1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Studimi: Lumenjtë europianë të ndotur me kimikate

Clara Walther / Lindita Arapi19 Qershor 2014

Lumenjtë në Europë janë shumë më të ndotur se mendohej. Rezultatet e një studimi për lumenjët në Europë janë shqetësuese.

https://p.dw.com/p/1CLuU
Fotografi: imago/imagebroker

Për herë të parë në të gjithë Europën shtetet anëtare të BE-së kishin rënë dakord që të mblidhnin të dhëna për cilësinë e ujërave në vendet e tyre. Kjo nismë u bë edhe baza e studimit të ujërave të kryer nga Instituti për Shkencat ekologjike në Landau dhe Qendra Studimore Helmholtz për mjedisin. Synimi ishte hulutimi i situatës ekologjike në lumenjtë europianë, për të kuptuar nivelin e ndotjes, përmbajtjen e lëndëve kimike që cënojnë lumenjtë në Europë, si edhe efektet e kimikateve ndaj organizmave në këtë mjedis.

Konkluzioni final i studiuesve është se lumenjtë e Europës janë shumë më të ndotur se sa mendohet. Ky përfundim bie ndesh me qëllimin e afatin e vënë nga Bashkimi Europian për përmirësimin e cilësisë së ujërave në të gjithë Europën deri në vitin 2015. Sipas ekspertit Werner Brack BE nuk do ta arrijë këtë qëllim për një kohë kaq të shkurtër.

Ndotja kimike - rreziku kryesor

Studimi tregoi se rrezikun më të madh për sistemin lumor e për pasojë për ekosistemin e përbën ndotja kimike, shpjegon për Deutsche Welle-n, eksperti Werner Brack. Madje në shumë rajone ka një rrezik akut për shkak të përqëndrimit të lartë të kimikateve në ujëra me pasojë madje zhdukjen e organizmave. Ndërkohë që gati gjysma e lumenjve në Europë mund të vlerësohet si mjaft e ndotur, gjë që do të sjellë pasoja afatgjata për ekosistemet, thotë Brack.

Sipas Brack vështirësia kryesore e realizimit të këtij studimi ekologjik ishte larmia e të dhënave mjedisore brenda vendeve anëtare të BE-së, por edhe mënyra e mbledhjes së të dhënave. Ndërkohë që disa shtete europiane kryen matje intensive e reale, e për pasojë janë pozicionuar keq në renditjen ekologjike, si Franca, ka vende që kanë kryer vetëm matje sporadike të cilësisë së ujërave. Studimi jep të dhëna edhe për nivelin e kontrollit ekologjik me këto rezultate: Në veriun e Europës kontrollet e mjedisit ujor funksionojnë, në Jug dhe në Lindje të Europës kontrollet e cilësisë së ujërave ose janë një gjë e dorës së dytë, ose nuk kryhen. Madje disa vende europiane nuk respektojnë standartet et e BE-së për cilësinë e ujërave.

Apel ndaj ekonomisë bujqësore

Këto përfundime të studiuesve bien ndesh me përshtypjen e krijuar se cilësia e ujërave në Europë përmirësohet vazhdimisht. Megjithatë sipas studiuesve nuk duhet harruar se nga viti 1970 në Europë cilësia e ujërave ka shkuar drejt përmirësimit. Për shembull shumë rajone më parë përballeshin me fenomenin e ngordhjes masive të peshqve, gjë që tani përbën vetëm përjashtim. Eksperti Werner Brack thotë se megjithë këtë "rezultatet tregojnë se nuk kemi mbërritur deri aty ku duam".

Werner Brack nga Qendra Studimore Helmholtz për mjedisin
Werner Brack nga Qendra Studimore Helmholtz për mjedisinFotografi: privat

Ndër kimikatet më të rrezikshme për ujërat europiane përmenden pesticidet e ndryshme, ndër to insekticidet, pra kimikatet që luftojnë përhapjen e insekteve, pasi këto dëmtojnë qartë peshqit apo kafshë të ndryshme. Apeli i studiuesve i drejtohet ekonomisë bujqësore. Përdorimi i pestidicideve duhet të reduktohet. Por jo vetëm kaq, sipas studiuesve duhen krijuar rripat e sigurisë për mjedisin. Konkretisht kjo do të thotë që nga të dyja anët e arave që kufizohen me ujëra duhet lënë një hapësirë e caktuar e pambjellë. Këto rripa mjedisi pengojnë që kimikatet të përfundojnë në ujëra.

Ndërkohë puna e studiuesve nuk ka marrë fund me studimin e cilësisë së ujërave në lumenj. Ekspertët gjermanë po hulumtojnë tani edhe efektin që kanë në ujëra, kimikatet e produkteve të përditshme, si ilaçet, shampot, ngjyrorësit e ndryshëm. Përqëndrimi i këtyre kimikateve në ujëra nuk është aq i vogël sa mendohet, thonë ekspertët.