1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO: Shqipëria mbështet zyrtarisht anëtarësimin e Ukrainës

22 Shtator 2023

Presidenti i Ukrainës dhe kryeministri i Shqipërisë nënshkruan deklaratë të përbashkët për integrimin euro-atlantik të Ukrainës.

https://p.dw.com/p/4WfNh
Edi Rama me kostum dhe kollare të kuqe
Fotografi: Virginia Mayo/AP/picture alliance

Burime zyrtare nga Ambasada e Ukrainës në Tiranë, thanë për DW (21.09), se ”Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nënshkruan një deklaratë të përbashkët për integrimin euro-atlantik të Ukrainës.

Me deklaratën e nënshkruar nga presidenti ukrainas Zelensky dhe kryeministri shqiptar Rama, Shqipëria bëhet vendi i 25-të që zyrtarizon në mënyrë të qartë mbështetjen për anëtarësimin e Ukrainës në Aleancën Euro-Atlantike, theksojnë burimet nga Ambasada e Ukrainës në Tiranë.

Të njëjtat burime bëjnë me dije që në takimin dypalësh, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi "zyrtarisht gatishmërinë e Shqipërisë për t'iu bashkuar Deklaratës së Përbashkët të G7-për mbështetjen e Ukrainës lidhur me dhënien e garancive të sigurisë."

Me këtë njoftim zyrtar Shqipëria bëhet vendi i 29-të në listën e aleatëve të Ukrainës. Garancitë efektive të sigurisë duhet t'i jepen Ukrainës para se ajo të bëhet anëtare e NATO-s. Shqipëria kryeson për herë të dytë Këshilin e Sigurimit të OKB-së.

Ambasada Gjermane në Tiranë uron Shqipërinë

Shqipëria u bë anëtare e OKB-së më 14 dhjetor 1955. Për herë të parë ajo u bë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit (KS) të OKB-së më 1 janat 2022 me një mandat dy vjeçar 2022-2023. Pas qershorit 2022 ajo mori për herë të dytë, në shtator të këtij viti, presidencën një mujore të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjë që përkon në kohë me drejtimin e një prej seancave më të rëndësishme në dekadën e fundit, atë kushtuar agresionit të paligjshëm dhe të paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës.

Presidenti Zelenskyj, kryeministri maqedonas, Kovaçevski dhe Edi Rama shtrëngojnë duart -pamje nga takimi më 6 qershor 2023
Presidenti ukrainas, Zelenskyj, kryeministri maqedonas, Kovaçevski dhe Edi Rama -pamje nga takimi më 6 qershor 2023Fotografi: Presseservice der Regierung Nord-Mazedoniens

"Debati i nivelit të lartë synon të mobilizojë gjithë botën në përpjekjet e përbashkëta për të dënuar luftën në Ukrainë dhe rritur trysninë ndaj Rusisë për të kthyer rrugë dhe për t'i lënë vend nisjes së procesit të paqes së drejtë”, publikoi kryeministri Rama qëllimin e kësaj seance të drejtuar prej tij në sallën e Këshillit të Sigurimit të OKB, Në Nju York.

"Shqipëria ka vendosur të verë theksin në nevojën thelbësore për një veprim efektiv shumëpalësh, si metoda më e mirë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, sidomos të paqes e sigurisë, si në diskutimin e Këshillit të Sigurimit (KS) ashtu edhe më gjerë, mes anëtarëve të Kombeve të Bashkuara” tha Kryeministri Rama, sipas Zyrës së Shtypit në Kryeministri.

Ambasada Gjermane në Tiranë i ka uruar suksese Shqipërisë në fillimin e presidencës së saj të dytë të KS të OKB duke e cilësuar rolin e Shqipërisë, "një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurisë botërore, zgjidhjes së konflikteve dhe mbrojtjes të së drejtave të njeriut në nivel global, përfshirë edhe agresionin rus në Ukrainë”

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana