.

Autor: Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Angjelina Verbica