1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkëpunimi kulturor shqiptaro-gjerman

Mimoza Cika-Kelmendi5 Shtator 2013

Iniciativa Studentore TASH në Reutlingen angazhohet për shkëmbimet kulturore mes shqiptarëve dhe gjermanëve.

https://p.dw.com/p/19cPN
Fotografi: Muhamet Idrizi

Janë qindra, e ndoshta edhe njëmijë, por ka që thonë se numri ka arritur edhe dy mijë. Megjithatë ende nuk ka një statistikë zyrtare për ta vërtetuar numrin e saktë. Eshtë fjala për studentët me prejardhje shqiptare këtu në Gjermani, për ata që kanë lindur apo të ardhur e rritur këtu, si dhe për ata që vijnë ndërkohë për të studjuar nga Kosova, Shqipëria apo Maqedonia. Pikërisht duke pasur parasysh numrin e madh të studentëve të tillë që rritet nga viti në viti lindi edhe ideja e një vetëorganizimi nga studentët. Kështu në vitin 2007 një grup studentësh, rreth 20 syresh u mblodhën në Frankfurt mbi Main, në Universitetin, Wolfgang - Goethe dhe diskutuan për një organizim të tyre që do të kishte si qëllim bashkimin e të gjithë studentëve aktivë shqiptarë dhe gjermanë. Si nevojë e domosdoshme ishte në rradhë të parë krijimi i kushteve për një shkollim më të mirë dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin sipas mundësive në mbarëvajtjen e procesit studimor. Kështu u formua Shoqata me emrin „TASH - Iniciativa Studentore gjermano-shqiptare“ me seli në Reutlingen. Duke u fokusuar kryesisht në integrimin e studentëve të ardhur këtu në Gjermani, kjo shoqatë ka vendosur një sërë synimesh me theks të veçantë ruajtjen e traditës dhe shkëmbimin e ndërsjelltë të kulturave dhe zakoneve mes shqiptarëve dhe gjermanëve.

Në foto, Muhamet Idrizi
Në foto, Muhamet IdriziFotografi: Muhamet Idrizi

Formimi i shoqatës - një nevojë e kohës


Kryetari i kësaj shoqate, Muhamet Idrizi, por edhe një nga iniciatorët e themelimit të kësaj shoqate në një bisedë për Deutsche Wellen flet për fillimin e kësaj rruge. „Ideja lindi në një forum në internet në 2006, nga një grup studentësh shqiptarë ku u zhvillua një debat lidhur me edukimin dhe arsimimin e shqiptarëve në diasporë por edhe të studentëve në Kosovë. Fillimisht u vendos që të takoheshim në Frankfurt pasi edhe pjesa më e madhe e studentëve ishin në këtë zonë të Gjermanisë. Në këtë takim që u bë në Universitetin e Frankfurtit u hodh ideja e themelimit të një Iniciative studentore. U bënë parapërgatitjet rreth tre muaj para takimit të aktit zyrtar të themelimit të saj. Kështu pas shumë përpjekjesh dhe angazhimesh u mblodhën 25 studentë në takimin e rradhës pikërisht në ambientet e këtij Universiteti dhe themeluam zyrtarisht këtë shoqatë“, kujton Idrizi. Sipas Idrizit shoqata e re „TASH“ në Frankfurt ishte një nevojë e domosdoshme dhe i vuri vetes si synim zgjerimin e shoqatës me anëtarë të rinj nga e gjithë Gjermania si dhe informimin e studentëve të rinj shqiptarë me procedurat në universitete por edhe me mundësitë për marrjen e ndonjë burse apo ndihme financiare për përballimin e vështirësive gjatë rrugës së gjatë të studimit.

Por pse shoqata është shqiptaro - gjermane?

“Kur e themeluam ka qenë Iniciativa studentore e shqiptarëve të diasporës, por më pas në 2009 bëmë një ndryshim duke e kthyer atë në shqiptaro-gjermane. Tashmë në kryesinë tonë ka shumë studentë dhe miq gjermanë. Shoqata ka degën e saj kryesore këtu në Gjermani por edhe një në Mitrovicë si OJQ e themeluar në 2010 atje. Synimi ynë është që kjo shoqatë të jetë edhe një bërthamë ndërkulturore, veçanërisht mes dy kulturave shqiptaro - gjermane“, thotë Idrizi. Shoqata organizoi në 2009 një eskursion të përbashkët me rreth 30 studentë gjermanë dhe shqiptarë në Kosovë. Vizita në Prizren ishte vërtet shumë mbresëlënëse për studentët gjermanë. Pati një interesim të jashtëzakonshëm për historinë e këtij qyteti por edhe për kulturën dhe traditën kombëtare në Kosovë. Kjo vizitë në Kosovë ishte mjaft e rëndëishme edhe për studentin Markus Beuter, anëtar dhe kryetar i dytë i shoqatës TASH: "Për mua përmbajtja e fjalës migracion ka marrë një kuptim të ri pas vizitës në Republikën e Kosovës. Secili tashmë i kupton edhe shkaqet historike dhe sociale të shqiptarëve për migrmin e tyre. Vizita në Kosovë na bëri mirë të gjithëve që kishim dëgjuar dhe lexuar për këtë vend por kur je atje dhe i prek gjërat nga afër, mëson më shumë. Për këtë arsye unë do të doja të ndërtoja një urë dhe të aktivizoja pasuritë e të dyja popujve për një shkëmbim ndërkulturor mes tyre“.

Në foto, Markus Beuter
Në foto, Markus BeuterFotografi: DW/M. Kelmendi

Një ndihmesë të madhe kjo shoqatë ka pasur edhe nga institucionet e Kosovës por veçanërisht nga konsullata e Kosovës në Shtutgart. Përfaqësuesi i kësaj konsullate, Ymer Lladrovci thotë se e kanë mbështetur iniciativën e studentëve dhe e kanë përkrahur në aktivitetet e saj. „Veprimtaria e kësaj shoqate është mjaft e rëndësishme aktualisht për faktin se ka shumë të rinj në Kosovë që dëshirojnë të studjojnë në Gjermani dhe këta studentë me përvojë prej vitesh këtu, iu hapin rrugën më lehtë atyre atje, më të rinjve. Shkëmbimi i ndërsjelltë arsimor dhe kulturor mes të rinjve ofron ura komunikimi mes dy vendeve, mes dy popujve“, thekson Lladrovci.

Në foto, Ymer Lladrovci
Në foto, Ymer LladrovciFotografi: DW/M. Kelmendi

Rrjetet sociale - shans komunikimi për studentët

Suksesi më i madh i kësaj shoqate mbetet Memorandumi i Bashkëpunimit të Shkollës së lartë pedagogjike Ludwigsburg me Universitetin e Prishtinës. Në bazë të kësaj marrëveshjeje do të ketë një sërë shkëmbimesh të pedagogëve dhe studentëve të të dyja institucioneve. Në Kosovë një grup studentësh gjermanë marrë pjesë në seminarin e gjuhës letërsisë dhe kulturës shqiptare, që bëhet çdo vit në verë.

Pamje nga një takim i shoqatës "TASH"
Pamje nga një takim i shoqatës "TASH"Fotografi: Muhamet Idrizi

Muhamet Idrizi është shumë optimist për punën dhe të ardhmen e kësaj shoqate falë edhe rrjeteve sociale si Facebook, Twiter etj, që ndihmojnë për të thithur edhe më shumë anëtarë dhe për të krijuar rrjete informimi dhe komunikimi me gjithë studentët me prejardhje shqiptare në Gjermani por edhe me studentët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e vende të tjera.

TASH...emri i shoqatës, ka një domethënie që i bashkangjitet edhe misionit të saj. Në anglisht ajo do të përkthehej: Together in Action with Students for Humanity“.