1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia: Konfikti i Sirisë si mjet për të arritur qëllimet?

Senada Sokollu/Angjelina Verbica26 Mars 2014

Kritikët e kryeministrit turk mendojnë se pas rrëzimit të avionit luftarak sirian nga ana e aviacionit turk fshihen motive të dyshimta politike. Erdogan do ta shfrytëzojë sulmin kryesisht për vota në zgjedhjet lokale.

https://p.dw.com/p/1BW5R
Erdogan në fushatë zgjedhore
Fotografi: picture alliance / AA

Arsyeja për goditjen e avionit sirian luftarak të dielën (23 mars) nga ana e Forcave Ajrore Turke ishte depërtimi i tij në hapësirën ajrore turke, ka theksuar kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan. "Reagimi ynë është gjithmonë i ashpër, kur shkelet hapësira jonë ajrore", tha Erdogan para mijëra përkrahësve të partisë AKP në një tubim zgjedhor në Kocaeli. Kryeministri lavdëroi pilotët turq, të cilët rrëzuan avionin luftarak sirian.

Pala siriane ka hedhur poshtë si të pabazë deklaratën e Erdoganit për shkeljen e hapësirës ajrore turke. Ajo e akuzoi atë për "agresion të hapur", raporton gazeta turke Hurriyet. As opozita turke nuk është e bindur me përpjekjet e Erdogan-it për të dhënë shpjegime për këtë rast. Përkundrazi, ata pas këtij sulmi shohin motive politike. Përmes këtij sulmi Erdogan përpiqet të largojë vëmendjen e elektoratit nga kriza e brendshme politike në prag të zgjedhjeve komunale, që zhvillohen të dielën më 30 mars.

Regres në Turqi


Që prej 17 dhjetorit qeveria turke është përfshirë në një skandal të rëndë korrupsioni. Në internet vazhdimisht ende publikohen pjesë të bisedave telefonike, të cilat e zbulojnë lakuriq në publik Erdoganin dhe partinë e tij konservatore islamike AKP. Erdogan ndërkohë përmes ligjeve të ndryshme ka kufizuar lirinë e përdorimit të internetit dhe u përpoq kohët e fundit duke bllokuar faqen Twitter në Turqi t'i mbyllë gojën opozitës.

Për veprimet e tij Erdogan është kritikuar rëndë nga bashkësia ndërkombëtare. Ndër të tjera edhe nga presidenti i Parlamentit Evropian Martin Schulz "Fatkeqësisht në disa fusha ne kemi vërejtur gjatë muajve të fundit se janë shënuar hapa mbrapa në Turqi. Heqja e Twitter-it është një prej tyre", i ka thënë ai gazetës gjermane “Die Welt”.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, kritikon qendrimin e Erdoganit
Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, kritikon qendrimin e ErdoganitFotografi: ANDREAS SOLARO/AFP/Getty Images

Kryekandidati për postin e kryetarit të Stambollit nga partia kryesore opozitare CHP, Mustafa Sarigül, e sheh të mbështetur me shpatulla pas muri kryeministrin Erdogan. "Kryeministri ynë është duke u përpjekur të provokojë dhe të krijojë kaos. Ai e ka kuptuar se do të humbasë. Qeveria e tanishme nuk dëshiron paqen, por përpiqet të përfitojë duke nxitur atmosferën e nxehur të luftës. Qytetarët tanë nuk do të bëhen pjesë e kësaj loje. Ne do të krijojmë një Turqi, e cila jeton në paqe me fqinjët e saj", tha Sarigül në një tubim zgjedhor në lagjen Yesilkent të Stambollit.

Gjithashtu edhe kreu i CHP, Kemal Kiliçdaroglu kritikoi komentet e Erdoganit në lidhje me incidentin ushtarak. "Është shumë fyese që një kryeministër të trumbetojë për një ngjarje të tillë në tubimet elektorale", tha Kiliçdarogu. “Kjo nuk është sjellje korrekte", ka shtuar Kiliçdaroglu.

A mund të justifikohet kritika e opozitës?


I këtij mendimi është edhe politologu Fethi Acikel. Një kryeministër duhet të bisedojë në parlament apo diskret në qarqe qeveritare për ndërhyrjet ushtarake e jo në tubime zgjedhore para mijëra ithtarëve”, u shpreh Acikel në bisedë me DW-në. "Në prag të zgjedhjeve politika turke është duke përjetuar një periudhë të tensionuar. Situata është shumë e pazakontë. Opinioni politik është tepër i ndarë nga diskursi politik i Erdogan-it", shpjegon Acikel. Në publik është spekuluar në javët e fundit se Erdogan do të krijojë avantazhe përmes krizës në Siri, shton politologu turk.

Erdogan do që t'i shfrytëzojë zgjedhjet komunale për interesin e tij
Erdogan do që t'i shfrytëzojë zgjedhjet komunale për interesin e tijFotografi: Reuters

“Nëpërmjet ringjalljes së ndjenjave nacionaliste dhe patriotike dhe me vënien në skenë të AKP-së si një mbrojtëse e kombit, për shembull ai mund të fitojë votat e nacionalistëve, por edhe të votuesve të pavendosur ende", tha Acikel. Ka pasur gjithmonë zëra se Turqia është duke furnizuar opozitën siriane me armë, shton politologu. "Opozita siriane ka kërkuar gjithmonë mbrojtjen e Turqisë. Qeveria turke ka marrë pjesë kështu në mënyrë aktive në këtë politikë", thotë Acikel.

Zgjedhjet komunale si "shans i mbijetesës" për AKP-në

"Erdogan është duke u përpjekur që zgjedhjet komunale t'i kthejë në një referendum që do të vuloste pafajësinë e tij. Ai me vetëdije të plotë dhe me qëllim ka zgjedhur kursin konfrontues ndaj disa segmenteve të caktuara të shoqërisë, në mënyrë që të fitojë disa qarqe tjera si për shembull nacionalistët, konservatorët islamikë, apo ata votues, që ende nuk janë përcaktuar se kujt do t'i japin votën e tyre në këto zgjedhje, thotë Acikel. Megjithatë skandalet e korrupsionit e kanë dëmtuar rëndë imazhin e kryeministrit Erdogan. Megjithatë është vështirë të vlerësohet, nëse kjo humbje e imazhit do t'i kushtojë atij edhe me humbje të shumë votave. Fethi Acikel nuk e përjashton mundësinë e një manipulimi të mundshëm të zgjedhjeve të dielën: "Në të kaluarën ka pasur zëra se zgjedhjet komunale dhe parlamentare janë falsifikuar. Grupe të ndryshme opozitare tani janë edhe më të shqetësuara për shkak se kësaj radhe bëhet fjalë për një mbijetesë politike të AKP-së.”