1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ligjet e sigurisë në Turqi

Thomas Seibert28 Shkurt 2015

Qeveria turke planifikon një ligj të ri penal për demonstratat. Opozita i frikësohet një hapi drejt shtetit policor. Por kryeministri Davutoglu do ta miratojë sa më parë ligjin e diskutueshëm.

https://p.dw.com/p/1Ej15
Fotografi: Adem Altan/AFP/Getty Images

Konfliktet fizike nuk janë të rralla në parlamentin turk, por aq keq sa në dy javët e fundit nuk ka qenë ndonjëherë as në Ankara. Një deputet u rrëzua nga shkallët, të tjerët u plagosën nga grushtat. Madje edhe çekiçi dhe zilja e kryetarit të parlamentit gjetën përdorim si armë në konfliktin agresiv parlamentar.

Më shumë kompetenca për policinë

Arsyeja për grindjen ishte "paketa për sigurinë e brendshme", një paketë masash me më shumë se njëqind ndryshime legjislative. Qeveria Davutoglu dëshiron të zgjerojë në këtë mënyrë kompetencat e policisë gjatë arrestimeve dhe kontrolleve. Kështu të dyshuarit në demonstrata do të mbahen në të ardhmen në arrest deri në 48 orë, para se të nxirren para një gjyqtari apo prokurori. Rregullat për përdorimin e armëve të zjarrit nga ana e policisë gjatë demonstratave po lehtësohen. Nëse një demonstrant e mbulon fytyrën të gjithën ose pjesërisht me shall, mund të dënohet me burgim shumëvjeçar.

Aq keq si kurrë më parë, rrahje në palament në Ankara
Aq keq si kurrë më parë, rrahje në palament në AnkaraFotografi: picture-alliance/dpa

Davutoglu argumenton se e gjitha kjo është e nevojshme për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për të penguar dëmtimin e pronës, si në trazirat e kurdëve vitin e kaluar. Të gjitha rishikimet e ligjit bëhen në përputhje me kërkesat e BE-së. Përveç kësaj do të futet një mekanizëm i ri për ndëshkimin e arbitraritetit të policisë.

Vetë ish Presidenti Gül paralajmëron të kihet kujdes

Partitë opozitare në parlament kanë frikë se qeveria me këtë paketë krijon mundësinë për të përdorur policinë, që është e varur nga ministria e Brendshme, kundër kritikëve për ta mbytur çdo mospajtim me forcë. Ata kërkojnë që qeveria ta tërheqë draftin e saj. Edhe ish presidenti Abdullah Gül, bashkëthemelues i partisë konservatore islame AKP, paralajmëroi nga rreziku i miratimit të ligjit dhe bëri thirrje për përmirësime.

Në parlamentin e Ankararë AKP ka shumicën absolute me 312 nga 550 vendet, por opozita përpiqet me të gjitha mjetet që të shtyjë konsultimet për paketën ligjore. Deri tani për këtë arsye kanë mundur të miratohen vetem disa nga 130 ligjet. Në fund zërat e partive opozitare nuk do të mjaftonin, për të penguar miratimin e paketës deri më së voni në fund të marsit.

Demonstratat, halë në sy të pushtetmbajtësve
Demonstratat, halë në sy të pushtetmbajtësveFotografi: picture-alliance/dpa/Ulas Yunus Tosun

"Shteti ligjor po minohet"

Ashtu si kritikë të tjerë të qeverisë Metin Bakkalci, sekretar i përgjithshëm i Fondacionit për të Drejtat e Njeriut të Turqisë (TIHV), sheh një të ardhme të errët për vendin e tij nëse realizohen planet e qeverisë. Sundimi i ligjit dhe ndarja e pushteteve është shfuqizuar, thotë Bakkalci për Deutsche Wellen. Për herë të parë kompetencat e gjyqësorit do t'i kalohen policisë, që varet nga udhëzimet e politikës.

Qeveria argumenton se gjithçka shkon mirë dhe i korrespondon standarteve të BE. Kjo është absurde, mendon Bakkalci. Standartet e detyrueshme, si konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, parashikojnë qartë, se si duhen trajtuar të dyshuarit në arrest policor. "Aty nuk thuhet asgjë, se policia duhet t'ia dorëzojë një të arrestuar drejtësisë vetëm pas 48 orësh", thotë Bakkalci. Edhe BE, Këshilli i Evropës, si dhe organizata ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, si Human Rights Watch dhe Amnesty International i kanë kritikuar planet e qeverisë. Shoqata turke e avokatëve e sheh Turqinë në fillim të "një regjimi të frikës".

Por deri tani qeveria në Ankara nuk është e gatshme për ndryshime substanciale. Sipas opinionistit turk Adil Gür, Davutoglu dhe AKP janë në gjendje që të mbajnë këtë qëndrim të paepur edhe pse pas pak muajsh me 7 qershor janë zgjedhjet parlamentare. Sigurisht që paketa e ligjeve kritikohet ashpër, tha Gür për Deutsche Wellen. "Por kritikët nuk votojnë gjithsesi për AKP-në", shton ai.

I sigurtë për votat e elektoratit: Kryeministri Davutoglu:
I sigurtë për votat e elektoratit: Kryeministri DavutogluFotografi: picture-alliance/dpa

Për partinë në pushtet protestat kundër amendamentit nuk përbëjnë rrezik të madh politik. "Votuesit shohin kryesisht zhvillimin ekonomik dhe pyesin: A jam i kënaqur me jetën time?", thotë Gur. Edhe bisedimet e paqes midis shtetit turk dhe grupit të rebelëve kurdë PKK luajnë rol në votimin e turqve, por jo përmbajtja e ligjit të ri penal për demonstrata. "Në sondazhet e mia kjo nuk shfaqet si temë e diskutueshme", thotë Gür. Ndoshta edhe për këtë arsye kryeministri Davutoglu këmbëngul që paketa e ligjeve të kalojë e pandryshuar në parlament.