1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia po përgatitet për vetëizolim

Angjelina Verbica (faz, afp, dpa)26 Prill 2014

Rusia i sheh sanksionet eventuale të Perëndimit kundër saj si mundësi për të krijuar "bazë të re" për ekonominë ruse. Prioritet duket se do t'i jepet rikthimit të madhësisë së dikurshme të Rusisë.

https://p.dw.com/p/1Bnui
Fotografi: KIRILL KUDRYAVTSEV/AFP/Getty Images

Kancelarja Merkel kërkoi sot në një telefonatë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, që ai t'i përmbahet marrëveshjes së Gjenevës. Por ndërkohë Rusia ka nisur një ofensivë të madhe në kufirin lindor të Ukrainës.

Udhëheqja ruse po e përgatit vendin gjithnjë e më shumë për rastin e izolimit. Kryeministri Medvedjev tha të martën në Duma se sanksionet dhe presioni ndërkombëtar janë një "mundësi e mirë" për të krijuar "një bazë të re" për ekonominë ruse. Kjo duhet bazuar në të ardhmen "në prodhimet e veta". Në gazetën "Vedomosti" të së mërkurës një ekonomist e shprehu alternativën para së cilës ndodhen tani rusët me formulën: "armë ose gjalpë".

Slovjansk 24 prill
Slovjansk 24 prillFotografi: Reuters

Ndërkohë të gjitha shenjat tregojnë se "rikthimi" i madhësisë së Rusisë ka prioritet, nevojat të tjera thelbësore të popullsisë duhet të rrinë pas.

Ndalohen udhëtimet në Perëndim të punonjësve rusë të sigurisë

Sipas gazetës "Kommersant" punonjësit e ministrisë së Brendshme ruse, duke përfshirë policët dhe autoritetin e antidrogës dhe punonjës së ministrisë së Mbrojtjes dhe të sektorëve të tjerë të sigurisë nuk lejohen të udhëtojnë më në njëqind vende të botës pa leje të posaçme. Agjencia e lajmeve Interfax njoftoi se të ndaluara janë udhëtimet në vende, që kanë nënshkruar marrëveshje ekstradimi me SHBA. Aty bëjnë pjesë jo vetëm vende si Gjermania, Britania dhe Izraeli, por edhe vende pushimi, si Egjipti dhe Turqia. Kështu që disa e vlerësojnë masën edhe si një program koniunkturor për zonat e pushimeve si Soçi, apo Krimea. Një deputet i Dumës shkruante në tweeter, se mijëra nëpunës do t'i kthejnë biletat e tyre, që i kanë blerë për pushimet në maj.

Aktivistët tërhiqen

Presidenti rus Vladimir Putin ka kritikuar me fjalë të qarta dhunën e re në Ukrainën lindore kundër aktivistëve prorusë. "Në qoftë se regjimi në Kiev ka filluar të përdorë ushtrinë kundër popullit brenda vendit, atëherë ky pa dyshim është një krim shumë serioz", tha Putin. Për të mbrojtur qytetarët e vet në Ukrainë Putin në muajin mars lejoi miratimin e një autorizimi parlamentar për veprime ushtarake në vendin fqinj.

Slovjansku ashtu si dhe rreth dhjetë vende të tjera të rajonit të Doneskut ndodhet prej ditësh në duart e grupeve proruse. Një prej aktivistëve prorusë foli për shtatë automjete të blinduara ukrainase në Slovjansk. Aktivistët sipas informacioneve të tyre janë tërhequr në pozicione mbrojtëse.

Putin po e Përagtit vendin për izolim
Putini po e Përagtit vendin për izolimFotografi: Sergei Chirikov/AFP/Getty Images