1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vetëbesim i kurdëve pas suksesit në zgjedhje

Senada Sokollu /Auron Dodi13 Gusht 2014

Rezultati i mirë i kandidatit kurd në zgjedhjet presidenciale Demirtas i forcon kurdët në Turqi. Partia e tij mund të bëhet një alternativë përballë opozitës së pasuksesshme turke.

https://p.dw.com/p/1CtCa
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ai është kurdi i parë, që ka kandiduar në një zgjedhje presidenciale në Turqi - dhe mund të gëzohet për rezultatin. 41 vjeçari Selahattin Demirtas mori gati dhjetë përqind të votave. Para zgjedhjeve, në parashikime ai arrinte në gjashtë-shtatë përqind. Zgjedhësit e tij ishin jo vetëm kurdët, por edhe turqit. Kandidati më i ri në zgjedhjet e sivjetshme presidenciale kërkoi në fushatën elektorale gjithnjë e më shumë demokraci dhe më shumë të drejta për minoritetet. Ai ishte i vetmi kandidat, i cili donte të angazhohej për të drejtat e homoseksualëve në Turqi.

Ndikim aktiv në procesin e paqes

Partia e Demirtasit, Partia Demokratike Popullore (HDP) bashkëpunoi jo vetëm me Partinë kurde Demokratike dhe të Paqes, por edhe me grupe të vogla të majta turke. Në një reagim të parë pas shpalljes së rezultateve në zgjedhje, Demirtas tha:"Më në fund arritëm që t'i shpërthejmë kufijtë etnikë dhe të marrim në një masë të rëndësishme vota edhe nga e majta turke". Prej rezultatit të papritur të mirë të kandidatin të parë kurd për president, te kurdët në Turqi u forcua "besimi në vete," thotë Mesut Yegen, nga Universiteti Sehir në Stamboll, e cili e hulumton si sociolog temën e kurdëve. Suksesi i Demirtasit u tregoi atyre se partia e tij mund të ketë sukses edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vitin 2015.

Si fituesi i zgjedhjeve, Recep Tayyip Erdogan, ashtu edhe kurdi Demirtas patën theksuar në fushatën elektorale se duan ta vazhdojnë procesin e paqes midis kurdëve dhe turqve. Suksesi në zgjedhje i kandidatëve kurdë tani mund të bëjë "që lëvizja kurde ta ndikojë tani aktivisht dhe me besim të ri në vete procesin e paqes midis kurdëve dhe turqve", thotë politologu Ismet Akca nga Universiteti Yildiz në Stamboll.

Kurdët si faktor i rëndësishëm politik

"Demirtasi vetë ka qenë gjithmonë një figurë e rëndësishme për lëvizjen politike kurde në Turqi", thotë Akca. Por edhe më e rëndësishme është që partia e tij HDP u zhvillua në një lëvizje politike me ndikim në të gjithë vendin - përtej kufijve etnikë.

Jo vetëm në politikën e brendshme është rritur rëndësia e kurdëve në Turqi, por veçanërisht në Lindjen e Afërme kurdët luajnë një rol gjithmonë e më të madh, thekson politologu Akca. Në Turqi ekziston frikë prej organizatave xhihadiste si "Shteti Islamik". Që Partia Punëtore Kurde lufton kundër terroristëve të IS në Irakun e Veriut, ka ndikim edhe në mendimin publik në Turqi. Edhe kur bëhet fjalë për një shtet të vetin për kurdët:"Pozicionimi i turqve ndaj kurdëve sot është shumë më pozitiv se në të kaluarën."