1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të jetosh dhe të punosh me "Blue Card" në Gjermani

Friedel Taube2 Tetor 2012

Një rregull i ri i BE-së për të drejtën e qëndrimit dhe tregun e punës synon të sjellë forca të specializuara pune në Gjermani: "Blue Card". Po si merret karta dhe cilat janë avantazhet e disavantazhet e saj?

https://p.dw.com/p/16IuI
Architekt Architekt © imageteam #24773113
Fotografi: Fotolia/ imageteam

"Direktiva 2009/50/EC e BE-së" – çka në fakt tingëllon e ndërlikuar, synon t'ua bëjë më të rehatshme të huajve nga vendet jashtë Bashkimit Evropian jetën në Gjermani. Direktiva njihet më tepër me emrin "Blue Card", në analogji me modelin e "Green Card" në SHBA. Karta blu është një titull i ri qëndrimi, me të cilin synohet të joshen të vijnë në Gjermani dhe në pjesën tjetër të BE-së forca të specializuara, me kualifikim të mirë. Arsyeja për rregullin e ri është para së gjithash ndryshimi demografik në shumë vende të BE-së, pra transformimet në strukturën e moshës: Në të ardhmen një numër sa vjen e në rënie punëmarrësish të rinj duhet të mbajnë barren e një numri gjithnjë në rritje pensionistësh. Në këtë mes "Blue Card" do të jetë një prej shumë pjesëve përbërëse të një ofensive për forca të specializuara, i thotë Deutsche Welle-s Hendrik Lërges, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme, përgjegjëse për "Blue Card"-in: "Rregulli i ri ka për qëllim të mbështesë hovin ekonomik dhe të sigurojë në plan afatgjatë mirëqenien në RFGJ."

Parakushtet për Blue Card-in në Gjermani

Direktiva ka hyrë në fuqi në Gjermani më 1 gusht 2012 (rreth një vit më vonë sesa në shumicën e vendeve të tjera të BE-së). Gjermania kishte rënë në sy me ngurrimin e saj qysh gjatë zbatimit të lirisë së lëvizjes për punëmarrësit nga vendet e reja të BE-së. Asokohe qeveria gjermane urdhëroi vendosjen e një periudhe kalimtare prej shtatë vjetësh. Imazhi i krijuar, se Gjermania është vendi përherë i pavendosur nuk e shqetësoi Berlinin. Qeveria gjermane e arsyeton futjen e vonuar të "Blue Card"-it me faktin që asaj i është dashur të përgatisë një paketë të tërë masash për punëmarrësit nga vende jo-anëtare të BE-së. "Nga këndvështrimi i qeverisë ia ka vlejtur pranimi i njëfarë vonese, pasi këto synime u arritën", thotë Lërges, "përveç kartës blu të BE-së ka përmirësime të konsiderueshme në sektorë nga më të ndryshmit, për shembull viza për kërkim vendi pune, përmirësime për studentët, për ata që mësojnë profesione, për ata që kanë përfunduar shkollën e lartë ose shkolla profesionale, si dhe për themeluesit e sipërmarrjeve".



Megjithatë, kush dëshiron të vijë në Gjermani me anë të kartes blu, duhet të plotësojë premisa të caktuara, që i ka përcaktuar qeveria gjermane. Më e rëndësishmja është një kufi minimal për pagën: Kush nuk shpërblehet nga punëdhënësi i vet gjerman me të paktën 44.800 euro bruto në vit, zakonisht nuk ka shans për të marrë "Blue Card"-in. Por, për të ashtuquajturat "profesione me nevojë të paplotësuar për forca pune" si specialistë të IT-së, inxhinierë apo mjekë Gjermania ka lënë hapur një mundësi të vogël tërheqjeje dhe ka përcaktuar që këtu mjafton edhe një pagë prej 35.000 eurosh në vit për dhënien e kartës. Hendrik Lërges bën të qartë se ky kufi minimal nuk është kurrësesi i palëvizshëm për vite të tëra: "Pagat minimale orientohen te baza e llogaritjes së kontributeve për sigurimin shtetëror të pensioneve dhe për këtë arsye ndryshojnë çdo vit."

"Blue Card"-i motor për dumping pagash?

Megjithatë, kufijtë minimalë nxjerrin në skenë kritikues, si për shembull Karl Brenke-n nga Instituti gjerman për studime ekonomike [DIW]. "Gjermania ka devijuar dukshëm në zbatimin e normave të BE-së dhe në thelb nuk e ka plotësuar rregulloren për Blue Card-in", thotë Brenke në interviste për Deutsche Wellen. Brenke-n e shqetëson veçanërisht fakti, që me kufirin minimal prej 35.000 eurosh Gjermania i ka dhënë vetes një të drejtë të veçantë për grupe të caktuara profesionale: "Mora pjesë në seancën e dëgjimit kyç në komisionin e Bundestag-ut dhe atje nga ana e qeverisë u tha thjesht: ´Ky është një vendim politik´." Nga ana tjetër, Brukseli në sfondin e krizës së euros përballet aktualisht me probleme të tjera, dhe nuk i kushton vëmendje zbatimit të një direktive të vetme thotë Brenke. Ai mendon se ky është një gabim i rëndë.

Qeveria gjemane kundërpërgjigjet, se pavarësisht faktit që rregulli përbën përjashtim, ajo synon të luftojë kundër dumpingut të pagave. Për shembull, thotë qeveria, "Blue Card"-i u jepet aplikuesve me të ashtuquajturat "profesione, për të cilat ka mungesë personeli" vetëm pas shqyrtimit prej Angjencisë Federale të Punës.

Car Designer Inventor © Andre #38374141
Fotografi: Fotolia/ Andre
Frau, die eine Kreditkarte mit dem Eurosymbol zeigt. Symbolbild Blue Card Europa Konkurrenz zur Greencard der USA. picture-alliance/chromorange
Fotografi: picture-alliance/chromorange

"Në këtë rast shqyrtohet nëse kushtet e punës përputhen me ato të gjermanëve. Shqyrtohet gjithashtu nëse i punësuari nga një vend tjetër paguhet sipas normave të zakonshme për vendin. Në këtë mënyrë bëhet i pamundur dumpingu i pagave", shpreh bindjen zëdhënësi i ministrisë Lërges.

E ardhme e pasigurt për Kartën Blu

Se sa punëmarrës kanë ndër mend të vijnë në Gjermani me Blue Card, nuk dihet. Kur qeveria gjermane nisi njëherë në vitin 2000 në mënyrë të pavarur nga Brukseli një ofensivë për forcat e specializuara dhe futi një version gjerman të "Green Card"-it amerikan, eksperimenti dështoi për shkak të mungesës së interesit. Brenda tre vitesh shprehën interes për ofertën vetëm 15.000 punëmarrës. Duke mbajtur parasysh kufijtë minimalë aktualë është e paqartë se sa tërheqëse do të jenë karta blu dhe tregu gjerman i punës për personel me kualifikim të mirë. Për shembull, raportohet se vitet e kaluara janë larguar nga vendi rreth 30.000 të diplomuar turq. Ky numër është më i lartë sesa ai i imigranteve, siç pohon për DW-në Bashkësia Turke në Gjermani.

Suksesin e kartës e ve në dyshim edhe Karl Brenke i DIW: "Eshtë me pikëpyetje nëse njerëzit janë të gatshëm të pranojnë paga të tilla. Personat me kualifikim të lartë janë të ndërgjegjshëm për çmimin e tyre, jo vetëm në atdhe, por në të gjithë botën. Oferta me paga të ulëta nuk dëshmon ndonjë kulturë mikpritjeje në Gjermani". Pra, publiku mund ta presë me kureshtje bilancin e parë të Blue Card-it në vitin 2013.