1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulmet ksenofobe në Afrikën e Jugut arrijnë edhe Kejptaunin

Stäcker, Claus / Johannesburg (SWR) 24 Maj 2008

Pas Johanesburgut sulmet ksenofobe në Afrikën e Jugut kanë përfshirë tani edhe Kejptaunin dhe qytete të tjera. Artistë dhe veteranë të politikës vizitojnë rajonet e prekura nga sulmet.

https://p.dw.com/p/E5KA
Pamje pas sulmeve ksenofobe në Afrikën e Jugut
Pamje pas sulmeve ksenofobe në Afrikën e JugutFotografi: AP

Rreth 50 afrikanë të vrarë, jo vetëm të huaj por edhe afrikan-jugor. Rreth 30 000 janë dëbuar dhe kërkojnë strehim në kampe të cilat qeveria e Afrikës së Jugut në asnjë mënyrë nuk do që të quhen "kampe refugjatësh". Të paktën 17 000 njerëz kanë kaluar ndërkohë kufirin dhe janë kthyer në vendlindjet e tyre në Mozambik, Zimbabve apo Malavi. Mozambiku ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në mënyrë që të kthyerëve t'u ndihmohet më mirë.


Në qendër të Johanesburgut ku rreth 1500 refugjatë shtyhen para një patrulle policore, organizata humanitare britanike Oxfam shpërndan supë, çaj dhe batanije. Koordinatori Chris Leather nuk sheh arsye për t'i dhënë fund alarmit.


"Ajo çfarë kemi përjetuar javën e fundit, këto sulme nga një ngulim në tjetrin - kjo na bën shumë skeptik. Ne llogarisim që kriza të përkeqësohet edhe më shumë".


Artistë, sipërmarrës por edhe veteranë të politikës si Vinnie Mandela vizitojnë rajonet e goditura për të apeluar tek keqbërsit që t'i thërrasin arsyes dhe tu kërkojnë falje viktimave.


"Njerëzitë e kanë humbur besimin e tyre, por unë dua t'u them atyre që përkundër të gjithave nuk do të lodhemi kurrë që t'iu kthejmë nderin në vend. Unë u them në emër të partisë qeveritare ANC dhe të gjithë qytetarëve të brengosur të vendit, na falni. Ne na vjen tmerrësisht keq për atë çfarë ka ndodhur".