1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shoqëria & Kultura

Turne futbollistik i të rinjve kosovarë në Gjermani

36 djelmosha kosovarë, talentë të rinj të futbollit, mes moshës 14 dhe 16 vjeç, kishin ardhur të shtunën (06.10.) të përballeshin me bashkëmoshatarët e tyre të SSV Bornheim.

E shtunë 6 Tetor në Bornheim, lagjja Brenig. Fusha e futbollit të SSV Bornheim, por edhe vetë qyteti i bukur mes Kölnit dhe Bonit me rreth 49 mijë banorë, kishte në këtë ditë mysafirë të veçantë. 30 djelmosha kosovarë, talente të reja në futboll, mes moshës 14 dhe 16 vjeç, të ndarë në dy ekipe U 14 dhe U 15, kishin ardhur të përballeshin me bashkëmoshatarët e tyre të SSV Bornheim, B2 dhe B1. Në pushimin e shkurtër pas ndeshjes së parë organizatori i këtij turni, zotin Dieter Paffrath nga Qendra për Këshillim, Ndërmjetësim dhe përkujdesje të lojtarëve „HPSC Deutschland“, na rrëfen.

Në foto, Dieter Paffrath

Në foto, Dieter Paffrath

"Në parim unë jam një njeri që ka dëshirë të njihet me vende të tjera. Dhe përmes një kontakti këtu, të dy vëllezërve Istrefi nga Kosova ne mësuam se atje ka lojtarë të mirë. Njëri prej vëllezërve, Nushi, ka udhëtuar me mua në muajin prill të këtij viti në Kosovë ku kemi vizituar ekipe të ndryshme. Atje ne vendosëm kontakt edhe me ministrinë e Sportit. Pastaj në korrik kam shkuar edhe njëherë ku kam ndjekur një turne të ekipeve më të mira të Kosovës të grupmoshës së lindur më 1997. Unë kam mbajtur vetëm shënim numrat e fanellave të lojtarëve që më kanë pëlqyer më shumë, dhe zoti Fitim Arifi nga ministria e Sportit është përkujdesur që të bëj listën me emrat e këtyre lojtarëve."

Të rinjë gjermanë dhe kosovarë fotografohen së bashku pas ndeshjes

Të rinjë gjermanë dhe kosovarë fotografohen së bashku pas ndeshjes

Dhe përveç përgatitjes së listës, Fitim Arifi ka ndihmuar që dëshira e z. Paffrath që këta djelmosha të luajnë në një fushë gjermane të bëhet realitet. Ai ka biseduar me prindërit e futbollistëve, ka siguruar lejen si dhe mbështetjen e tyre financiare që ata të kenë mundësi që të udhëtojnë për në Gjermani. Fitim Arifi është menaxher në Departamentin e Sportit pranë MKRS në qeverinë e Kosovës. Sipas tij qëllimi kryesor i turneut: promovimi i talenteve të reja nga Kosova në Gjermani.

Në foto, Fitim Arifi

Në foto, Fitim Arifi

"E veçanta e këtij organizimi është se në këtë formë po e bëjmë për herë të parë. Kjo lloj gare është një formë e bashkëpunimit, e cila është më tepër një test për talentet e reja në Kosovë, të cilët nuk kanë mundësi të promovohen edhe jashtë Kosovës".

Ideja fillestare e zotit Paffrath ishte që me disa ekipe dhe menaxherë nga Gjermania të shkohet për një turne në Kosovë. „Por në dallim nga Gjermania, ku secili ekip, sado i vogël qoftë ai, ka edhe fushën e vet të futbollit, në Kosovë fatkeqësisht nuk ishte kështu. Prandaj vendosëm që ndeshjet t'i luajmë në Gjermani pasi kemi fusha sporti më shumë dhe kushtet janë më të mira."

Por kjo nuk mund të thuhet edhe për kushtet atmosferike. Një mot i ftohtë dhe me shi ka shoqëruar të dy ndeshjet. Filimisht në fushën e lojës ishin çunat e SSV Bornheim, mosha B2 kundër djemve nga Kosova, grupmosha e lindur në vitin 1998, rezultati i ndeshjes: 2 me 1 në të mirë të nikoqirëve.

Fatos Ademi është trajner në shkollën e futbollit Dinamo nga Ferizaj dhe trajner i ekipit të përzgjedhur të të rinjve nga Kosova:

Në foto, Fatos Ademi

Në foto, Fatos Ademi

"… Mendoj se ishte një ndeshje e nivelit kampional, ku të dy ekipet kanë treguar një lojë shumë të bukur. Ne e humbën ndeshjen, por nuk çon peshë rezultati për shkak se këta djem kanë ardhur sot të provohen këtu dhe t'i tregojnë vlerat dhe cilësitë e tyre futbollistike para menaxherëve gjermanë. Rezultatet e vizitës sonë do të shihen më vonë, por unë besoj që ata kanë kualitet dhe potencial për ta bërë një gjë të tillë."

Ndërsa kapiteni 15 vjeçar i skuadrës nga Kosova, Aldin Xhemajli shprehet me besim:"Jam shumë i kënaqur me lojën e treguar dhe nuk është shumë me rëndësi që humbëm lojën. Unë besoj qe kemi treguar lojë të mirë. Ne i humbën rastet tona, ata i shfrytëzuan rastet e tyre."

Në foto, Aldin Xhemajli

Në foto, Aldin Xhemajli



Ndërkaq Dieter Paffrath mendon se është një faktor tjetër që ka ndikuar në rezultatin e kësaj loje: "Unë i kam parë se si luajnë ata në Kosovë. Sot në disfavor të tyre ishte se ekipi ishte i përbërë nga lojëtarë të ekipeve të ndryshme. Futbolli është sport që luhet në ekip, dhe lojëtarët duhet të njihen me lojën e njëri-tjetrit. Kjo ka munguar në ndeshjen e parë por mund të them që individualisht ata janë 95 për qind më të mirë se në lojën që treguan këtu. Ata janë thjeshtë shumë shumë të mirë."

Dhe shumë, shumë më të mirë u treguan çunat nga Kosova të grupmoshës së lindur në vitin 1997. Ata shënuan fitore me rezultat 4:5. Kapiten i tyre ishte Endrit Grainca:

Në foto, Endrit Grainca

Në foto, Endrit Grainca

"Ishte një përjetim shumë i mirë dhe jemi shumë të lumtur që kishim mundësi të ndeshemi me bashkëmoshatarët tanë gjermanë. Ata ishin shumë korrekt gjatë tërë lojës, mua më pëlqeu shumë se kishin përvetësuar një teknikë shumë të mirë, por megjithatë ne ishim më të organizuar gjatë lojës dhe shënuam fitore."

Organizime të tilla nuk janë të lehta dhe përveç që kërkojnë shumë punë dhe angazhim janë edhe të kushtueshme. Në mungesë të mbështetjes institucionale familja afariste Istrefi nga Mitrovica ka mbështetur realizimin e këtij aktiviteti sportiv. Nushi sqaron në emër të familjes Istrefi:

Në foto Nush Istrefi

Në foto, Nush Istrefi

"Kjo është si një pikë ujë në gurë të nxehtë, unë kam kontribuar me familjen time deri diku, mirëpo kemi qindra e mijëra afaristë shqiptarë në Gjermani, të cilët munden të kontribuojnë në rrethin ku jetojnë që t'i krijojnë mundësi rinisë shqiptare që të depërtojnë në arenën e futbollit evropian. Nuk është aq e komplikuar sa e kam menduar në fillim, për fat njeriu gjen mbështetje edhe tek autoritetet, edhe tek shoqëria mirëpo kërkohet më shumë organizim dhe bashkëpunim."