1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krichbaum: Të gjithë janë të barabartë para ligjit

28 Tetor 2023

Deputeti gjerman, Gunther Krichbaum i cili ndodhet në Tiranë, tha se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri duhet të jetë serioze. Në procedura të pavarura të gjyqësorit nuk duhet të përfshihet politika.

https://p.dw.com/p/4Y9Ds
Gunther Krichbaum duke folur në sallën plenare
Deputeti gjerman Gunther Krichbaum Fotografi: Thomas Imo/photothek/picture alliance

Zëdhënësi për Çështjet Evropiane i Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, Gunther Krichbaum, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë, deklaroi se „imuniteti parlamentar nuk është privilegj për deputetë të caktuar." Në një konferencë për shtyp, të zhvilluar në Tiranë ai iu referua edhe ish-kryeministrit Berisha. „Nuk do të takoj Sali Berishën që është nën një akuzë të rëndë nga Struktura e Posaҫme Anti-Korrupsion, (SPAK) deri sa të shprehet gjykata. Bëhet fjalë për akuza penale." Krichbaum bëri thirrje për mbështetje të drejtësisë. Ai i quajti "deklaratat për politizim të SPAK si absurde. SPAK duhet mbrojtur, jo sulmuar. Imuniteti nuk është një privilegj për parlamentarë të caktuar. Ai mbron funksionalitetin e parlamentit", theksoi Gunther Krichbaum.


Sali Berisha në protestë
Sali Berisha në protestëFotografi: Ani Ruci/DW

Deklaratat e Gunther Krichbaum vijnë pothuajse një javë më pas marrjes nga SPAK të masës së sigurisë "detyrim për paraqitje pranë policisë gjyqësore" dhe „ndalim të daljes jashtë shteti përmes bllokimit të pasaportës" ndaj deputetit demokrat, ish-kryeministrit Berisha nën akuzën për korrupsion pasiv në bashkëpunim. Masat e sigurisë lidhen me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv „Partizani" në Tiranë, në të cilin është i përfshirë edhe dhëndrri i tij, Jamarbër Malltezi, ndaj të cilit SPAK ka marrë masën e sigurisë arrest me burg dhe i ka konfiskuar pasuritë.

Shqipëri ka shumë Berisha, shumë Tahira e shumë Ahmetaj. SPAK po bën gjithçka në mënyrë të tillë që ata që më parë konsideroheshin të paprekshëm të jenë subjekt i ligjit. Ka disa që kërkojnë ta bëjnë shtetin plaçkë të tyre", tha ai në konferencën për shtyp duke iu referuar luftës kundër rasteve të deritanishme të ndëshkimit të korrupsionit në nivel të lartë.

Ҫështja Berisha procedurë e pavarur e gjyqësorit

Gunther Krichbaum tha se Bundestagu gjerman „po ndjek me shumë vëmendje „ barazinë para ligjit për këdo". „Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë serioze", theksoi deputeti kristiandemokrat.

Krichbaum theksoi se në ҫështje të tilla „nuk duhet të përfshihet politika. "Për këdo të akuzuar ekziston prezumimi i pafajësisë, deri sa pafajësia të dëshmohet në gjykatë. Në rastin e ish-kryeministrit Berisha bëhet fjalë për procese që përfshijnë prona të caktuara. Amerika e ka shpallur atë non-grata", vuri ai në dukje.

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,(GJKKO) ka urdhëruar  "shtetasin nën hetim Sali Berisha, të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00 në policinë gjyqësore pranë SPAK". Ish Kryeministri Berisha ka refuzuar të njihet me masat e sigurisë të marra nga SPAK. Sipas ish-kryeministrit Berisha masat e sigurisë të marra nga SPAK janë antikushtetuese dhe jo në përputhje me ligjin. Ish-kryeministri Berisha e akuzon SPAK si të politizuar dhe instrument politik në duart e qeverisë Rama.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana