1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Orlando pas atentatit

vfb/haz/wl/as (afp, rtr, dpa)13 Qershor 2016

Një natë me kërcim e muzikë në klubin "Pulse" përfundoi me vdekjen e të paktën 50 vetëve. Eshtë sulmi më i rëndë me armë në historinë e SHBA-së. Shumë qytetarë në Orlando ofrojnë ndihmë.

https://p.dw.com/p/1J5iK
USA Trauerfeier nach Attentat in Orlando
Fotografi: Reuters/C. Allegri

Një zëdhënës i policisë federale të SHBA-së, FBI, deklaroi, se dorasi është Omar Mateen, një nënshtetas i SHBA-së. Përpara se ai të qëllonte verbërisht në një bar në shtetin e Floridës, Orlando, ku vrau të paktën 50 vetë, ai i kish telefonuar në numrin e emergjencës të policisë duke folur në emër të "Shtetit Islamik" (IS). Një agjenci lajmesh e afërt me IS-in nga ana e saj njoftoi të dielën (12.06), se atentatori i Orlandos është "luftëtar" i milicëve IS.

Sipas raidos së IS-it Al-Bajan, Mateen ishte luftëtar i milicëve terroristë të Shtetit ISlamik. "Zoti e ka ndihmuar Omar Mateen", të kryejë një sulm kundër kryqëtarëve në një klub nate, njoftoi të hënën (13.06) radioja në fjalë. Al-Bajan konsiderohet si zëri zyrtar i xhihadistëve në zonën e sundimit të tyre në Siri dhe Irak. Nuk thuhet që sulmi të jetë planifikuar në nivelin e udhëheqjes së IS-it dhe të jetë mandatuar prej saj.

USA Orlando Omar Mateen mutmaßlicher Attentäter
Omar Mateen - atentatori i dyshuarFotografi: Imago/ZUMA Press

FBI-ja e njihte personin

E sigurtë është, që Mateen ka pasur dy herë kontakt me FBI-në, në vitet 2013 dhe 2014. Ai madje është marrë edhe një herë në pyetje nga policia federale. Tek kolegët e punës 29 vjeçari ishte shprehur për lidhjet e mundshme me terroristët. Aktualisht ai nuk ndodhej nën mbikqyrje. Armët Mateen para pak kohësh i kishte siguruar legalisht.

Sipa mediave në SHBA atentatori ka lindur në Nju Jork si fëmija i një çifti afgan. Vitet e fundit ai jetonte në Florida. Ai punonte për një firmë private sigurie.

Motivi urrejtja ndaj homoseksualëve?

Babai i atentatorit të pandehur ka përmendur si motiv të mundshëm të atentatit urrejtjen ndaj homoseksualëve dhe i ka përjashtuar arsyet religjoze. Djali i tij kishte qenë mjaft i shqetësuar nga fakti, që dy burra ishin puthur në prani të gruas dhe djalit të tij, i tha Mir Seddique televizionit NBC News. "Ata e bëjnë këtë dhe djali im i sheh", ka thënë ai. Gruaja e divorcuar prej Mateensit më 2011 tha, se bashkëshorti i saj kishte qenë i dhunshëm, i pakalkulueshëm në veprime dhe i çoroditur mendërisht. Katër muaj pas martesës atë e shpëtuan pjestarët e familjes së saj prej bashkëshortit Mateen.

Atentatori i armatosur me automatik dhe një armë revolver natën në të gdhirë të ditës së dielë hapi zjarr në klubin e natës. Sipas autoriteteve në Orlando polica dhe atentatori kanë pasur shkëmbime zjarri para derës së klubit. Atentatori më pas ishte fshehur në brendësi të godinës, ku mbajti disa persona si peng.

Punonjësit e policisë, sipas këtyre të dhënave, ia dolën që me ndihmën e lëndës shpërthyese të futen në klub. Ky klub nuk është ndonjë sallë e madhe, por një ndërtesë e degëzuar me shumë salla. "Të paktën 30 pengje arritën të shpëtohen nga aksioni i policisë", tha shefi i policisë lokale John Mina. Atentatori kishte qenë "i organizuar dhe i përgatitur shumë mirë".

Shumë të shtëna të menjëhershme

Sipas Mina, në klub ndodheshin më shumë se 300 klientë. Sipas mediave, në program ishte një "Latin Night", një natë me muzikë latineo-amerikane. Sipas dëshmitarëve okularë të shtënat nisën, kur shumë njerëz ishin duke kërcyer. Po ashtu dëshmitarët okularë thonë, se ka pasur dhjetra të shtëna njëra pas tjetrës.

Krahas 50 të vdekurve ka edhe mbi 50 të plagosur. Bari, në të cilin ndodhi sulmi më i rëndë me armë në historinë e SHBA-së, ndodhet në qendër të Orlandos. Qyteti është një destinacion i preferuar turistik. Edhe parku i argëtimit Disney World tërheq në Orlando çdo vit miliona turistë.

Atentatori i pandehur Omar Mateen ishte shtetas i SHBA-së dhe së fundi jetonte në St. Lucie në Florida. Me një makinë me qira ai udhëtoi deri në Orlandon rreth 170 km. larg. Sulmi ndodhi gjatë së ashtuquajturit muaji Gay Pride, kur në mbarë vendin zhvillohen parada homoseksualësh dhe festa.

CAIR e dënoi sulmin

Organizata më e madhe e myslimanëve në SHBA, e dënoi ashpër masakrën në Orlando. "Nuk ka asnjë justifikim për të tilla krime", tha Nihad Awad vom CAIR (Council On American-Islamic Relations). Ai tha: "Si mundet të besojë në këtë mënyrë një njeri, se flet në emrin tonë? Kjo është e kundërta e gjithçkaje, për çfarë jemi ne, si myslimanë dhe si amerikanë." Atentatori i Orlandos është edhe sipas së drejtës islame jashtë ligjit.

Atentati në Orlando është më i rëndë në SHBA që pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Në Nju Jork kryebashkiaku Bill de Blasio udhëzoi masa shtesë sigurie në qendrat për homoseksualët dhe lesbiket.

USA One World Trade Center Spitze in Regenbogenfarben
Fotografi: picture-alliance/Zuma Press/A. Lohr-Jones

World Trade Center shkëlqen në ngjyrat e ylberit

Në shenjë solidariteti me viktimat e sulmit në Orlando flamuri në World Trade Centers në Nju Jork u vendos në gjysmështizë. Dritat e Empire State në Manhattan u fikën, për të shprehur dhimbjen prej masakrës më të tmerrshme të një atentatori të vetëm në historinë e SHBA-së.

Në Los Angeles të dielën para fillimit të paradës së homoseksualëve u arrestua një person i armatosur. Fillimisht autoritetet bënë fjalë për një person që "donte të bënte dëm". Polica ndërkohë e ka tërhequr këtë deklaratë. I arrestuari nuk ka lënë të kuptohet, se ka pasur qëllime të këqia, por për armëmbajtje dhe posedim të lëndës shpërthyese ai po mbahet në arrest. Pas masakrës shumë qytetarë në Orlando ofrojnë ndihmë ose japingjak për të plagosurit.