1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trinkwasser Wasserzugang

22 Mars 2010

Pjesa më e madhe e sipërfaqes së tokës është me ujë. Por vetëm 0,003 për qind e sasisë së përgjithshme të ujit është në dispozicion për njerëzit. Gati një e treta e popullsisë së botës nuk ka qasje të mjaftueshme.

https://p.dw.com/p/MZDC
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Pjesa më e madhe e sipërfaqes së tokës është me ujë. Sipas kësaj mbi tokë ka ujë me bollëk. Megjithatë 97,5 për qind e tij është ujë deti dhe ujë i kripur. Vetëm 2,5 për qind e sasisë së përgjithshme është ujë i ëmbël. Nëse nga kjo sasi zbritet edhe uji i shndërruar në akull dhe akullnaja atëherë ujë i dobishëm për njerëzit mbetet vetëm 0,003 përqind e burimeve të përgjithshme. Gati një e treta e popullisë së botës nuk ka qasje të mjaftueshme në ujë të pijshëm. Ndërkaq pjesa tjetër e ujit është e shpërndarë në mënyrë të pabarabartë.

Rreth 1,1 miliardë njerëz në botë sot nuk kanë qasje të mjaftueshme në ujin e pijshëm dhe rreth 2,6 miliardë, gati një e treta e popullisë së botës, ka në dispozicion vetëm një sasi të vogël të ujit sa për të përmbushur nevojat themelore sanitare. Prandaj një prej objektivave të Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara është që deri në vitin 2015 të përgjysmohet numri i atyre, që nuk qasje të mjaftueshme në ujin e pijshëm.

Äthiopien Kinder füllen Kanister mit Trinkwasser
Vajza duke mbushur ujë në provincën Amhara në EtiopiFotografi: picture-alliance/dpa

Sipas të dhënave të Zyrës Federale për Statistika për vitin 2008 konsumi direkt për kokë të banorit në Gjermani ishte rreth 122 litra në ditë. Në Itali janë 800 litra për person. Në të vërtetë konsumi indirekt i ujit është shumë më i lartë. Tek konsumi indirekt llogaritet edhe sasia e ujit për prodhimin e mallrave ushqimore dhe produkteve të tjera. Para së gjithash bëhet fjalë për produkte, për prodhimin e të cilave nevojitet shumë ujë si pambuku, orizi, ose kafeja. Kështu sipas një studimi të organizatës për mbrojtjen e natyrës World Wide Fund for Nature (WWF) çdo qytetar gjerman harxhon në ditë 5000 litra ujë. Megjithatë gjysma e sasisë së këtij uji shpenzohet jashtë shtetit edhe në rajone, të cilat vuajnë nga mungesa e ujit.

Edhe pse uji është në parim një burim i ripërtrishëm prapëseprapë ky lëng i çmuar në shumë vende është në sasi të pamjaftueshme dhe me cilësi jo aq të mirë. Shkaqet kryesore janë rritja e kërkesës dhe njëkohësisht pakësimi i rezervave ekzistuese. Shtimi i popullisë dhe rritja e standardeve të përgjithshme jetësore rrisin edhe kërkesat globale. Jo më pak kanë ndikim edhe pasojat e ndryshimeve klimaterike dhe ndotjes së ambientit.

Installation von Trinkwasser in Sri Lanka
Instalim i ujit të pijshën në Sri LankaFotografi: picture-alliance/ dpa

Vetëm disa rajone në mbarë botën vuajnë nga varfëria kronike e ujit. Këtu bëjnë pjesë zona e Sahelit në Afrikë, Lindja e Mesme dhe disa pjesë të Azisë. Shumë vende në zhvillim përballen me mungesën e ujit ekonomik. Për shkak të mungesës së kapaciteteve financiare dhe institucionale sasia e ujit nuk mund të shfrytëzohet në mënyrë efikase. Në shumë raste mungojnë sistemet e duhura të ujësjellësve, ose teknologjitë efikase për përpunimin e ujit.

Në disa rajone të botës mungesa e ujit është shkak i konflikteve të brendshme. Kështu për shembull cilësia e dobët e ujit dhe si pasojë dëmtimet e shëndetit ka shkaktuar trazira sociale në Azinë Qendrore. Në veri të Kenias dhe në Darfur për shkak të mosmarrëveshjeve për burimet e ujit ka pasur përleshje mes fermerëve dhe nomadëve. Në nivelin ndërshtetëror është arritur që kjo çështje të zgjidhet përmes konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtën e shfrytëzimit të lumenjve. Deri tani kjo marrëveshje është ratifikuar vetëm nga 16 prej 35 shteteve të nevojshme. Megjithatë ka shembuj pozitivë për zgjidhjen e konflikteve mes shteteve për ujin. Marrëveshja indiane në mes të Pakistanit dhe Indisë e arritur në vitin 1960 vazhdon të rregullojë ende shfyrtëzimin e ujit të lumenjve indianë dhe degëve të tyre.

Daniel Scheschkewitz/Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Angjelina Verbica