1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier dhe gjuha gjermane

Arnd Riekmann29 Nëntor 2014

Ministri i Jashtëm pret homologët e tij nga Austria, Zvicra dhe Lihtenshtajni. Ata diskutojnë për krizat e shumta politike në botë, por edhe për rëndësinë e gjuhës amtare.

https://p.dw.com/p/1Dwnj
Fotografi: Fotolia/Yantra

Janë të njëjtat tema, për të cilat diplomacia ndërkombëtare vret mendjen prej muajsh, shpesh prej vitesh: Konflikti në mes Rusisë dhe Ukrainës, bisedimet bërthamore me Iranin, terrorizmi global. Ministrat e jashtëm Frank-Walter Steinmeier, Didier Burkhalter (Zvicër), Aurelia Frick (Lihtenshtajn) dhe Sebastian Kurz (Austri) nuk mundën të raportonin për suksese të enjten në Berlin. Për shkak të situatës së komplikuar në botë që të katërt theksuan nevojën e bisedimeve të mëtejshme. Steinmeier lavdëroi sidomos rolin e Zvicrës në përpjekjen për të gjetur një zgjidhje ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Vendi kryeson momentalisht Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ministri i Jashtëm Burkhalter ka marrë përgjegjësinë dhe ka kontribbuar "që ky konflikt i dhunshëm të mbahet në një farë mënyre nën kontroll", tha Steinmeier.

Për gjermanishten: Kërkesa është më e madhe se oferta

Krahas temave të mëdha politike u trajtua edhe çështja se si mund të përhapet më tej gjuha gjermane. Kërkesa dhe interesi janë aq të mëdha, "saqë ne nuk mund ta kënaqim gjithmonë kërkesën", thotë Steinmeier. Këtë e konfirmon edhe ministri i Jashtëm i Austrisë Kurz. Institutet e gjuhës po përjetojnë një "fluks të madh". Kjo ndodh edhe me 160 institutet Goethe. Gjermanishtja është shumë e kërkuar. Steinmeier thekson se ai punon fort për çështjet brenda fushave të komptencës së tij. Kjo shprehet me shifra: Buxheti për aktivitetet gjuhësore dhe kulturore të instituteve Goethe vitin e ardhshëm do të ngrihet në 215 milionë euro, një plus prej 18 milionësh.

Edhe Deutsche Welle mund të presë në vitet e ardhshme një rritje të moderuar të buxhetit. Rreth 280 milionë euro ka në dispozicion momentalisht transmetuesi ndërkombëtar. Ministri i Jashtëm Steinmeier theksoi se ai është shumë i interesuar, "që Deutsche Welle jo vetëm ta ruajë fushën e veprimit, por edhe ta zgjerojë atë", thekson ministri i Jashtëm Steinmeier. Bisedimet për burimet financiare të Deutsche Welles duhet të zhvillohen me kancelarinë përkatëse.

Ministrat e jashtëm Frank-Walter Steinmeier, Didier Burkhalter (Zvicër), Aurelia Frick (Lihtenshtajn) dhe Sebastian Kurz (Austri)
Ministrat e jashtëm Frank-Walter Steinmeier, Didier Burkhalter (Zvicër), Aurelia Frick (Lihtenshtajn) dhe Sebastian Kurz (Austri)Fotografi: picture-alliance/dpa/EPA/Dragan Tatic/ Ministry of Foreign Affairs

Projekti i përkthimeve "Traduki" dhe Poetry Slam

Diversitetin gjuhësor Steinmeieri e konsideron si një të mirë me vlerë të madhe. Ai vuri theksin në këtë kontekst te projekti i përkthimit "Traduki". Ai u themelua në vitin 2008 si një rrjet privat-publik për letërsinë dhe librat, për të forcuar shkëmbimin kulturor evropian dhe ndërrajonal. Ministria e Jashtme e mbështet financiarisht projektin. Prej tij përfitojnë 13 gjuhë të Europës Qendrore dhe Lindore, që përkthehen në gjermanisht dhe anasjelltas. "Traduki", thotë Steinmeier, përmbush edhe funksionin e një "ndërtuesi politik urash" në kohën e krizave në rritje.

Diversitetin, që mund të paraqesë gjuha gjermane, ministrat e Jashtëm të vendeve gjermanishtfolëse e përjetojnë në pjesën e fundit kulturore të takimit të tyre në vilën Borsig, që gjendet pranë një liqeni idilik. Në një atmosferë të relaksuar të ashtuquajturit artistë të Poetry-Slam japin provat e mjeshtërinë së tyre. Bas Boettcher, Julius Fischer, Dalibor Markovic dhe Dominique Macri janë ekipi, që entusiazmojnë politikanët me akrobacinë e tyre verbale. Në këtë moment problemet e shumta të pazgjidhura të botës për kryediplomatët nga Gjermania, Austria, Zvicra dhe Lihtenshtajni zhvendosen larg.