1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukraina lufton kundër falimentimit

Roman Gonçarenko25 Mars 2015

Ukraina përpiqet të shpëtojë ekonominë e saj të dërmuar me kursime dhe kredi të reja. Por nga inflacioni i lartë dhe rritja e çmimeve të rrymës dhe gazit varfërohen gjithnjë e më shumë njerëz.

https://p.dw.com/p/1ExGB
Fotografi: picture-alliance/RIA Novosti/Andrey Stenin

Ukraina të kujton pacientin në stacionin intensiv. Zemra rreh ende, por nga plagët e hapura rrjedh gjak. Që prej më shumë se një viti vendi lufton në dy fronte njëkohësisht: ushtarakisht kundër separatistëve prorusë dhe ekonomikisht kundër falimentimit shtetëror.

Sidomos në frontin ekonomik Kievi ka nevojë për ndihmën e perëndimit. Deri në 40 miliardë dollarë amerikanë dëshiron të marrë qeveria nga jashtë në vitet, që do të vijnë. Gati gjysmën e kësaj shume do ta japë Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Kur FMN vendosi në fillimin të marsit zgjerimin e kredive të saj të ndihmës, gëzimi në Kiev ishte i madh. Deri në vitin 2018 Ukraina do të marrë 17,5 miliardë. Pjesa më e madhe e kësaj shume, dhjetë miliardë, është planifikuar për këtë vit.

Me shpresë për kreditorë të dhembshur

Një pjesë e parave Ukrainës i nevojitet për të paguar kreditë e mëparshme. Vetëm Rusia pret deri në fund të vitit tre miliardë dollarë amerikanë. Kievi do të negociojë tani me Moskën për shtyrjen e shlyerjes, shanset e suksesit nuk janë aspak pozitive.

Në mes të marsit ministrja ukrainase e Financave Natalia Jaresko shkoi në SHBA, për të zhvilluar bisedimet e para me kreditorët. Bisedime janë planifikuar edhe në Londër. Kievi do t'i kthejë më vonë borxhet dhe preferon t'i përdorë miliardat perëndimorë për investime në ekonominë e vet.

Gazi në Ukrainë do të shtrenjtohet 208%
Gazi në Ukrainë do të shtrenjtohet 208%Fotografi: AFP/Getty Images/S. Supinsky

Por FMN vendos si kusht për ndihmën financiare reforma radikale, mes të tjerash edhe rritjen të dhimbshme të çmimit të energjisë për familjet. Në dimër Kievi nuk mundi të rrisë tarifat duke marrë parasysh atmosferën gjithsesi negative në popull.

Çmimet e energjisë eksplodojnë

Rryma është shtrenjtuar 40% që nga 1 marsi. Tani edhe shpenzimet për ngrohje do të rriten rreth 60 përqind. Një rritje të madhe do të pësojë çmimi i gazit. Drejtorja e Bankës Kombëtare të Ukrainës, Valeria Hontareva, deklaroi se tarifat për gazin do të rriten me 280 përqind.

Popullsia ukrainase ndjek me shqetësim lajmet për rritjen e çmimeve. "A mos vallë nuk duhet të ha më?", pyet pensionisti Valeri nga Kievi dhe përpiqet të buzëqeshë, por zëri e tradhëton se është i dëshpëruar. Ai përfiton një pension prej rreth 40 eurosh.

Për shkak të rritjes së inflacionit ai mund të blejë gjithnjë e më pak me këto para. Deri tani qeveria në Kiev kishte llogaritur një përqindje inflacioni prej rreth 13 përqind. Tani ajo e ka korrigjuar parashikimin dhe pret një përqindje dyfish më të lartë. Parlamenti e ka përshtatur ligjin e buxhetit me prognozën e re.

Monedha kombëtare hryvnja në rënie rekord

Që nga fundi i vitit 2013 Ukraina ndodhet gati në prag të bankrotit shtetëror. Atëherë qeveria e presidentit prorus Viktor Janukoviç pranoi se thesari i shtetit ishte bosh. Pas ndryshimit të pushtetit në Kiev dhe shpërthimit të konfliktit të armatosur në Ukrainën lindore, situata është përkeqësuar në mënyrë dramatike.

Hryvnja po e humbet gjithnjë e më shumë vlerën
Hryvnja po e humbet gjithnjë e më shumë vlerënFotografi: Fotolia/Sergey Kamshylin

"Për shkak të luftës në Ukrainë nuk vijnë investorë", pohon për DW Robert Kirchner nga grupi i këshilltarëve gjermanë pranë qeverisë ukrainase. Edhe valuta shtetërore hryvnia po e humbet shpejt vlerën.

Në fund të dhjetorit qeveria në Kiev planifikoi që kursi i dollarit amerikan në mesataren vjetore të jetë 17 hryvnia. Dy muaj më vonë ky parashikim duhet rishikuar në ngjitje, në 21 hryvnia. Por edhe ky tashmë është tejkaluar. Një dollar amerikan kushton tashmë në zyrat e këmbimit në Kiev më shumë se 30 hryvnia.

Sikur kjo të mos mjaftojë, ndërsa nga njëra anë çmimet rriten, qeveria në anën tjetër do që të shkurtojë shpenzimet sociale. Pensioni minimal për shembull nuk do të ngrihet para dhjetorit 2015. "Pas votimit të parlamentit për buxhetin e ri ukrainasve do t'u duhet të shtrëngojnë edhe më shumë rripin", thotë ekonomisti nga Kievi Andrij Novak në bisedë me DW. "Një pjesë e madhe e popullsisë do të jetojë përtej kufirit të varfërisë."

Jo vetëm pensionistët dhe njerëzit me të ardhura të ulëta janë të shqetësuar se mund të bien në varfëri. Edhe ata, që fitojnë më mirë, janë të shqetësuar, si për shembull familja e Ihor Savçuk-ut, që ka një biznes të vogël. "Ne jemi duke menduar që të instalojmë një kazan për ngrohje me biomasë, por ai është shumë i shtrenjtë", thotë Ihor. "Ose duhet të reduktojmë në minimun konsumin e gazit."

Në Ukrainë njerëzit grumbullojnë paraprakisht ushqime
Në Ukrainë njerëzit grumbullojnë paraprakisht ushqimeFotografi: DW/L. Rzeutskaya

Lufta si rrezik i pakalkulueshëm

Vëzhguesit në Kiev pyesin veten, se si mund të ndikojë në frymën në vend gjendja gjithnjë e më e vështirë ekonomike. Një e treta e popullsisë është e gatshme të rezistojë edhe një vit, vetëm në rast se do të ketë reforma. Kjo rezultoi nga një sondazh, që zhvilloi Qendra Razumkov, një institut studimor në Kiev. Por gati po kaq shumë ukrainas, 29 përqind, nuk duan të durojnë rënien e mëtejshme. Ata mendojnë se situata e tyre është tashmë gjithsesi e padurueshme.

Lufta është kthyer në një rrezik të pallogaritshëm. "Nëse konflikti zgjat, qeveria do të duhet që të rillogarisë sërish shpenzimet e saj ushtarake dhe pagesat për kreditorët e huaj", thotë Andrij Novak. I këtij mendimi është edhe Robert Kirchner: "Vetëm kur të përfundojë lufta, do të mjaftojnë paratë."

Por deri tani paqja e qëndrueshme në Ukrainën lindore duket e pamundur. Shumë vëzhgues mendojnë se në pranverë do të ketë luftime të reja ndërmjet separatistëve prorusë dhe ushtrisë ukrainase.