1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Cipras shpreson në ardhjen e pranverës

Sabine Kinkartz24 Mars 2015

Kërcënime për shpronësime, paralajmërime për dërgimin e refugjatëve nga Greqia në Gjermani. Tonet ndërmjet Greqisë dhe Gjermanisë janë bërë të helmëta. Merkel dhe Cipras duan ta ndryshojnë këtë gjendje.

https://p.dw.com/p/1Evvx
Berlin Tsipras bei Merkel
Buzëqeshja premtuese- start i ri në marrëdhëniet gjermano-grekeFotografi: Getty Images/AFP/J. MacDougall

Angela Merkel duhet të presë. Pak para hyrjes së kancelerisë Alexis Cipras ndalon limuzinën e zezë, që po e sillte në vizitën e tij të parë te kancelarja dhe zbret. I ndjekur nga truprojat kryeministri grek nxiton me hapa të shpejtë, kalon rrugën për të arritur te një grup demonstruesish, që kërkojnë me zë të lartë solidaritet me Greqinë. "Ne kërkojmë këtu në këtë vend faljen e borxheve dhe biles menjëherë", thërrasin zërat në drejtim të Cipras. Ai shtrëngon me ngazëllim disa duar, përshëndët me dorë dhe kthehet shpejt te kolona e automjeteve, që e shoqëron.

Në anën tjetër të rrugës kancelarja ka mundësi të vrojtojë mirë këtë episod të shkurtër. Angela Merkel qëndron para rezidencës së saj zyrtare mbi qilimin e kuq, që e ka shtruar për mysafirin e saj shtetëror. Kjo është vizita e parë e kryeministrit të ri grek në Berlin, prandaj aty qëndron gati edhe banda muzikore për përshëndetjen protokollare me nderime ushtarake. Me pak minuta më vonë nga ç'ishte planifikuar luhet më në fund himni kombëtar grek, i ndjekur nga ai gjerman. Vizita mund të fillojë.

Deutschland Griechenland Besuch Tsipras in Berlin
Cipras takon protestues në BerlinFotografi: DW/S. Kinkartz

Për miqësinë

Për rreth një orë Merkel dhe Cipras tërhiqen për bisedën e parë. Duke pasur parasysh problemet masive, që Gjermania dhe Greqia kanë momentalisht në nivelin politik, koha është shumë e ngjeshur. Por në katin e parë të kancelarisë më shumë se njëqind gazetarë dhe kameramanë janë duke pritur ndërkohë kancelaren dhe mysafirin e saj nga Athina.

"Nga pala gjermane dua ta bëj të qartë se ne kemi marrëdhënie të ngushta dhe miqësore me Greqinë", nis Merkel fjalimin e saj. "Me njerëzit në Greqi", shton ajo, sikur ta kishte kuptuar gjatë fjalisë, se nuk kishte qenë si duhet në atë moment. Jo vetëm për shkak të krizës së borxhit midis Berlinit dhe Athinës në javët e fundit është dëmtuar shumë besimi. Edhe debati për borxhin gjerman të luftës e ka helmuar mjaft tonin.

Reformat duhen kryer

Pesë minuta flet Merkel për detyrat dhe domosdoshmëritë, për shifrat ekonomike kruciale, që duhen arritur dhe për reformat, lidhur me të cilat qeveria greke natyrisht që mund të flasë me "institucionet". Merkel nuk ka ndryshuar mendje, kjo është e qartë. Si dhe më parë ajo këmbëngul se Greqia ka për të përmbushur detyrimet e saj. Por toni është bërë më pajtues.

Demonstratë solidariteti me Greqinë
Demonstratë solidariteti me GreqinëFotografi: DW/S. Kinkartz

Gjermania nuk është institucionet, që vendosin, nëse programi i reformave është në rregull, apo i mjaftueshëm. Ajo do të vendoset në fund në organet përkatëse, si Eurogrupi. Por Gjermania do të ndihmojë. "Ne duam, që Greqia të jetë ekonomikisht e fortë, që Greqia të ketë rritje ekonomike", tha kancelarja. Papunësia e lartë dhe veçanërisht papunësia e lartë te të rinjtë duhet të kapërcehen. Merkel është mjaft pozitive përsa i përket idesë së krijimit të një banke zhvillimi për të mbështetur Greqinë. Nëse kërkohet ndihmë, mund të bisedojmë për këtë.

Instituti Goethe qëndron i hapur

Ndërsa kancelarja flet, Aleksis Cipras i ka kufjet me përkthimin në greqisht në vesh, por shfleton vazhdimisht në një sërë letrash me shënime, që i ka hapur para vetes. Dhjetë minuta ai u shpjegon gazetarëve situatën në Greqi dhe krijon pak përshtypjen, sikur po jep një deklarate qeveritare.

Sigurisht nuk mungon referimi për gabime të pretenduara apo të vërteta të evropianëve në pesë vitet e fundit të krizës së borxhit. Por është gabim të bësh përgjegjës të huajt për problemet e Greqisë, thotö Cipras. Athina duhet të ndryshojë politikën, në mënyrë që të përballojë problemet. Ka ardhur koha për një reformë të madhe strukturore në Greqi për të luftuar evazionin fiskal dhe korrupsionin.

Kryeministri grek përmend edhe debatin për borxhin gjerman të luftës. Nuk bëhet fjalë „për një kërkesë materiale në rradhë të parë", thotë ai. Debati për reparacionet është më tepër një “temë thjesht bilaterale“, në të cilën bëhet fjalë për një „vlerësim etik“. I pyetur për kopertinën e revistës "Spiegel", në të cilën kancelarja gjermane shfaqet në një fotomontazh para Akropolit e rrethuar nga ushtarë gjermanë me kryqin e thyer, Cipras thotë: "Më duket shumë e padrejtë, që të publikohet një provokim." I pyetur në lidhje me mbylljen e institutit gjerman Goethe në Athinë ai përgjigjet. "Harrojeni, ajo nuk do të bëhet."

Merkel Cipras: Gjithçka në harmoni
Merkel Cipras: Gjithçka në harmoniFotografi: Getty Images/AFP/T. Schwarz

Grekët nuk janë dembela

Kryeministri grek është gjithë vetëbesim. Diferencat ekzistuese ndërmjet dy vendeve duhen thënë hapur, por qëllimi është edhe që të gjendet baza e përbashkët. Para një jave Merkel i telefonoi Cipras dhe e ftoi në Berlin. „Kancelarja tha, është më mirë të flasim me njëri-tjetrin, se sa për njëri-.tjetrin“, thotë greku dhe bën të qartë se është dakord me këtë kërkesë. Të dy vendet duhet të punojnë për të kapërcyer stereotipet e tmerrshme në këtë mosmarrëveshje. "As grekët nuk janë dembelë, dhe as gjermanët nuk janë fajtorë për të këqijat dhe abuzimet në Greqi."

Pas gati një ore përfundon konferenca për shtyp dhe Angela Merkel e Alexis Cipras pozojnë për një fotografi të përbashkët para flamujve të dy vendeve. Shkurt greku vendos dorën në shënjë besimi në supin e gjermanes. Kancelarja e duron prekjen me një qetësi stoike, megjithëse është e njohur, se ajo nuk mund t‘i durojë prekjet e paparalajmëruara. Por para fotografëve nuk duhet të tregohet as më e vogla disharmoni. "Kam sjellë me vete motin e mirë, thotë Cipras. "Në Berlin është mot pranvere dhe kjo klimë duhet të vazhdojë edhe në marrëdhëniet mes dy vendeve tona."