1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Studim: Kriminalitet qysh në vegjëli

A. Shuka/Berlin 12 Shtator 2008

Të rinjtë gjermanë janë po aq gatshëm për dhunë sa ata të huaj, ndërsa 60 përqind e të rinjve kanë bërë të paktën nga një vepër penale në periudhën e adoleshencës

https://p.dw.com/p/FGyJ
Kamp edukimi i të rinjve me akte kriminale në Bedburg Hau në Niederrhein
Kamp edukimi i të rinjve me akte kriminale në Bedburg Hau në Niederrajn(Niederrhein)Fotografi: AP

Sharje, provokime, dhe pastaj goditje. Shkolla Rytli në Nojkëln të Berlinit është e njohur për raste të tilla në oborrin e saj, por deri tani për këtë i është vënë faji përqindjes së lartë të migrantëve. Nëpër statistikat e policisë ata konsiderohen me gatishmëri më të lartë për dhunë se të rinjtë gjermanë. Një studim i ri tregon se nuk ekziston ndonjë dallim i dukshëm mes gjermanëve dhe të huajve, përsa i përket gatishmërisë për dhunë. Gati një e treta e të rinjve nga mosha 13 deri 17 vjeçare kanë ushtruar një herë dhunë me lëndime trupore. Në përgjithësi tre të pestat e të rinjve, pra 60 përqind, kanë bërë nga një akt penal në periudhën e adoleshencës.

Studimi sjell një risi në krahasim me statistikat policore, thotë profesori i kriminalistikës në Mynster, Klaus Bërs (Boers). "Në statistikat policore janë përfshirë vetëm rastet për të cilat policia vetë është në dijeni nëpërmjet denoncimeve", sqaron Bërs. Por jo çdo vepër penale denoncohet. Kështu për shembull, vajzat denoncohen gjashtë herë më pak se djemtë, të huajt shumë më shpesh se gjermanët.


Për gjashtë vjet me radhë, Bërs, së bashku me sociologun nga Bilefeldi, Jost Raineke (Reinecke), kanë shoqëruar karrierën kriminalistike të mbi 3000 të rinjve nga qyteti i Duisburgut. Duke filluar që nga mosha 13 vjeçare, të rinjtë kanë plotësuar në mënyrë anonime çdo vit një pyetësor prej rreth 60 faqesh, lidhur me veprat kriminale, duke filluar që nga vjedhjet e deri tek rrëmbimet duke përdorur armët, por edhe për rrethanat familjare dhe ambjentin shoqëror. "Një rezultat i rëndësishëm është se në fazën e parë, në atë të testimit, kriminaliteti pëson një rritje të shpejtë, por pastaj bie sërish në moshën 15 vjeçare".

Një shkak për këtë kthesë të të rinvje shumë shpesh është bërë ndryshimi i rrethanave në familje. Në përgjithësi edhe ambjenti shkollor luan një rol të madh.

"Kjo do të thotë, se ndërsa deri tani puna parandaluese është bërë në shkollat e mesme, pra në moshën mbi 15 vjeçare, ofertat për trajnime antidhunë, ndërhyrje në raste konflitketsh etj, duhet të fillojnë tani që në shkollat fillore", konkludon Boers.