1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tiranë: Dëmshpërblimi i ish- të përndjekurve politikë do të zgjasë 8 vjet

Në bazë të ligjit që ka miratuar parlamenti do të ketë nivele të ndryshme përfitimi, për ish-të burgosurit, për të vrarët dhe të pushkatuarit, si dhe për ata që janë internuar gjatë periudhës së regjimit komunist.

Instituti i Integrimit të ish-përndjekurve politikë në Tiranë

Instituti i Integrimit të ish-përndjekurve politikë në Tiranë

Bedri Myftari, shkrimtar dhe publicist në Tiranë, e ka përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të përfituar dëmshpërblim nga vuajtja në burg rreth 35 vite më parë. Ai u dënua me 7 vjet heqje lirie "për agjitacion e propagandë, kundër vijës së Partisë në letërsi", kur drejtonte një grup krijuesish të rinj në kohën e diktaturës. Por ai vuajti në burgun e Ballshit vetëm 3 vjet dhe më pas u lirua.

"Për këto tre vjet burg do të marr rreth 2.1 milion lekë, ose rreth 14 mijë euro. Në muajin mars do të nisë shpërndarja e dëmshpërblimit. Do të na hapet një numër llogarie në bankë ku do të kalojnë ne disa këste shumat që përfitojmë. I gjithë procesi, sipas ligjit do të zgjasë 8 vjet", thotë Myftari për DW.

Ndarja e dëmshpërblimit për kategorinë e ish të burgosurve dhe ish të përndjekurve të periudhës së komunizmit është zvarritur disa herë. Shoqatat e ish të përndjekurve kanë zhvilluar disa herë protesta deri dhe në grevë urie për të nxitur parlamentin dhe qeverinë në zgjidhjen e këtij problemi.

Llesh Ndokaj, është drejtori juridik në Institutin e Integrimit të ish të Burgosurve Politikë, IIBP. Instituti është një strukturë shtetërore, krijuar qysh në vitin 1997. Në procesin e tanishëm të dëmshpërblimit, IIBP luan rolin e koordinatorit dhe rregullatorit mes institucioneve përgjegjesë shtetërore dhe grupeve të interesit.

Nivele të ndryshme të dëmshpërblimit

Lleshi shpjegon për DW-në, se nga zbatimi i ligjit në fuqi, një i burgosur politik do të përfitojë për çdo ditë heqje lirie një dëmshpërblim prej 2 mijë lekësh, (që konvertohet me kursin aktual rreth 13 Euro). Për ata që kanë qenë të internuar në rajone të rrethuar me tela me gjemba në vitet 1944 deri më 1954, do të ketë një dëmshpërblim ditor prej 1 mijë lekë (afër 6.5 Euro). Për ata që janë vrarë ose pushkatuar me vendim gjyqi, përfitimi do të konvertohet vuajtje dënimi me 8 vjet burg. Pra të afërmit e tyre do të marrin për gjithë këtë kohë nga rreth 13 euro në ditë.

Avokati Ndokaj qartëson dhe rastet e zbritjes nga shuma e përfituar, të shpërblimeve që janë dhënë në mes të viteve '90 me një ligj tjetër të posaçëm, që kishte lidhje me përfitimin e statusit e "të ish- të përndjekurit politik".

Avokati Llesh Ndokaj

Avokati Llesh Ndokaj

"Ata kanë marrë në atë kohë para në dorë, letra me vlerë, ose banesë për strehim, a ndonjë përfitim tjetër, sic dhe parashikonte ligji i mëprashëm. Këto tani do të zbriten nga shuma e dëmshpërblimit", thotë a. Llesh Ndokaj në IIBP".

Edhe Bedri Myftari është i ndërgjegjshëm për zbritjen që do t'i bëhet pasi dhe ai ka përfituar nga shpërblimi i vitit 1994.

"Mora 200 mijë lekë në dorë, si dhe letra me vlerë, të cilat i shita me gjysmën e çmimit. Avokati im më ka sqaruar për gjithçka për shumën që do të zbritet. Dhe kjo më duket e drejtë."

Gjatë përgatitjeve të dokumentacionit për të përfituar dëmshpërblimin ka patur dhe probleme. "Ka vdekur p.sh babai, që ka lënë disa fëmijë. Ai mund të ketë patur më shumë se një kurorë martese. Atëherë në këtë rasrt ligji thotë se përfitues do të jenë vetëm ata që janë në aktin e trashëgimtisë, që kanë konsensusin e palëve për përfaqësim", sqaron av Ndokaj.

Ligji aktual ka vend për përmirësime

Instituti i Integrimit të ish të Burgosurve Politikë po përgatit dhe një paketë propozimesh për përmirësime të ligjit ekszistues. P.sh është rasti i atyre që kanë vuajtur në burgje dhe kanë humbur jetën, por që kanë qënë në moshë të re, pa u martuar, ose priftërinj. Ligji thotë që dëmshpërblimin e fitojnë vetëm prindërit ose fëmijët. IIBP sygjeron që në këto raste mund të futen si përfitues edhe motrat e vëllezërit e këtyre viktimave që sot janë gjallë"

Gjithashtu nga ekspertët e Institutit është vërejtur se ka vend dhe për të përmirësuar klauzolat e atyre që janë internuar, për rastet e pushkatimeve pa gjyq etj. Do ti propozohet qeverisë dhe shtyrja sërish e afatit për pranimin e dokumentacionit për dëmshpërblim. Janë mjaft persona, kryesisht ata që jetojnë jashtë vendit, që nuk kanë dijeni dhe informacion të plotë për procedurat në zbatim të ligjit.

Në Shqipëri janë rreth 48 mijë vetë që kanë përfituar statusin e ish të përndjekurit politik. Nga këta pritet që përfitues nga procesi i dëmshpërblimit të jenë rreth gjysma e tyre. Por dhe niveli i përfitimit do të jetë i ndryshëm në varësi të treguesve që përllogarisin sasinë e lekëve që të paguan shteti.