1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shkenca & Edukimi

Universiteti teknik i Mynihut- Universitet elitar

Universiteti Teknik i Mynihut ishte një nga tre universitetet e para elitare të Gjermanisë në vitin 2006. Fokusi i studimeve është në fushat e shkencave natyrore dhe teknike, por edhe në ekonomi, mjekësi dhe sport.

Universiteti teknik i Mynihut

Universiteti teknik i Mynihut

Mbreti Ludwig i II-të i Bavarisë e themeloi Universitetin e sotëm Teknik të Mynihut në vitin 1868 si shkollë politeknike. Ai është universiteti i vetëm teknik në Bavari dhe një nga shkollat e larta teknike më të mëdha në Gjermani.

Tradicionalisht të fortë: teknika dhe shkencat natyrore

Në Universitetin Teknik të Mynihut mund të zgjedhësh mes 130 degëve të ndryshme në 13 fakultete. Oferta shtrihet nga „Shkencat e Avancuara Materiale - Advanced Material Science“ deri tek „Shkencat inxhinierike“. Pikërëndesa e degëve janë shkencat tekniko-natyrore, por spektri i plotë i lëndëve përmbledh shkencat natyrore dhe teknike, mjekësinë dhe shkencat e jetës. Programi plotësohet me shkencat ekonomike dhe sport. Rreth 50% e studentëve janë të rregjistruar në shkencat inxhinierike.

Propelantët e gjelbër- Të përgatitur nga TU Mynih

Propelantët e gjelbër- Të përgatitur nga TU Mynih



Niveli i shkëlqyer është më shumë se shkencë dhe kërkim


Në iniciativën e ekselencës së TU Mynih bën pjesë synimi për të qenë një i ashtuquajtur „Universitet me karakter sipërmarrjeje - Entrepreneurial University“. Kjo do të thotë ndër të tjera që universiteti dallon jo vetëm me shkencëtarët e shkëlqyer, por i jep shumë rëndësi edhe menaxhimit të strukturës akademike - Corporate Management - i cili ofron kuadrin optimal për kërkime shkencore. Në këtë drejtim punohet me sistemin e menaxhimit të kampusit „TUMonline“, nëpërmjet të cilit studentët mund të rregjistrohen shpejt dhe thjesht në leksione dhe provime dhe mund të shtypin dëshmitë akademike.

Si universitet elite, TU Mynih kujdeset edhe për „sigurimin e karrierës“. Me vetëdije i kushtohet vëmendje nxënësve që përfundojnë shkollat e mesme dhe gjimnazet, për të nxitur bashkëpunimin. Nga ana tjetër edhe profesorët e dalë në pension duhet të vazhdojnë të mbeten të lidhur me universitetin, duke ofruar konsulencë apo duke marrë pjesë në aktivitete të tjera.

"TU 9 – Institutet Gjermane të Teknologjisë"

Bashkë me tetë universitete të tjera teknike TU Mynih bën pjesë në shoqatën "TU 9 – German Institutes of Technology". Në shoqatën ombrellë janë bashkuar nëntë universitetet më të mëdha teknike të qyteteve Ahen, Berlin, Braunshëajg, Darmshtad, Dresden, Hanover, Karlsruhe, Mynih dhe Shtutgart, për të përfaqësuar së bashku interesat e universiteteve të shkencave teknike dhe natyrore në Gjermani. Anëtarët e shoqatës njohin edhe diplomat e shkollave të tjera të larta teknike në Gjermani.

Në kuadër të një joint-venture me Universitetin Kombëtar të Singapurit, TU Mynih në vitin 2002 ka hapur një filial në Singapur: Institutin Gjerman të Shkencave dhe Teknologjisë (GIST - German Institute of Science and Technology).

Marrëveshje për diplomë të dyfishtë me më shumë se 20 universitete

Studentët në TU Mynih studiojnë në institute të ndryshme në rajon brenda dhe përreth Mynihut. Tri institutet kryesore janë kampusi në qendër të Mynihut, kampusi i ri në Garching dhe instiutet në Weihenstephan. Rreth 20% e 25.000 studenteve dhe studentëve të regjistruar këtu, vijnë nga jashtë për të studiuar në Mynih. Për ta marrëveshjet për diplomë të dyfishtë, që Universiteti Teknik i Mynihut ka me rreth 20 shkolla të larta teknike brenda dhe jashtë Gjermanisë, janë me interes të veçantë. Veç kësaj Universiteti Teknik është i lidhur në marrëdhënie partneriteti me më shumë se 150 shkolla të larta në të gjithë botën.


Autorin: Svenja Üing / Eliana Xhani
Redaktoi: Aida Cama