1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

99% e kërkesave për azil nga Kosova refuzohen

la(dpa,epd)2 Maj 2015

Kryeministri i landit të Saksonisë së Poshtme kërkoi të shtunën trajtimin edhe më të shpejtë të kërkesave për azil që vijnë nga qytetarët e Kosovës. 40% e azilkërkuesve në Gjermani aktualisht vijnë nga Ballkani.

https://p.dw.com/p/1FJ0C
Deutschland Asylbewerber aus dem Kosovo in Sigmaringen
Refugjatë nga Kosova në SigmaringenFotografi: picture-alliance/dpa/F. Kästle

Mediat gjermane njoftojnë se kryeministri i landit gjerman të Saksonisë së Poshtme Stephan Weil i partisë socialdemokrate ka kërkuar që të përshpejtohet sa të jetë e mundur trajtimi i kërkesave për azil që vijnë nga qytetarët e Kosovës. Kërkesat e azilantëve nga Kosova refuzohen në masën 99%, është shprehur kryeministri i landit në gazetën e Hanoverit "Hannover Presse" në botimin e së shtunës. Stephan Weil ka kritikuar faktin që trajtimi i këtyre kërkesave zgjat më shumë se një vit, megjithëse vetë azilkërkuesit e kanë të qartë se ata nuk kanë të drejtë azili në Gjermani.

Stephan Weil
Stephan WeilFotografi: picture-alliance/dpa

Qëllimi duhet të jetë sipas kryeministrit të landit të Saksonisë së Poshtme që më së voni pas një tremujori të kemi një vendim të bazuar ligjërisht. Me procedime të tilla të përshpejtuara mund të arrihet reduktimi i numrit të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit. Në muajt e fundit është rritur në mënyrë masive numri i azilkërkuesve nga vendet e rajonit, sidomos nga Kosova, Shqipëria e Serbia. 40% e të gjithë azilkërkuesve në Gjermani aktualisht vijnë nga Ballkani. Për autoritetet ky fluks bllokon fonde dhe punonjësit e zyrave të azilit për të ndihmuar ata refugjatë, të cilëve u është njohur azili, të ardhur nga vendet e luftës dhe krizave.

Kontrolle të rrepta në kufi

Politikanët gjermanë kanë kërkuar shpesh në javët e fundit kontrolle më rigoroze për kufizimin e imigrimit nga vendet e Ballkanit. Vetëm dy ditë më parë ishte ministrja e landit të Baden-Vyrtembergut për Integrimin, Bilkay Öney (SPD) e cila kërkoi kontrolle më të rrepta në kufij. "Kufijtë tani aktualisht janë shumë lehtë të kalueshëm", ka thënë Öney për gazetën gjermane "Die Welt", duke shprehur edhe keqardhjen pse nuk janë shpallur vende të sigurta origjine edhe Shqipëria dhe Kosova, ashtu si më parë edhe Serbia, Bosnja-Hercegovina dhe Maqedonia.

Aktualisht kryeministri i landit të Saksonisë kërkon shtimin e personelit për Zyrën Federale të Migracionit, dhe marrjen e shpenzimeve për trajtimin e kërkesave të azilit nga federata. Më 8 Maj kancelarja gjermane Angela Merkel ka ftuar në një takim të nivelit të lartë në zyrën e saj, temë debati do të jenë shpenzimet e akomodimit dhe integrimit të refugjatëve.