1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të riatdhesuarit ëndërrojnë për kthimin në Gjermani

Bahri Cani10 Prill 2013

Në tri vitet e fundit nga Gjermania dhe vendet e tjera evropiane janë kthyer në Kosovë rreth 2500 kosovarë, që kanë jetuar gjatë në këto vende. Shumica prej tyre janë romë, ashkali dhe egjiptianë.

https://p.dw.com/p/18CvK
Fotografi: Bahri Cani

"Urra, ne do të kthehemi në Gjermani!" Gëzimi në fytyrën e Adnanit tetëvjeçar u shtang shpejt, kur mori vesh se në dyert e tij nuk po trokasin autoritete nga Gjermania, por "vetëm një gazetar". Adnani së basku me vëllain e tij 12-vjeçar Senjurin dhe nënën Vesvije Osmani, janë dëbuar nga Gjermania në Kosovë në shkurt të këtij viti. Ata kanë jetuar në Lüchow-Dannenberg të landit të Saksonisë së Poshtme.

"Në orën pesë të mëngjesit erdhi policia dhe autoritetet për të huajt në shtëpinë time. Unë isha në gjumë, sepse gjithmonë më duhet të marr ilaçe për qetësim. Erdhën shumë njerëz: Autoritetet për të huajt, policia, një mjek... dhe na thanë: 'Paketoni gjërat shpejt, sepse duhet të ktheheni në Kosovë. Unë u thash që atje s'kemi asgjë. Por ata thonin se këtu do ti keni të gjitha... na dërguan në aeroport dhe brenda ditës erdhëm këtu... këtu është shumë keq!" 45-vjeçarja Vasvije Osmani, nënë e tetë fëmijëve, nuk mund t'i përmbajë lotët. "Mi sjell ilaçet për qetësim", kërkon me lot në sy nga djali i saj i vogël, Adnani.

Së bashku me dy fëmijët më të vegjël, ajo ka pasur kohë vetëm sa të paketojë gjërat më të domosdoshme, dhe ata janë ekstraduar menjëherë për në Kosovë. Nga Gjermania në aeroportin e Prishtinës, e nga atje në lagjen e romëve në Mitrovicë.

Ndarja e familjes Osmani

Djali i saj 16 vjeçar, Haliti, në mëngjesin e dëbimit të familjes Osmani nga Gjermania nuk ishte në shtëpi. Rastësisht, sepse ai kishte shkuar me shokë në një ndeshje futbolli të ekipit të tij dhe kishte vendosur të buaj tek një shok. Pasi si adoleshent, nuk mund të mbetet i vetëm në Gjermani, autoritetet kanë vendosur që nga dëbimi të kursejnë edhe babain Zeki Osmani. Ndërsa Vasvija me dy fëmijë të tjerë u dëbuan. Në këtë mënyrë, familja Osmani u nda për të dytën herë, sepse autoritetet gjermane i kanë dekstraduar nga Gjermania tre djem më të mëdhenj të familjes Osmani para rreth një viti.

Familja Osmani: "Këtu s'kemi asgjë"
Familja Osmani: "Këtu s'kemi asgjë"Fotografi: Bahri Cani

Vasvija tani jeton në një banesë të marrë me qira në lagjen e romëve, së bashku me pesë djemtë. Ata kanë në dispozicion dy dhoma, por shpesh të gjithë flenë në një dhomë, siç thonë, nga frika prej policisë dhe nga frika e plaçkitjeve. "Këtu janë të gjithë të varfër dhe mendojnë se ne kemi para, pasitani kemi ardhur nga Gjermania", thotë Adnani.

Banesa e tyre është vetëm 200 metra larg vendit ku familja Osmani ka jetuar para 16 vitesh, para se të ikte në Gjermani. "Autoritetet gjermane më thoshin se unë i kam të gjitha në Kosovë. Më thoshin: ti e ke atje shtëpinë, i ke të gjitha, ndaj duhet të shkosh në Kosovë", shpjegon Vasvije. Disa minuta më vonë më lutet të shkojmë së bashku për të parë "shtëpinë dhe të gjitha që ka në Kosovë". Me dorë më tregon një vend ku tani kanë mbetur vetëm tre-katër gurë.

