1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Të mos i kujtojmë romët vetëm një herë në vit!”

Arben Muka8 Prill 2014

Në kuadër të 8 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve, në Shqipëri po zhvillohen veprimtari të ndryshme, që nga protestat e deri te eventet sensibilizuese për përmirësimin e kushteve të jetesës së këtij komuniteti.

https://p.dw.com/p/1BdfR
Romët në Shqipëri
Romët në ShqipëriFotografi: DW/L. Plani

Gurali Mejdani, predidenti i shoqatës rome “Amaro dives” në Shqipëri, është një ndër aktivistët më të hershëm të këtij komuniteti në dy dekadat e fundit. Ai thotë se ka marrë dhjetëra ftesa nga institucionet qeveritare dhe nga organizata joqeveritare për aktivitetet që zhvillohen në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Romëve.

Me përvojën që ka Mejdani shpreh përmbajtje për këtë kalendar të pasur veprimtarish, që nga seminaret dhe tryezat e rrumbullakta, takimet dhe forumet e pjestarëve të komunitetit me politikanët, tek eventet kulturore me ekspozita, koncerte etj., dhe deri tek protestat për kushtet e jetesës e punësimit. Ai thotë se do të jetë pjesmarrës në rradhë të parë në protestat që do të zhvillohen. Duket se të gjithë “zgjohen” vetëm më 8 prill dhe këtë e bëjnë çdo vit me shumë përkushtim, thotë me shpoti Gurali Mejdani për DW.

Romët në Shqipëri
Romët në ShqipëriFotografi: DW/L. Plani

“Një ditë e tillë duhet të zjejë nga aktivitet dhe protestat, por kjo nuk mjafton. Kjo tregon se gjërat nuk merren seriozisht nga disa, por bëhen sa për të thënë. Unë kam qenë prezent rreth 11 vjet më parë kur është miratuar një strategji kombëtare nga qeveria për përmirësimin e jetës së komunitetit tonë. Ka pasur detyra dhe objektiva shumë të bukura, por shumica e tyre e them me bindje se as nuk përmenden tani. Shumë pak është bërë. Ka ndryshime diçka në arsimimin e fëmijëve tanë, kjo duhet pranuar, sepse një pjesë e mirë janë në shkollë të lartë ose vijojnë. Por për punësimin dhe strehimin është bërë fare pak. Këto janë plagë që nuk po shërohen. Të paktën për çdo familje rome të ketë një anëtar në punë shteti. Por ata janë lënë si mos më keq duke mbledhur plasmas e duke gërmuar plehra e duke lypur rrugëve. Ka aq shumë probleme, ndaj të mos i kujtojmë romët vetëm një herë në vit!”

Strehimi si çështje e dinjitetit njerëzor

Para selisë së Bashkisë së Tiranës një grup pjestarësh nga komuniteti rom organizuan të martën në mëngjes një protestë sensibilizuese për zgjidhjen e problemit të strehimit. Në kryeqytet janë rreth 4 mijë romë dhe sipas të dhënave nga vetë komuniteti, rreth 1 mijë prej tyre jetojnë në barraka provizore, jashtë të gjitha kushteve elementare të furnizimit me ujë e energji elektrike si dhe sigurisë ndaj kushteve natyrore dhe higjenike. Një pjesë tjetër e komunitetit është e vendosur në banesa të braktisura, ose pa leje të rregullta shfrytëzimi, duke e bërë të pasigurtë jetesën e tyre. Abazi, 31 vjeç, tregon për DW se protesta bëhet pasi jeta e tyre është e rrezikuar. “Duam strehim, nuk duam të gdhihemi rrugëve, ne na lënë jashtë listave të strehimit. Na hoqën nga shtëpitë tona, na i prishën barakat se do të ndërtonin pallate të reja. Po ne ku të qëndrojmë? Kush do të merret me familjet tona?”

Dita Ndërkombëtare e Romëve shënohet edhe në Gjermani
Dita Ndërkombëtare e Romëve shënohet edhe në GjermaniFotografi: picture-alliance/dpa

Një oratore në protestë kujtoi bashkinë dhe qeverinë se strehimi për komunitetin është parësore dhe duhet të trajtohet si çështje e dinjitetit njerëzor. ”Nuk duam premtime dhe fjalë të mira, por zgjidhje konkrete!”.

Standardi i romëve, prioritet për integrimin europian

I ngakuari me punë në Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, Clive Rumbold, thekson se ky institucion nuk ka ndërmarrë vetëm mbështetje në planin politik kundër diskriminimit të romëve, por ka zbatuar dhe programe e projekte financiare konkrete në përmirësimin e cilësisë së jetesës së tyre dhe integrimin social. Për këtë ai kujton faktin se në procesin e integrimit europian për Shqipërinë, një ndër prioritetet kyçe që duhet të përmbushë vendi në këtë rrugëtim është dhe ajo që lidhet me romët. Dialogu është instaluar jo vetëm me autoritetet në çdo nivel, por dhe me strukturat e shoqërisë civile, shprehet Clive Rumbold.

“Kemi kontakte të përditshme me organizata joqeveritare që punojnë në këtë aspekt, si dhe me organizata nga rradhët e vetë komunitetit rom, për të njohur nga afër problematikën me të cilën ata përballen. Mjafton të përmendim faktin se në 5 vitet e fundit, më shumë se 3.5 milion euro nga taksat e qytetarëve në vendet e BE-së janë destinuar përmirësimin dhe përfshirjen më të madhe ekonomike e sociale të komuniteteve rome dhe egjiptiane në të gjithë Shqipërinë. Projektet që janë mbështetur nga ne kanë pasur në fokus psh fuqizimin ekonomik, trajnimet dhe kualifikimet profesionale, rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës për çështjen rome, për aspekte të përfitimit të shërbimeve sociale, barazisë gjinore, integrimi i grave, i fëmijëve të rrugës etj.”

Reflektim qoftë dhe për çast për situatën e tyre

Artan Korenica
Artan KorenicaFotografi: Arben Muka

Artisti nga Gjakova, Artan Korenica, ka zgjedhur një mënyrë origjinale për të sensibilizuar në Ditën Ndërkombëtare të Romëve. Ai ka përzgjedhur një set prej afër 40 fotografish artistike që ka në fokus jetën e këtij komuniteti dhe i ka ekspozuar në një mjedis të frekuentuar në mes të Tiranës, në Qendrën e Informimit të BE-së, nën një titull domethënës “Mos më shiko me përbuzje”. Aparati i tij është shkrepur në Malin e Zi, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni duke i ofruar vizitorëve aromën rome, një kolazh me portrete dhe detaje nga përditshmëria, duke nxjerrë në pah dëshpërimin, gëzimin, pritmërinë, individualitetin, jetesën kolektive, varfërinë, papunësinë, pasionin dhe talentin e lindur, braktisjen, gjithçka nga mozaiku i një komuniteti që përballet me mbijetesën.

“Me keto punime unë kam një ambicje të thjeshtë: të arrij të ndaloj ne 2 minuta secilin, për një reflektim mbi gjendjen e këtyre njerëzve, të cilët kanë shumë diferenca. Vizitorët përballë ketyre fotove, për një çast të ndalen dhe të mendojnë. Nuk imponohem, por ju vë përpara realitetin ta shohin në sy”, thotë Korenica për DW.