1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

USHT - Institucion multikulturor

Mimoza Cika-Kelmendi31 Maj 2013

Universitetit Shtetëror i Tetovës ka kaluar shumë sfida në rrugën e tij prej gati 20 vjetësh. Por një nga synimet kryesore mbetet integrimi europian i të rinjve dhe zhvillimi i një ambjenti multikulturor.

https://p.dw.com/p/18hOQ
Ndërtesa e re e Universitetit të TetovësFotografi: DW

Rruga qysh prej vitit 1994 kur u hodhën themelet e USHT nuk ka qenë e lehtë. Ky institucion mbi të gjitha ka rritu nga viti në vit kualitetin shkencor akademik dhe studimor duke u mbështetur në standartet evropiane dhe ka trefishuar bashkëpunimin me universitetet në rajon dhe më gjerë. Por universiteti, duke qenë institucioni i vetëm i arsimit më të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë i kushton shumë rëndësi edhe përgatitjes së të rinjve në procesin e integrimit europian. Sipas Rektorit të Universitetit, prof. dr. Vullnet Ameti fillimisht është punuar që ky universitet edhe pse strukturë e re shkencore, të plotësojë pikërisht standartet bashkëkohore evropiane.

“Fillimisht u morëm me stabilizimin e Universitetit në rrafshin edukativ-arsimor, hulumtues - shkencor dhe infrastrukturor. Janë organizuar dhjetëra konferenca me karakter ndërkombëtar me disa universitete partnere nga rajoni, nga Turqia dhe Austria. Janë arritur një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare me shumë universitete vendore, rajonale dhe evropiane si me: Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Universitetin e Tiranës dhe Prishtinës, Zagrebit, Gracit, Manhajmit, Shtutgartit, me Universitetin e Trakisë, Ankarasë, Stambollit, Ulludagut në Republikën e Turqisë, Plovdivit, Veliko Tërnovo (Bullgari), Universitetin e Kalabrisë në Itali, Universitetin Jamk në Finlandë, Universitetin e Anglisë Lindore në Angli, me Universitetin Xhon Majson në SHBA, dhe kështu me radhë”, thotë për Deutsche Welle, Rektori Ameti.

Vullnet Ameti
Prof.Dr. Vullnet Ameti - Rektori i Univeristetit Shtetëror të TetovësFotografi: DW

Studentët të angazhuar për një bashkëjetesë paqësore

Por edhe vetë të rinjtë në përgjithësi e ndjekin me interes procesin e integrimit evropian dhe janë të etshëm, që Maqedonia sa më shpejt të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane. Një faktor me shumë rëndësi në procesin e integrimit europian është edhe bashkëjetesa paqësore mes qytetarëve që e bën edhe më të shkurtër rrugën e Maqedonisë për ne BE. Këto universitete janë pikërisht institucionet më të përgjegjshme për këtë mision ndaj rinisë dhe këtë sfidë, USHT tashmë e ka bërë të vetën. Në fokus stafi dhe studentët po punojnë me shumë përgjegjësi për te pasur një shoqëri studentore multikulturore te shëndoshë dhe një rini të aftë për të marrë fatin e vendit që aspiron për tu bërë pjesë e BE-së.

USHT me projekte multietnike

Journalismus-Studenten an der Universität Tetovo
Një grup studentësh nga USHTFotografi: DW/M. Kelmendi

“USHT-ja është një universitet shqipfolës në Republikën e Maqedonisë, por dyert janë të hapura për të gjitha bashkësitë dhe komunitetet që jetojnë në këto treva, mundësitë e studimit janë të barabarta si për shqiptarët, ashtu edhe për maqedonasit, serbët, turqit, bullgarët, vllahët, romët. Kjo mundëson zhvillimin e një fryme multietnike dhe të një bashkëjetese ndëretnike brenda universitetit tonë, por që reflektohet edhe në mbarë spektrin shoqëror në Republikën e Maqedonisë. Këtë e dëshmojnë shumë projekte me karakter multietnik, që USHT-ja i ka realizuar deri më tani. Nga ana tjetër, Marrëveshja Kornizë e Ohrit paraqet një sfidë të rëndësishme për Universitetin Shtetëror të Tetovës, sepse arritja e kësaj Marrëveshjeje ishte dhe vazhdon të jetë garanci e paqes, e stabilitetit dhe bashkëjetesës së komuniteteve në Republikën e Maqedonisë. Dhe natyrisht, synimi parësor i USHT-së është që gjeneratat e reja të edukohen në frymën e bashkëjetesës, tolerancës dhe demokracisë, sepse vetëm në këtë mënyrë e ardhmja e Maqedonisë do të jetë e sigurt në familjen e madhe evropiane”, thotë më tej për DW rektori Ameti.

