1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Universitetet dhe nazizmi: Shkencëtarët e bindur të Hitlerit

ABianca Schröder/Angjelina Verbica15 Prill 2014

Universitetet gjermane kanë qenë të përfshira thellë në krimet naziste. Një projekt për t'u përballur me të shkuarën është "GeDenkOrt.Charité" në klinikën Charité në Berlin.

https://p.dw.com/p/1BiB5
Shtylla komemorative në klinikën Charité në Berlin
Shtylla komemorative në klinikën Charité në BerlinFotografi: Charité/Wiebke Peitz, 2013

Moritz Borchardt, pioner i neurokirurgjisë, Paul Lazarus, bashkëthemelues i sektorit të studimeve mbi rrezatimin, Wilhelm S. Feldberg, studiues i njohur i trurit, - të gjithë ishin punonjës të vlerësuar në Charité, derisa klinika i përjashtoi nga puna si hebrenj në vitin 1933. Biografitë e tyre dhe të tjera si ato gjenden në një shtyllë komemorative, që ka ngritur Charité, klinika më e madhe universitare e Europës, para disa ditësh. Shtylla është pjesë e një projekti të madh me titull GeDenkOrt.Charité.

E kemi vrarë mendjen, se si do t'i përkujtojmë në të ardhmen punonjësit e përndjekur, shpjegon kryetari i bordit të klinikës, Karl Max Einhçupl: "Ne duam që ta lidhim të gjithën me një pjesë muzeale, që të shërbejë si mësim për studentët e rinj, për mjeket dhe mjekët e rinj. Ata duhet ta vrasin mendjen se si është e mundur që si mjek të përfshihesh apo ta lësh veten të përfshijnë në krime të tilla." Për tre vitet e ardhshme janë planifikuar edhe projekte shkencore, krijimi i një katedre me profesorë të ftuar, ligjërata të ndryshme dhe aktivitete në relacion me publikun.

Vonesa në përballjen me të shkuarën naziste të universiteteve

Charité nuk është i vetmi institucion kërkimor, që merret tani sistematikisht me rolin e tij në epokën e nazizmit. Edhe pse që në vitet 70-të ka patur studime mbi universitetet, ata ishin më tepër meritë e angazhimit individual të shkencëtarëve. Vetëm që nga fundi i viteve 90-të universitetet janë bërë vetë aktive.

Përse kaq vonë? Historiani nga Berlini Rüdiger vom Bruch, i cili merret prej shumë vitesh me të kaluarën naziste të shkollave të larta gjermane, ka një shpjegim: "Kemi pasur të bëjmë me personalitete të nderuara dhe për këtë shkak ka munguar guximi për të shtruar pyetje. Një pikë, që e hasim shpesh në të gjitha degët e mundshme, është se figurat e ndritura të një dege, që dukej se nuk kishin të bënin aspak me nazizmin, ishin shumë më të prekura, se sa mund të mendohet."

Shkenca është mbajtur për kohë të gjatë me legjendën, se nuk ishte përzier me ideologjinë naziste. Por shumë shkencëtarë treguan që herët simpati për nazistët dhe u vunë në shërbim të regjimit. Edhe në Charité u bënë studime racore, eksperimente me njerëz dhe sterilizime të detyruara. Një nga institucionet e para shkencore, që ngriti një grup punë për të shqyrtuar të kaluarën e vet, ishte shoqata Max-Planck në vitin 1997.

Presion publik si motivues

"Ky qe një hap shumë i rëndësishëm. Më vonë edhe institucione dhe sipërmarrje të tjera thanë, edhe ne duam të ballafaqohemi me të kaluarën. Kjo nuk erdhi patjetër nga ndjesia e fajit personal, por sepse sulmet publike ishin bërë aq të forta, saqë thanë është më mirë të kërkojmë hetimin neutral apo të paanshëm të historianëve të spezializuar."

Historiani i mjekësisë Udo Schagen nga sektori i historisë mjekësore në Charité është përgjegjës për projektin GeDenkOrt.Charité. Për kolonat përkujtimore ai ka mbledhur emrat e punonjësve të Charité, të cilët u refuzuan, u pushuan dhe u dëbuan. Hulumtimet nuk kanë përfunduar ende, thotë Schagen. Për fatin e infermirëve dhe sanitarëve hebrenj nuk dihet shumë, për mjekët, studjuesit dinë më shumë. Kështu shumica e tyre falë burimeve financiare dhe lidhjeve personale mundi të ikë jashtë vendit.

Një fillim i ri në profesion nuk ishte i lehtë, thotë Schagen: "Ata shpesh mbërritën në vende, ku nuk mund ta ushtronin profesionin e mjekut, disave u është dashur të studionin edhe një herë, disave të jetonin në varësinë e njerëzve të tjerë."

Mjekësia dhe etika

Askush nga mjekët jo-hebrenj nuk guxonte të dilte haptazi kundër nazistëve. Çfarë i shtyn mjekët, që të bashkëpunojnë me regjimin kriminal? Vetë shkencëtarët e njohur të Charité si kirurgu Ferdinand Sauerbruch, apo psikiatri Karl Bonhoeffer mbështetën aspektet qendore të politikës mjekësore naziste si sterilizimi i detyruar, apo eksperimentet me njerëz në kampet e përqëndrimit.

Fakti që sot studentët ballafaqohen me sjelljen e mjekëve në Rajhun e Tretë, është për shefin e Charité Karl Max Einhçupl një pjesë e rëndësishme e arsimimit në etikën mjekësore. "Ne jemi të bindur se shkelje të tilla fillojnë me një devijacion të normave etike. Devijime të tilla të normave etike ndodhin edhe në shumë fusha të mjekësisë. Duhet kuptuar shumë heret se ky mund të jetë hapi i parë drejt një zhvillimi, që në rrethana të caktuara mund të marrë edhe dimensione historike, siç ka qenë rasti në Rajhun e Tretë."

Prandaj projekti GeDenkOrt.Charité nuk duhet të kujtojë vetëm të dëbuarit, por t'u shërbejë si paralajmërim dhe një brezi të ri të mjekëve.