1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Universitetet private në Gjermani

Svenja Üing / Eliana Xhani14 Shkurt 2014

Universitetet private në Gjermani me spektër të gjerë degësh nuk kanë shanse aq të mira sa ato me ofertë të fokusuar. Volker Meyer Guckel nga Shoqata për Promovimin e Shkencës në Gjermani, tregon arsyet.

https://p.dw.com/p/1B8Bu
Campus der Jacobs-University in Bremen
Fotografi: Jacobs University Bremen

Nga njëra anë universiteti privat Jacobs University në Bremen lufton për ekzistencë. Nga ana tjetër universitetet privale në landin me popullsi të madhe Nordrhein-Westfalen, njoftuan së fundi se numri i studentëve të tyre është dyfishuar gjatë pesë viteve të fundit. Pra tek disa frikë për ekzistencë, dhe tek të tjerët suksese. Dr.Volker Meyer-Guckel është zv/sekretar i përgjithshëm i Shoqatës për Promovimin e Shkencës në Gjermani dhe e vëzhgon prej vitesh peisazhin e universiteteve private në Gjermani. Në intervistë me Svenja Üing ai shpjegon arsyet për premisat e ndryshme për sukses.

DW: Dr. Meyer-Guckel, si e shpjegoni ju diskrepancën mes frikës për ekzistencë dhe sukseseve në shkollat e larta private në Gjermani?

Dr. Volker Meyer-Guckel: Kjo varet nga modelet e ndryshme të biznesit dhe grupet e synuara nga universitetet private. Pjesa më e madhe e universiteteve private, që themelohen në nivel shkolle të lartë profesionale, janë shumë të suksesshëm. Këto institucione me ofertën e tyre të studimeve shpesh plotësojnë atë kërkesë që nuk e plotësojnë universitetet shtetërore. Për shembull ata ofrojnë degë studimi në profesione të shëndetësisë, të cilat më parë nuk kanë qenë akademikë por që po bëhen tani të tillë. Pastaj kemi shkollat e tjera të larta private të cilat kanë një ofertë të gjerë degësh dhe duan të japin mësim dhe të kryejnë studime shkencore në nivel universiteti. Ato e kanë më të vështirë, pasi kjo kushton më shtrenjtë.

DW: Si do ta përshkruanit ju një shkollë të lartë tipike private, që ka sukses?

Meyer-Guckel: Pjesa më e madhe e shkollave të larta private të suksesshme kanë një spektër degësh dhe grupe të synuara të përcaktuar qartë, dhe janë të krahasueshme me të ashtuquajturat "schools" në SHBA. Këto shkolla të larta private në Gjermani ofrojnë për shembull degë të veçanta në ekonomi, shëndetësi apo politika publike. Bëhet fjalë për oferta kompakte me një fokus shumë të mirë dhe një grup të synuar studentësh të përcaktuar qartë. Kjo fuksionion mirë edhe në Gjermani.

Volker Meyer-Guckel, stellvertretender Generalsekretär Stifterverband für die Deutsche Wissenschaft
Volker Meyer Guckel nga Shoqata për Promovimin e Shkencës në GjermaniFotografi: Bussenius&Reinicke/Stifterverband/StandOut

DW: Cila formë e financimit është veçanërisht e suksesshme?

Meyer-Guckel: Taksat e studimit mund të mbulojnë në Gjermani vetëm një pjesë të financimit. Ka vetëm pak shkolla të larta private në Gjermani që mbështeten vetëm në taksat e studimit. Shumë institucione janë të varur nga filantropë të mëdhenj, p.sh. Hertie School of Governance në Berlin dhe Universiteti Zeppelin në Friedrichshafen. Në këtë rast emrat e donatorëve janë edhe në emrat e shkollave. Por ka edhe modele të cilët punojnë me shumë sukses me studimin në distancë "e-learning", që financohet me taksat e studimit dhe kanë kërkesë të lartë.

DW: Si është në Gjermani mbështetja nga ish studentetët?

Meyer-Guckel: Kjo është një fushë ku duhet punuar. Lidhja mes shkollës së lartë dhe ish studentëve këtu në Gjermani, kushtëzuar nga kultura, nuk ka ende një traditë të fortë si në vendet anglo-saksone. Por edhe këtu Gjermania po rekuperon. Dhe shkollat e larta private kanë një lloj avantazhi në sigurimin e mbështetjes nga ish studentët pasi raporti mes stafit mësimdhënës dhe studentëve, sa i takon kujdestarisë, është më i mirë.

DW: Por edhe universitetet shtetërore vitet e fundit janë bërë më fleksibël dhe të aftë për konkurrencë në sajë të hapjes. Në këto kushte a ka nevojë Gjermania për shkolla të larta private?

Meyer-Guckel: Përgjigja ime do të ishte ajo e tregut: nëse nuk do të ishin të nevojshme nuk do të ekzistonin. Gjithsesi në Gjermani janë 113 shkolla të larta private. Kjo tregon se megjithë fleksibilitetin e universiteteve shtetërore, ka ende pjesë tregu, të cilat plotësohen nga shkollat e larta private, me një kujdestari më të mirë për studentët, oferta të fokusuara dhe kuotë relativisht të ulët të studentëve që ndërpresin studimet.

DW: Sa e madhe është konkurrenca mes shkollave të larta private dhe atyre shtetërore në Gjermani?

Meyer-Guckel: Edhe këtu përgjigjen e japin shifrat. Gjithsej në shkollat private në Gjermani studiojnë vetëm 3 për qind e gjithë studentëve. Kjo shifër mund të rritet por në Gjermani shkollat e larta private nuk do të luajnë kurrë një rol aq të rëndësishëm sa për shembull në SHBA.