Por si e konceptojnë vetë studentët integrimin europian?

Për studenten Haxhere Zenuni, nga dega e gazetarisë ” Integrimi i një shoqërije do të thotë zhvillim. Shoqëria jonë që po përjeton akoma një periudhë tranzicioni ka nevojë për pranimin e vlerave demokratike të vendeve më të zhvilluara dhe integrimin në strukturat e tyre. Universitetet tek ne, përfshirë edhe USHT, duhet të reduktojnë mundësitë për korrupsion dhe abuzime. Kjo do të bënte të mundur krijimin e shumë kushteve për punë praktike dhe mundësi për shkëmbim eksperiencash me profesorë dhe studentë nga vendet e huaja”.

Haxhere Zenni
Haxhere Zenuni, studente në degën e gazetarisë në USHTFotografi: DW/M. Kelmendi

Një tjetër faktor i rëndësishëm në integrimin e të rinjve në Universitet është përgatitja e tyre në frymën e kritereve bashkëkohore evropiane. Sipas Dr. Aurora Karameti stafi i pedagogëve e justifikon më së miri këtë, pasi shumë prej tyre vijnë nga studimet apo specializimet në auditoret perëndimore. Këtë fakt ajo e sheh edhe si privilegj për studentët e këtij universiteti.

USHT - ofertë për studentët e gjithë rajonit

"Ne si pedagogë punojmë në frymën e kritereve bashkëkohore si në aspektin akademik ashtu edhe në atë pedagogjik. Mundohemi që të japim më të mirën për studentët duke gërshetuar përvojën tonë profesionale me kërkimin shkencor. Synimi ynë është të ndërtojmë planprograme të barazvlefshme me ato të kolegëve tanë, kryesisht perendimore, dhe këto planprograme ti zbatojmë paralelisht sipas metodologjisë bashkëkohore të mësimdhënies. Njohja e disa gjuhëve të huaja prej secilit prej nesh, si gjermanisht, italisht, anglisht, frëngjisht, bullgarisht, etj. na ndihmon të jemi në kontakt me zhvillimet e fundit nga bota dhe rajoni. Konkretisht, sapo kemi përfunduar Programin e ri të Studimeve Master ne Gazetari dhe Media të cilin presim ta akreditojmë dhe ta vëmë në jetë vitin e ardhshëm akademik, pra këtë tetor. Në këtë kuadër, USHT, është për mua oferta më e mirë për studentët e Gazetarise dhe Medias dhe dyert tona janë të hapura për studentët nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, rajoni dhe diaspora“, thotë Dr.Karameti për Deutsche Wellen.

Aurora Karameti Lektorin Universität Tetovo
Dr. Aurora Karameti, pedagoge në USHTFotografi: Mimoza Kelmendi

Studenti Enver Bogdani e sheh me sy kritik këtë proces në një shoqëri që ka probleme për të pranuar standartet që kërkon Bashkimi Europian.

Enver Bogdani Student Tetovo Mazedonien
Enver Bogdani , student në USHTFotografi: privat

“Që të jesh i integruar në rradhe të pare duhet të respektosh parimet siç është demokracia, emancipimi i individit në shoqeri, si dhe siguria.
Që të bëhesh pjesë e këti procesi duhet një demokraci e përparuar dhe një administrate publike e pakorruptuar. Por fatkeqësisht në shoqërinë tonë procesi i integrimit kuptohet si akt i përfunduar dhe jo si proces në zhvillim dhe këto koncepte të gabuara na pengojne më së shumti për të qenë më afër me familjen e madhe europiane”.

USHT në rrugë të mbarë

Kjo është edhe arsyeja pse studentët në Univeristetin e Tetovës janë optmistë që përmes integrimit të tyre europian, rruga drejt BE-së është më e lehtë për gjithë Maqedoninë. Studentja Adrijana Velija e vlerëson edhe më shumë këtë proces. „Integrimi do të sillte edhe një emancipim më të lartë të shqërisë sonë në Maqedoni dhe veçanërisht të shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Sepse nëpërmjet këtij procesi nënkuptojmë një bashkupunim më të madh dhe më efikas me vendet e tjera në rajon dhe me perëndimin. Mendoj se Universiteti Shtetëror i Tetovës kohëve te fundit po punon shumë në drejtim të një bashkëpunimi më konkret me shume universitete botërore dhe ky është një tregues i rëndësishëm i fillimit të procesit integrues. Këto hapa kanë hapur dritën e gjelbërt për ne dhe mendoj se edhe Universiteti ynë është në rrugë të mbarë“ sikurse e gjithe shoqëria për të arritur atë që kërkon BE“, thotë studentja Adriana Alija“.