1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Stefan Fyle: Perspektivë evropiane e Kosovës

Bekim Shehu6 Maj 2014

Komisioneri i BE për Zgjerimin, Stefan Fule tha se Kosova duhet të vazhdojë me reforma, të ndërtojë ura mirëbesimi me fqinjët dhe duhet t'u sigurojë komuniteteve pjesëmarrje në ndërtimin e të ardhmes së përbashkët.

https://p.dw.com/p/1BuUs
Jahjaga dhe Fyle
Jahjaga dhe FyleFotografi: DW/B. Shehu

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, u kërkoi udhëheqësve të institucioneve në Prishtinë që të vazhdojnë me reformat në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane, sidomos reforma në sundimin e ligjit. Ai tha se është shumë e rëndësishme vazhdimi i përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, si dhe mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, të drejta dhe të lira. Komisioneri për Zgjerimin e BE viziton Kosovën dy ditë pasi që ajo dhe BE miratuan tekstin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA). Këtë marrëveshje e mundësoi përmirësimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, pas negociatave disa muajshe ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Stefan Fyle në Prishtinë takoi udhëheqësit më të lartë të institucioneve dhe mori pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar të Kosovës për Integrime Evropiane.

Vazhdimi i reformave

Zyrtari i lartë i BE-së tha se “Kosova duhet të vazhdojë me zhvillimin e reformave, me ndërtimin e urave me fqinjët dhe duhet të sigurojë për të gjitha komunitetet pjesëmarrje në ndërtimin e të ardhmes së përbashkët”.

Thaçi dhe Fyle
Thaçi dhe FyleFotografi: DW/B. Shehu

Kosova ka bërë një përparim të madh në rrugën e saj të gjatë në reformat ekonomike. Suksesi i zhvillimit të një shoqërie prosperuese varet nga vizionet afatshkurta, mendon Fyle. Integrimi evropian në këtë rrafsh është një e arritur e përbashkët që nuk duhet të ishte problem. Përvoja me vendet tjera tregon se rruga drejt integrimit evropian kërkon një konsensus të gjerë nacional.

Komisionari i BE për Zgjerim Stefan Fule, viziton Kosovën në kohën kur po zhvillohen biseda ndërmjet udhëheqësve të subjekteve politike kosovare për shpërndarjen e parlamentit në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Stefan Fule duke folur për procesin e ardhshëm zgjedhor, tha se “zgjedhjet e përgjithshme do të jenë një test i pjekurisë politike për Kosovën”.

Zjgedhjet dhe BE

Stefan Füle
Perspektiva e hapur e Kosovës, por...Fotografi: picture-alliance/dpa

“Kushdo që fiton duhet t'i përmbushë obligimet ndërkombëtare të cilat Kosova i ka nënshkruar. Shpresoj se Këshilli Kombëtar për Integrime Evropiane të jetë në gjendje të konfirmojë se agjenda evropiane e Kosovës është në rrugë të mirë, se dialogu me Serbinë po jep rezultate të mira dhe se e ardhmja evropiane e Kosovës është e sigurt”, tha Stefan Fyle.

Presidentja e Kosovës, Atiftete Jahjaga, e cila kryesoi takimin Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, tha se “mbyllja e negociatave për MSA-në është themel për integrime tutje në BE", duke kërkuar intensifikim të angazhimeve për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës dhe duke vlerësuar se qytetarët e Kosovës nuk e rrezikojnë askënd. "Ata vetëm kërkojnë të jenë të barabartë me qytetarët e shteteve tjera të rajonit”.

MSA rezultat i përpjekjeve të përbashkëta

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, pas takimit me Stefan Fyle, tha se “rruga drejt MSA ka ardhur si rezultat i punës së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Brukselit”, duke siguruar diplomatin evropian se Kosova do të vazhdojë të kultivojë marrëdhënie të mira me vendet fqinjë të saj.

“Sa i përket dialogut, Qeveria dhe institucionet, do të vazhdojmë të jenë të përkushtuara me këtë proces në drejtim të implementimit të marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, tha kryeministri Thaçi.

Kosova filloi zyrtarisht me 28.10.2013, negociatat me Bashkimin Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, MSA. Ky hap sipas qeverisë së Kosovës, shënon një fazë të re të në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në. Marrëveshja e Stabilizim Asocimit do t'ia mundësojë Kosovës në një të ardhme që të fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin e Evropian. Por për të arritur deri në këtë pikë, sipas komisionarit Stefan Fyle nevojitet shume punë për t'u bërë nga ana e institucioneve të Kosovës.