Bota e panjohur për fëmijët

Familja Osmani ka jetuar në Gjermani 16 vjet. Nga tetë fëmijët sa ka gjithsej kjo familje, tre më të vegjlit kanë lindur në Gjermani. Ata kanë shkuar rregullisht edhe në shkolla dhe nuk njohin asnjë gjuhë tjetër, përveç gjermanishtes dhe gjuhës rome. Në Gjermani kanë pasur një banesë me gjashtë dhoma.

Në këtë lagje jetojnë gati 1900 banorë: romë, ashkali dhe egjiptas. Në lagje shumë shpesh mund të dëgjosh gjuhën gjermane, sepse këtu janë vendosur shumë familje të ekstraduara nga ky vend. Dëbimi dhe largimi vullnetar i kosovarëve, pra edhe pjesëtarët e komunitetit RAE, është bërë i mundur pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Gjermanisë dhe Kosovës në vitin 2010. Prej vitit 2010 deri në shkurt të vitit 2013 në Kosovë janë dëbuar, apo kthyer, nga Gjermania rreth 2500 kosovarë. Shumica prej tyre janë dëbuar, dëshmojnë të dhënat e Ministrisë së Brendshme të Kosovës.

Lagja e romëve në Mitrovicë: "Të gjithë jetojnë më mirë se më parë"
Lagja e romëve në Mitrovicë: "Të gjithë jetojnë më mirë se më parë"Fotografi: Bahri Cani

Lagja e romëve në Mitrovicë është ndërtuar në këto vitet e fundit. Qyteti i Mitrovicës ka vënë në dispozicion rreth katër hektarë tokë. Ndërsa Komisioni Evrpian dhe USAID-i kanë investuar rreth pesë milionë euro, për ndërtimin e kësaj legjeje, e cila konsiderohet si një prej lagjeve më moderne e romëve në Ballkan. "Komuna e Mitrovicës është shembulli më i mirë i riatdhesimit të romëve dhe komuniteteve ashkali e egjiptas. Ata kanë këtu kushte jashtëzakonisht të mira. Kemi ndërtuar shtëpi dhe banesa dhe tani ata jetojnë shumë më mirë se dikur", thotë me krenari kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati.

Para katër vitesh këta dhe shumë romë të tjerë kanë jetuar në pjesën veriore të qytetit, në kushte jashtëzakonisht të rënda, jonjerzore. Dy kampet në veri ku kanë jetuar rreth 7000 deri në 8000 romë, ashkali dhe egjiptas, tani janë mbyllur.

"Nuk ka të dhëna zyrtare, por sipas të dhënave të përfaqësuesve të romëve, shumë prej atyre që kanë jetuar në kampe kanë shkuar në vende të tjera: në Gjermani, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni apo pjesë të tjera të Kosovës", shpjegon zëdhënësi i komunës së Mitrovicës, Ahmet Jashari. Por një pjesë e madhe e tyre janë sistemuar në këtë lagje të re. Kushtet në këtë lagje nuk mund të krahasohen kurrësesi me kampet, ku kanë jetuar më parë. Tani ata kanë shtëpi dhe banesa të reja, kanë një ambulancë, kanë një objekt për përgatitjen parashkollore, dyqane të shumta, rruga në lagje është gjithandej e asfaltuar...

"Ata kanë nevojë për një fillim të ri"

Me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare këtu janë organizuar projekte të ndryshme për integrimin edhe më të mirë të këtyre komuniteteve në shoqërinë kosovare. Janë organizuar dhe projekte dhe kurse për përgatitjen profesionale, që kanë mundësuar edhe punësimin e disa prej tyre. Megjithatë problemi më i madh i banorëve të kësaj lagjeje është papunësia. "Kur njerëzit kthehen nga vendet e tjera, ata kërkojnë banesa, shtëpi, vende pune. Ata kanë nevojë për një fillim të ri në jetën e tyre. Ne po përpiqemi që me ndihmën e qeverisë dhe autoriteteve ndërkombëtare t'u mundësojmë një rifillim sa më të mirë, por as ne nuk kemi shumë mundësi", thekson kryetari i bashkisë së Mitrovicës, Avni Kastrati.

