1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia po thyen dhëmbët tek Asadi

Thomas Seibert/Auron Dodi5 Mars 2015

Katër vjet pas fillimit të kryengritjes kundër Bashar al Asadit Turqisë i duhet të marrë në konsideratë se ka dështuar në objektivin e saj kryesor: Assadi vazhdon të jetë në pushtet. Po tani?

https://p.dw.com/p/1ElAO
Bashar Assad Präsident Syrien Graffiti Istanbul Türkei
Turqia është kundër Asadit po ai ende është në pushtetFotografi: picture-alliance/dpa

Si ministër i Jashtëm i Turqisë, kryeministri Ahmet Davutoglu u përpoq menjëherë pas shpërthimit të trazirave në Siri në mars 2011 që ta nxisë për reforma politike qeverinë e Asadit. Por kur apelet e Davutoglusë kaluan pa asnjë vëmendje, Ankaraja kaloi në një armiqësi pa kompromis kundër Assdit. Qeveria turke ishte e sigurtë se përballë kryengritjes, kryetari i shtetit sirian ndodhej para fundit të tij. Assadit i mbeten më e shumta disa javë ose muaj, tha Davutoglu në gusht 2012.

"Është katastrofë"

Por Davutogluja u gabua. Pas katër vjetësh luftë civile sot askush nuk e pret më largimin e shpejtë të Asadit. Forcat e moderuara të opozitës, si "Ushtria e lirë siriane" (FAS) po kalojnë gjithnjë e më tepër në defensivë. Atyre u duhet të mbrohen sot si kundër trupave qeveritare të Asadit, ashtu edhe përballë milicëve islamikë që po bëhen gjithnjë e më të fortë, para së gjithash ndaj "Shtetit Islamik" (IS). IS ka vendosur pjesë të tëra të Sirisë dhe të Irakut nën kontrollin e tij dhe po zhvillohet në një kërcënim për vetë Turqinë.

Türkei Ministerpräsident Ahmet Davutoglu
Ahmet Davutoglu, kryeministri turkFotografi: picture-alliance/dpa

Planet e Turqisë për të luajtur në konfliktin e Sirisë një rol si fuqi rajonale rendi, përballë kaosit në Siri janë kthyer në letra pa vlerë. "Është katastrofë", i tha DW Osman Nuri Özalp, politolog në Universitetin Gjermano-Turk në Stamboll. Turqia ka humbur në Siri dhe në rajonin e Lindjes së Afërt shumë nga ndikimi i saj.

Syrische Flüchtlinge aus Kobane in einem Flüchtlingslager in der Türkei
Refugjatë sirianë nga Kobane në kampet e refugjatëne në TurqiFotografi: Getty Images/K. Cucel

Konstante në politikën turke ndaj Sirisë

Megjithatë, rrëzimi i Assdit mbetet objektivi i parë i Turqisë në Siri. Vetëm pak kohë më parë, Davutoglu theksoi se qeveria siriane duhet të japë llogari për "masakrat e kryera në katër vitet e fundit ndaj popullit". Së dyti, Turqia vazhdon t'i përmbahet "politikës së dyerve të hapura" përballë refugjatëve nga Siria. Kjo megjithëse numri i madh i refugjatëve në qytetet turke përgjatë kufirit poshkakton ndërkohë probleme sociale.

Konstantja e tretë në politikën turke ndaj Sirisë është mbështetja për forcat opozitare siriane. Koalicioni Kombëtar Sirian, një organizatë ombrellë që përmbledh kundërshtarët e moderuar të Assadit, takohet rregullisht në Stamboll. Vëzhgues, si ish-Ambasadori i SHBA në Ankara, Francis Ricciardone, e kritikojnë veç kësaj Ankaranë se mbështet edhe grupe radikale-islamike në Siri. Turqit janë kanë qenë të bindur se mund të punonin me këta milicë, tha Ricciardone vitin e kaluar. Zona kufitare me Sirinë ka qenë e hapur për ekstremistët.

Ankaraja i hedh poshtë këto kritika.Për ta forcuar pozicionin vetjak, Turqia kohët e fundit mbështetet më shumë sërish tek fuqia drejtuese perëndimore SHBA. Ankaraja dhe Uashingtoni i stërvitin së bashku trupat qeveritare siriane. Por diferencat bazë me SHBA deri tani nuk qe e mundur të sqarohen. Sipas informacioneve të shtypit, Uashingtoni - ndryshe nga Turqia - nuk e shikon më një largim nga posti të Asadit si kusht bazë për një zgjidhje të situatës në Siri.