1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Treg i përçarë pune në Gjermani

Christoph Köhler1 Maj 2013

Deri tani Gjermania e ka përballuar mirë krizën, kjo vlen edhe për tregun e punës. E megjithatë ai është thellësisht i përçarë. Një artikull nga sociologu i njohur Christoph Köhler.

https://p.dw.com/p/18Pzp
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në Gjermani kemi të bëjmë sot me një ndarje të dyfishtë të shoqërisë sonë. Nga njëra anë është thelluar shumë hendeku mes personave me pasuri të madhe dhe atyre me pasuri të vogël (ose madje me borxhe). Ndarja e dytë shihet në tregun e punës mes pozicioneve „parësore“ dhe „dytësore“. Këto të fundit janë ato ku punëmarrësit marrin paga të ulëta, kanë kontrata të pasigurta pune ose janë të papunë. Ky segment është rritur shumë gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit.

Shanse për të kualifikuarit mirë

Unë pres që për shkak të ndryshimit demografik situata e tregut të punës në segmentin parësor të përmirësohet. Ne gjendemi në fillim të një procesi të daljes në pension të brezave me normë të lartë nataliteti, që ndeshen me grupe me numër në rënie lindjesh. Siç tregon situata e qendrueshme në Gjermani, megjithë krizën në Evropën Jugore, ekonomia ka pozicion të fortë në tregjet botërore. Shanset në tregun e punës për persona me kualifikim të lartë për këto arsye do të përmirësohen. Frika shumë e përhapur për të ardhmen e shumë të rinjve është e paargumentuar. Nuk ka asnjë arsye të zhysësh kokën në rërë dhe mund e duhet të reflektojmë përsëri më shumë për koncepte alternative jetese (me ndërprerje të përkohshme të marrëdhënieve të punës për familjet, arsimin apo pasionet krejt të tjera) dhe për alternativa politike (për probleme sociale dhe ekologjike).

Prof. Dr. Christoph Köhler, drejtor i Institutit të Sociologjisë në Universitetin Friedrich-Schiller të Jenës.
Prof. Dr. Christoph Köhler, drejtor i Institutit të Sociologjisë në Universitetin Friedrich-Schiller të Jenës.Fotografi: Köhler

Pak shpresa për ata që fitojnë pak

Në lidhje me segmentin dytësor të tregut të punës parashikimet e mia janë më shumë negative. Zgjerimi i sektorit me paga të ulëta dhe kontrata atipike pune – edhe në perëndim të Gjermanisë – filloi që në mes të viteve 1990 dhe vazhdoi gjatë dy cikleve koniunkturore. Situata e përmirësuar e tregut të punës dëshmohet në faktin që ky proces që prej vitit 2007 në nivel të lartë ka mbetur në vend, ndërkohë që njëkohësisht papunësia shënoi rënie. Por nuk mund të kemi heqje të gjendjes së alarmit pasi segmenti dytësor i tregut të punës me punëmarrës me paga të ulëta dhe tre milionë të papunë, ka sot ende rreth 11 milionë persona. Kuota e varfërisë që prej 2007-s është konstante në nivelin 15 për qind.

Ky segment dytësor i tregut të punës nuk do të përfitojë shumë nga zhvillimi demografik i përshkruar më lart. Në dhjetëvjeçarët me punësim nën nivelin optimal është krijuar një potencial i madh fuqie punëtore me shumë pak kualifikim ose kualifikim të gabuar, i cili shtohet vazhdimisht me të rinj me diploma të dobëta. Ky zhvillim ndesh me një sektor në stanjacion e madje në tkurrje, të punës së thjeshtë, i cili nuk është në gjendje të thithë këtë potencial fuqie punëtore.

Helm për shoqërinë

Një segment dytësor në tregun e punës me këto përmasa është helm për të prekurit dhe për shoqërinë në përgjithësi. Në humusin e papunësisë dhe punës së pasigurtë, gjatë dhjetëvjeçarëve të kaluar është konsoliduar një shtresë e ulët, pjesëtarët e së cilës kanë shumë pak shanse për ngritje në pozicione më të mira. Këtu mblidhen rreziqe shëndetësore dhe sociale me varfërinë për shkak të të ardhurave dhe moshës dhe këto u përcillen fëmijëve. Drejtimi i gishtit tek popullsia me sfond migracioni është i gabuar pasi pjesa më e madhe e kësaj shtrese të ulët është me origjinë të vjetër gjermane.

