1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shoqëria & Kultura

Varfëria e fëmijëve nuk është një rrugë pa krye

Pa para për lodra dhe shkollim: Fëmijët dhe të rinjtë janë shtresa më e prekur nga varfëria në Gjermani. Por varfëria kthehet në problem për të rinjtë, vetëm nëse prindërit e tyre dorëzohen para vështirësive.

"Gjyshe, kam marrë dhurata të mrekullueshme", tregon Lisa* me krenari në telefon. Dhe një imitim të dobët të Barbit nga një shoqe e varfër!" Shoqja e varfër ishte Leutrime Grainca, të cilën të gjithë e thërrasin shkurt Leu. Ishte ditëlindja e Lisës dhe ajo kishte kërkuar nga Leu që për festën e ditëlindjes t'i sjellë një kukull Barbi. Nëna e Leu-s nuk e dinte se ç'ishte një Barbie dhe se ajo mund të kushtojë më shumë nga mund ta përballonte ajo. Prandaj ajo i jep vajzës dy marka dhe i thotë: "Mirë shko e bleja shoqes tënde kukullën." Por një kukull origjinale e Barbit kushtonte në atë kohë, mes viteve të 90-të, pesëmbëdhjetë herë më shtrenjtë. "Unë nuk kisha as për vete lodra e lëre më një kukull Barbie", sqaron sot 26-vjeçarja. Por ngjarja në festën e ditëlindjes së Lisës ishte për Leu-n një moment turpi dhe zemërimi për varfërinë e tyre të skajshme. Pas kësaj përvoje të hidhur Leu për shumë vite nuk ka pranuar më të shkojë në festat e ditëlindjeve.

Varfëria e lartë në mesin e fëmijëve emigrantë

Sot jeta e shumë të rinjve në Gjermani është e ngjashme me jetën e Leu-t atëherë. Sipas Shoqatës gjermane për Mirëqenien e Fëmijëve aktualisht 2.5 milion fëmijë jetojnë në varfëri. Në raportin e qeverisë për fëmijët dhe rininë thuhet se 15.2 për qind e të rinjve të moshës mes 11 dhe 20 vjeçare janë të prekur nga varfëria. Veçanërisht në rrezik janë ata me sfond emigrimi, gati një në katër prej tyre ballafaqohet me varfërinë financiare.

Në foto, Leutrime Grainca

Në foto, Leutrime Grainca

Leu dhe familja e saj erdhën në vitin 1991 si refugjatë lufte në Gjermani. Babai i saj ishte angazhuar për pavarësinë e Kosovës dhe kishte qenë i burgosur. Kur ai doli nga burgu, shfrytëzoi rastin për të shpëtuar jetën e tij dhe të familjes dhe u largua për në Gjermani.

Leu ishte në moshën e kopështit të fëmijëve, kur familja Grainca u vendos në një qendër refugjatësh në periferi të Dortmundit. Prindërit e saj kishin studiuar në Kosovë, por diplomat e tyre nuk njiheshin në Gjermani. Prandaj atyre iu desh të kërkojnë punë të tjera, si pastrues apo shofer kamioni.

Varfëria është relative në Gjermani

Në Gjermani familja Grainca konsiderohet e varfër. Edhe pse varfëria në një vend të pasur si Gjermania është relative, sepse ajo llogaritet në bazë të të ardhurave mesatare të popullsisë. Sipas raportit të qeverisë për fëmijët dhe rininë fëmijët konsiderohen të varfër, atëherë kur rriten në një familje me të ardhura nën 1.640 euro neto në muaj.

"Përkufizimi i varfërisë në Gjermani është pak i vështirë", thotë Ute Projahn nga Shërbimi për ndihmën e të rinjve pranë Shoqatës së Landit Rheinland (LVR). Ajo drejton dy qendra familjare të Shoqatës në Bornheim dhe Euskirchen. Këtu, u ofrohet ndihmë familjeve dhe fëmijëve në nevojë. "Ne jetojmë në një shoqëri, në të cilën në të vërtetë ka të holla të mjaftueshme dhe ku familjet, që objektivisht nuk kanë shumë të holla, sa do të donin ata, gëzojnë përkujdesje shumë të mirë."

Në foto,, Dr. Ute Projahn

Në foto,, Dr. Ute Projahn

Leu nuk deshi ta pranojë aq thjesht varfërinë financiare të familjes së saj. Ajo filloi të punojë në moshën 13 vjeçare dhe shumë shpejt ajo punonte në katër vende pune pas orarit të mësimit në shkollë. "Pas shkollës u kam ndihmuar fëmijëve të tjerë në mësime, në mbrëmje shpërndaja ilaçe, të shtunave punoja në arkë në një dyqan dhe të dielën shpërndaja gazetat."

Nëpërmjet parave të fituara vetë Leu filloi të pranohet më mirë nga moshatarët e saj. "Me më shumë liri financiare veprimi njeriu merr më shumë pjesë në aktivitete sociale." Kështu Leu mund të dilte më shpesh të pinte kafe, apo të shkonte për pazar me shoqet e shkollës.

Gjithçka tjetër por jo letargjikë ishin prindërit e Leu-s dhe qysh herët fëmijët filluan të ndjejnë presionin emocional. "Ne kemi ardhur për ju këtu, në mënyrë që ju të keni një jetë më të mirë". Fjali të tilla Leu dëgjonte shpesh në rininë e saj. Nëse ajo shkonte në shtëpi me nota mesatare, atëherë i duhej të dëgjonte ligjërata rreth sakrificave, që kishin bërë prindërit për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Brengosja për shqetësimin e prindërve e motivonte Leu-n edhe më shumë.

Nxënësja shembullore pas maturës përfundoi në vitin 2012 studimet në Universitetin Duisburg-Essen. Për temën e saj të diplomës për politikën e integrimit në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë ajo ka marrë një çmim nga Instituti për studentët me sfond migrimi. Që nga koha e studimeve ajo punon për grupin parlamentar të Partisë Socialdemokrate SPD në landin e Renaisë Veriore-Vestfalisë në Düsseldorf.

Leu ka luftuar dhe sot nuk konsiderohet më e varfër. Familje të reja, të cilat janë në një situatë të ngjashme siç ishte ajo atëherë, ajo i këshillon që të shfrytëzojnë çdo mundësi, në mënyrë që fëmijët e tyre më vonë të ndjehen më mirë. "Ajo, që kam mësuar në jetën time, është që të mos heqësh dorë kurrë."

*Emri i ndryshuar nga redaksia