1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ekonomia

Tendenca dhe zhvillime në degën e turizmit në 2009

Pas rënies së xhiros në fillim të vitit në turizëm, si pasojë e krizës ekonomike, dega gjermane e turizmit po konstaton shenjat e para të ripërtëritjes. Agjencitë turistike vërejnë një rritje të prenotimeve për 2009.

Bursa Ndërkombëtare e Turizmit, ITB 2009 shënon tendenca rritjeje në turizëm

Bursa Ndërkombëtare e Turizmit, ITB 2009 shënon tendenca rritjeje në turizëm

Bursa Ndërkombëtare e Turizmit, ITB, është si një asamble e përgjithshme e degës mbarëbotërore të turizmit. Nëse do ta konsideronim këtë panair si një sizmograf tani në kohët e krizës ekonomike, duket se kjo degë në përgjithësi po ecën mirë. Christian Göke, shef i Panairit të Berlinit, është i kënaqur, që i gjithë territori i panairit është i prenotuar nga ekspozuesit:

"ITB-ja 2009 është solide. Me 11.098 pjesëmarrës, krahasuar me një vit më parë thuajse jemi në të njëjtin nivel rekord. Të prezantuara janë 187 vende. Të gjitha sallat janë të mbushura me stendat e ekspozuesve qysh nga shkurti. "

Për herë të parë ITB-ja sivjet nuk ka vend partner, por një rajon partner. Zona e Ruhr-it në Gjermani prezantohet me një gamë të gjerë si kryeqyteti kulturor i Evropës për vitin 2010. Tre të katërtat e pjesëmarrësve vijnë nga jashtë dhe synojnë të tërheqin publikun gjerman. Kjo sepse gjermanët konsiderohen si një popull që i preferon shumë udhëtimet. Vitin e kaluar ka pasur një rritje me 5,5% të prenotimeve, vë në dukje Klaus Laepple, President i Lidhjes Federale të Ekonomisë gjermane të Turizmit.

"Për udhëtimet jashtë vendit në vitin 2008 gjermanët kanë shpenzuar më shumë se të gjithë vendet e tjera të botës. Gati 85 miliardë dollarë amerikanë - pra shtatë miliardë më shumë se një vit më parë - ka qenë shuma e shpenzuar për udhëtimet turisitike. Këtë shifër e ka llogaritur Organizata e Turizmit Botëror. Në këtë shumë llogariten shpenzimet si për udhëtimin ashtu edhe shpenzimet e turistëve jashtë vendit. Kësisoj ne gjermanët jemi kampionë botërorë për të disatën herë sa i përket turizimit."

Rritje të prenotimeve në degën gjermane të turizmit vazhdon të ketë në udhëtimet kroçerë si dhe në turizmin brenda vendit në Gjermani. Zonat përreth detit të Veriut dhe atij Balltik janë po aq tërheqëse sa edhe udhëtimet nëpër alpe, nëpër qytete dhe ato për uellnes. Përsa u përket udhëtimeve në distanca të largëta në 2009 gjermanët kanë në fokus Maledivet, Azinë dhe SHBA-në. Por sektori që kryeson në fushën e turizmit mbeten pushimet klasike në plazh në bregdetin spanjoll të Mesdheut. Një rritje me 8% shënon sivjet edhe turizmi veror në Turqi.

Sabine Kinkartz/ Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi