1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Progres Raport 2023 - Korrupsioni shqetësim serioz

9 Nëntor 2023

Komisioni Europian në Progres Raportin për Shqipërinë 2023, të publikuar të mërkurën, (08.11) vlerëson progresin e Shqipërisë “në një nivel të moderuar përgatitjeje”.

https://p.dw.com/p/4Yasi
Kryeministria -pamje ballore
Fotografi: Marina Strauß/DW

Anëtarësimi është dhe do të mbetet një proces i bazuar në merita, plotësisht i varur nga progresi objektiv i arritur nga secili vend, bën me dije Komisioni Europian, KE. Në Progres Raportin për Shqipërinë 2023 të publikuar të mërkurën, (08.11) Komisioni Europian vlerëson progresin e Shqipërisë "në një nivel të moderuar përgatitjeje” në procesin e anëtarësimit ne BE.

Raporti në fjalë identifikon korrupsionin si një shqetësim serioz në përpjekjet e Shqipërisë në këtë proces. Sipas KE niveli i përgatitjes së Shqipërisë për të luftuar dhe reduktuar korrupsionin është "nën mesataren” e duhur. "Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit. Masat parandaluese vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, sidomos në sektorë të cënueshëm, për të cilët nevojiten vlerësime të synuara të rrezikut dhe veprime të përkushtuara,” vë në dukje KE në Raport Progresin 2023 për Shqipërinë.

KE vlerëson Strukturën e Posaҫme Antikorrupsion, (SPAK) për hetimet që ka kryer "për një sërë çështjesh të nivelit të lartë, duke urdhëruar disa arrestime dhe dënime.” Në raport theksohet që SPAK "duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme për të siguruar ndjekjen e duhur gjyqësore në rastet e verifikimit kur ka indikacione për vepra penale”. "Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare në nivel të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e mosndëshkimit,” rekomandon KE.

Tirana - Muzeu Historik
Fotografi: Micha Korb/pressefoto korb/picture alliance

Lufta kundër krimit të organizuar-nën nivelin mesatar

Ky konstatim shoqërohet me rekomandimin për "më shumë përpjekje në luftën kundër drogave të paligjshme, në rritjen e kapaciteteve të autoriteteve të zbatimit të ligjit”. Raporti konstaton progres në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të lidhura me krimin e organizuar, i cili "duhet të vazhdojë". KE në këtë raport thekson që  "lufta kundër krimit kibernetik, pastrimit të parave, trafikimit të qenieve njerëzore mbeten fusha në të cilat nevojiten rezultate shtesë." "Të dhënat për rastet e pastrimit të parave dhe korrupsionit në nivel të lartë mbeten të pamjaftueshme. Hetimet financiare duhet të zhvillohen më tej,” vë në dukje KE në Progres Raportin, Shqipëria 2023.

Gjyqësori: Nivel mesatar përgatitjeje.

"Efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe qasja në drejtësi vazhdon të cënohet  nga afati i gjatë i procedurave, ngarkesa e shtuar e punës dhe numri i madh i çështjeve të pazgjidhura, që është veçanërisht i lartë në gjykatat e Apelit dhe ato të Shkallës së Parë,” konstaton raporti i KE.

"Shqipëria duhet të sigurojë që procedurat penale të nisin sistematikisht kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, procesi i verifikimit të të cilëve ka zbuluar elementë penalë,” rekomandon KE.

Kryeministri, Edi Rama duke folur në parlament
Fotografi: Albania Prime Minister,Press Office

Parlamenti mbikqyrje të kufizuar ndaj qeverisë

Në vlerësimin e arritjes së kritereve politike, KE në Progres Raportin 2023 për Shqipërinë konstaton që  "mbikëqyrja parlamentare e ekzekutivit ka mbetur e kufizuar”. "Qeveria, ndërkohë që vendos reformat për afrimin me BE në qendër të politikave dhe planifikimit legjislativ, duhet të jetë e përmbajtur lidhur me masat që nuk janë në përputhje me standardet e BE-së. Ajo duhet të angazhohet në një komunikim më të fuqishëm publik për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE,” thekson raporti.

KE e karakterizon situatën politike në Shqipëri „të shënjuar nga polarizimi politik, në sfondin e përçarjeve të thella, të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare.”

Liria e Shprehjes - përparim të kufizuar

"Shqipëria ndodhet mes njëfarë niveli dhe një shkalle mesatare përgatitjeje lidhur me lirinë e shprehjes,” thekson raporti. KE konstaton që "ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës, mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqëndrimi i pronësisë së medias, frikësimi dhe kushtet e pasigurta të punës vazhduan të pengojnë pavarësinë e medias, pluralizmin dhe cilësinë e gazetarisë. Atmosfera e sulmeve verbale dhe fizike, fushatave të shpifjeve dhe padive për frikësim ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar.”

Sheshi Skënderbej
Fotografi: Niklas Mönsch/DW

A do të hapë Shqipëria bisedimet për grupkapitujt e parë?

Pas publikimit të Raport Progresit 2023, kjo do të bëhet e ditur në mbledhjen e Këshillit Europian më 14-15 dhjetor të këtij viti. KE u ka kërkuar 27 shteteve anëtare të BE që Shqipëria të hapë bisedimet për këto grup-kapitujsh brenda këtij fund-viti. Këta kapituaj janë nga më të rëndësishmit pasi kanë të bëjnë me demokracinë, funksionimin e institucioneve demokratike dhe prokurorimet publike. Që bisedimet të hapen duhet mbështetja unanime e 27 vendeve në Këshillin Europian të shteteve anëtare të BE.

Shqipëria rrezikon të mos marrë mbështetjen e Greqisë për shkak të ҫështjes Beleri, kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës, i burgosur dy ditë para Lokaleve 2023 me akuzën për shit-blerje votash.

Autoritetet greke e konsiderojnë arrestimin dhe burgosjen e Fredi Belerit, më 12 maj të këtij viti “cënim të shtetit të së drejtës, shkelje të të drejtave civile, mosrespektim të të drejtave politike.” Ata kanë paralajmëruar ndikimin negativ të burgosjes së Belerit në procesin integrues të Shqipërisë në BE.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana