1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ekonomia

Tregu rajonal në jug të Shqipërisë dhe prodhimet bio

Me investim të Bankës Botërore e qeverisë shqiptare ndërtohet në Gjirokastër Tregu Rajonal i Prodhimeve Bujqësore. Ky treg do të shërbejë për të rritur tregtin_ë e fermerëve brenda vendit, por edhe jashtë vendit.

Gjirokastër

Gjirokastër

Mjet për të vënë në lëvizje prodhimin vendas

Për herë të parë në rajonin jugor të Shqipërisë u ndërtua një treg rajonal, sipas parametrave bashkëkohorë, investim i qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore me vlerë prej 2 milionë $. Rajoni jugor ka resurse të mëdha e të pashfrytëzuara në lëmitë të bujqësisë e blegtorisë. Ky treg i ri krijon mundësi reale për rritje të prodhimit, por dhe të tregtimit brenda e jashtë vendit. Nënkryetari Bashkisë Gjirokastër Vangjel Muço: "Tregu i qytetit Gjirokastër është një studim i bërë nga Bashkia Gjirokastër bashkë me ministrinë e bujqësisë e ushqimit. Ky treg përbën një treg rajonal e në përfundim kap shifrën e dy milionë dollarëve, investim i Bankës Botërore".

Specialist i bujqësisë Vangjel Ferro, mendon:"Tani përsa i përket tregut që po krijohet i ri në Gjirokastër, do të jetë një mjet për të vënë në lëvizje prodhimin vendas".

Antonela Lena, shefe e bujqësisë dhe kontrollit ushqimor në Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë pohon se prej disa vitesh prodhimi vendas është motivuar të rritë kapacitetet, por pa mundur t'i krijohen kushtet, ndërsa tani"...sigurisht është një investim goxha me vlerë, për vetë faktin sepse do të ketë mundësi çdo fermer e subjektet prodhuese për të dalë në treg në rajonin e jugut."

Por si e kanë pritur ndërtimin e tregut vetë tregtarët ? Grosisti Dritan Shehu …"Për ne grosistët, tregu i ri është një shans i mirë, pasi tek ky treg ku jemi aktualisht nuk ka kushte e mundësi, e mendoj se do jetë një gjë e mirë për gjithë rajonin e jugut".

Prodhimet e qarkut Gjirokastër i përmbushin kërkesat e prodhimeve bio

Ndërsa për specialistin e bujqësisë, Vangjel Ferro, që merret me studimin e prodhimet bujqësore prej 45 vjetësh, tregu i ri është mundësi si për përqëndrim, nxitje të prodhimit, por edhe për markën e prodhimeve Bio. Ai thotë se ka ardhur koha të mendohet për tregtinë e prodhimeve bio…

"Faktikisht prodhimet e Gjirokastrës janë të një cilësie mjaft të mirë. Sot për sot ne nuk kemi ferma intensive në kuptimin e vërtetë të fjalës, që të përdorin teknologji të larta, përsa i përket plehërimit ose të përdorimit të pesticideve. Vendi është i pastër nga ndotjet në përgjithësi e ne mund të themi se pavarësisht se nuk kemi një certifikim të mirëfilltë, që ti quajmë prodhime bio, prodhimet e qarkut Gjirokastër i kanë këto cilësi të prodhimit bio".

Por a janë realisht mundësi për eksporte të prodhimeve bujqësore e blegtorale ? Mustafa Devolli, kryetar i Dhomës së Tregtisë e Industrisë thotë se me krijimin e tregut do të jetë prioritet edhe tregtia e prodhimeve bujqësore pasi:"...ne kemi marrëdhënie me Dhomën e Tregtisë e Industrisë të Janinës dhe dhoma të tjera homologe në Greqi, duke rritur bashkëpunimin. Gjithsesi janë hedhur vetëm hapat e parë dhe janë mundësitë për të ofruar në tregun rajonal e ballkanik prodhimet e jugut të Shqipërisë, të një cilësie të lartë dhe të shëndetshme për konsumatorët. Po deri tek krijimi i markës, standartit dhe marketingut sipas standarteve europiane është ende një rrugë e gjatë. "

Autor: Odise Kote/Gjirokastër

Redaktoi: Auron Dodi