Papunësia e përgjitshme në Mitrovicë është rreth 50 %. Kastrati shpjegon se komuna dhe qeveria e Kosovës kanë organizuar edhe projekte për mbështetjen e bizneseve të vogla me nga 2000 - 3000 euro për romët dhe komunitetet e tjera minoritare. Megjithatë as me këto mjete nuk mund të zgjidhet problemi i papunësisë, sepse nga ky fenomen nuk vuajnë vetëm romët, por të gjithë kosovarët.

Një prej problemeve të tjera shumë të mëdha për romët në Kosovë është edhe arsimi.Qeveria e Kosovës ka organizuar vitet e fundit edhe projekte për ndihmë në këtë sektor. Për të kthyerit nga Gjermania dhe vendet e tjera janë organizuar projekte për përgatitje parashkollore. Zëdhënësi i Mitrovicës Ahmet Jashari shpjegon se nxënësit e gjeneratave më të vjetra, të cilët kanë nisur shkollat më parë, edhe tani vazhdojnë të shkojnë në shkolla në veri dhe mësojnë në gjuhën serbe. Një përparësi tjetër, të cilën e shfrytëzojnë ata është edhe mbështetja shtesë për fëmijë, që cilat u jepet në veri nga autoritetet serbe. Ndërsa gjeneratat që tani fillojnë mësimet, shkojnë kryesisht në shkolla në gjuhën shqipe në jug të qytetit të ndarë. Por Kastrati dhe Jashari theksojnë se romët dhe nxënësit romë nuk kanë pasur kurrë ndonjë problem me sigurinë, edhe pse qyteti i Mitrovicës mbetet simbol i ndarjeve dhe i problemeve të pazgjidhura politike në Kosovë.

Dëshira përt'u kthyer në Gjermani

Adnan Osmani: "Fëmijët këtu janë të varfër"
Adnan Osmani: "Fëmijët këtu janë të varfër"Fotografi: Bahri Cani

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja shpjegon se ka pasur dhe ka projekte për ndihmën e nxënësve romë, ashkali dhe egjiptas edhe në pjesë të tjera të Kosovës dhe jo vetëm në lagjen rome në Mitrovicë. Por ka edhe probleme serioze në disa komuna. "Në Gjakovë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj ka pasur madje përpjekje edhe për ndarje dhe krijimin e klasave të posaçme me nxënës romë, ashkali dhe egjiptas. Kjo është një formë segregacioni që ne nuk e kemi pranuar dhe nuk do ta pranojmë. Për çudi, kërkësat kanë ardhur si nga romët ashtu edhe nga shqiptarët. Por një ndarje e tillë nuk do të lejohet", pohon Ramë Buja. Ai shton se qeveria e Kosovës po bën të gjitha përpjekjet e mundshme që edhe këto komunitete të kenë kushte të njëjta për mësim, si të gjithë nxënësit e shumicës shqitpare dhe minoriteteve të tjera në Kosovë.

Por fëmijët romë që kthehen nga Gjermania në Kosovë shpesh nuk e dinë gjuhën shqipe apo serbe. Ngjashëm është situata edhe me fëmijët e familjes Osmani, të kthyer nga Gjermania. Ndaj asnjë prej këtyre pesë djemve nuk shkon në shkollë. Nëna Vasvije është krejt e pashpresë. "Për ne nuk ka këtu perspektivë, nuk ka jetë", thotë ajo. Familja Osmani shpreson se së shpejti do të kthehet në Gjermani dhe sërish të gjithë do të jetojnë së bashku.

"Ëndrra ime më e madhe është që të kthehem në Gjermani. Fëmijët këtu janë shumë të varfër, ata shkojnë tërë ditën këmbëzbadhur nëpër rrugë. Më vjen shumë keq për ta. Por edhe për veten time që duhet të jetoj këtu. Dëshira ime më e madhe është që të kthehem në Gjermani dhe të vazhdoj shkollën atje", thotë Adnani.