Shoqërisë në përgjithësi i lindin si pasojë kosto të mëdha në sistemin social, arsimor dhe shëndetësor. Veç kësaj një segment dytësor në tregun e punës me këto përmasa ngall frikë për rënie shoqërore tek shtresa e mesme dhe apati politike në shtresën e ulët. Të dyja këto nuk janë aspak të mira për institucionet tona demokratike.

Pozicione kontroverse

Në diagnozën e problemit shumë vëzhgues nga shkenca dhe politika janë sot në një mendje. Edhe qasjet e politikës së arsimit për shtimin e kopshteve për fëmijë dhe të shkollave të integruara me kujdestari gjatë gjithë ditës, mbështeten sot nga të gjitha kampet politike (pak a shumë qartë), megjithatë nuk zbatohen në mënyrë konsekuente. Disa pjesë të shtresës së mesme shohin në diskutimet për rishpërndarje në favor të fëmijëve nga shtresa e ulët, një përkeqësim të shanseve për arsim të fëmijëve të vet dhe kërkojnë me këmbëngulje një sistem arsimor të ndarë. Politikanët i druhen humbjes së votave dhe kostove të larta të një zgjerimi dhe riorganizimi të sistemit arsimor.

Kontroverse janë pozicionet në lidhje me politikën e punësimit dhe tregut të punës. Njëra palë kërkon të përmirësojë shërbimet sociale për të papunët, njëkohësisht të fusë paga dysheme për të punësuarit dhe të kufizojë fort raportet atipike të punës. Pala tjetër mendon se rritja e kostove të punës si pasojë e rirregullimit të tregut të punës, do të shkaktojë rritje të mëtejshme të papunësisë. Motoja këtu është fare e qartë: më mirë një punë e keqe se asnjë lloj pune.

Suedia si model

Në rast të një zbatimi konsekuent të politikës së rirregullimit të tregut të punës, për të papunët dhe të punësuarit përkohësisht, ka shumë mundësi të ketë humbje vendesh pune. Megjithatë unë i konsideroj këto propozime konstruktive. Së pari në një proces të kujdesshëm eksperimentimi vidat mund të shtrëngohen ngadalë për t'i kufizuar kështu humbjet e vendeve të punës. Së dyti pasojat e kësaj politike rirregullimi duhet të krahasohen me kostot e larta shoqërore të segmentit dytësor të tregut të punës, të përshkruara më lart. Së treti mund të zgjerohet përsëri punësimi në sektorin publik, në vend që të privatizohet, duke krijuar kështu vende të reja pune.

Që një model i tillë mund të funksionojë mirë, e tregon rasti i Suedisë, e cila ka kushte ekonomike të ngjashme me Gjermaninë. Parakusht është megjithatë një proces rishpërndarjeje i pasurisë dhe të ardhurave, i cili duhet vënë në zbatim kundër pronarëve të kapitalit, shtresës me të ardhura të larta dhe politikanëve. Këtu sindikatat mund dhe duhet të luajnë një rol të rëndësishëm.

Prof. Dr. Christoph Köhler është drejtor i Institutit të Sociologjisë në Universitetin Friedrich-Schiller të Jenës. Pikërëndesa e punës së tij kërkimore është struktura dhe dinamika e tregut të punës si dhe sistemet e punësimit në sipërmarrje dhe segmentimi i tregut të punës, në krahasim ndërkombëtar. Veç kësaj ai kryen studime mbi temat fleksibiliteti i tregut të punës, rreziqet e punësimit dhe siguria sociale.

Referenca për literaturën: Alexandra Krause, Christoph Köhler (Hg.): Arbeit als Ware – Zur Theorie flexibler Arbeitsmärkte. Transcript Verlag, Bielefeld 2012.

Robert Castel, Klaus Dörre (Hg.): Prekarität, Abstieg, Ausgrenzung – Die soziale Frage am Beginn des 21. Jahrhunderts. Campus Verlag, Frankfurt/Main 2000