1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëUkrainë

Kremlini dënon miratimin e ndihmave amerikane për Ukrainën

22 Prill 2024

Me shumë gjasa së shpejti drejt Ukrainës do të rrjedhin ndihma të tjera amerikane. Në një kohë që perëndimi është i lehtësuar, Kremlini reagoi i nervozuar.

https://p.dw.com/p/4f1vT
Përgatitje për luftime në batalionin e 2 të brigadës 92 të Ukrainës, ushtar me një predhë, borë mbi tytën e topit
Përgatitje për luftime në batalionin e 2 të brigadës 92 të UkrainësFotografi: Inna Varenytsia/REUTERS

Pas debatit të gjatë e të ashpër brenda Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, me gjasë drejt Ukrainës do të rrrjedhin shpejt miliarda të tjera ndihmash ushtarake. Perëndimi reagoi i lehtësuar pas miratimit të ndihmave amerikane për Ukrainën. Kancelari gjerman, Olaf Scholz e përshëndeti vendimin dhe shpreson për një vendim të shpejtë të senatit amerikan. "Ky është një mesazh i mirë që Dhoma e Përfaqësuesve tani ka marrë vendimin për mbështetjen e mëtejshme financiare të Ukrainës me armë." Së bashku me mbështetjen europiane ky është një "mesazh shumë i qartë për Vladimir Putin", tha Scholz në Hanover të dielën (21.04.)

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e përshëndeti vendimin në SHBA. "Ukraina i përdor armët që venë në dispozicion aleatët për të shkatërruar kapacitetet ruse", shkroi ai në X. "Kjo na bën ne të gjithëve më të sigurtë, në Europë dhe në Amerikën e Veriut."

Kapitoli në muzg
Fotografi: picture-alliance/dpa/Bildfunk/epa/J. L. Scalzo

Rusia dënon miratimin në SHBA

Rusia e dënoi miratimin në Dhomën e Përfaqësuesve. "Vendimi për të miratuar ndihmat Ukrainën ishte i pritshëm dhe i parashikuar", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov për agjencinë ruse, Tass. "Ato do t'i bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe më tej të pasura dhe do të shkatërrojnë më shumë Ukrainën, e do të çojnë tek më shumë ukrainas të vdekur."

Në të njëjtën kohë, Peskov paralajmëroi edhe njëherë SHBA të heqë dorë nga konfiskimi i pasurisë ruse. SHBA do të përgjigjen për këtë, nëse kjo do të bëhet vërtet. Rusia, sipas interesave të veta, do të japë një përgjigje për këtë, u shpreh më tej zëdhënësi i Kremlinit. Detajet e vendimit duhen analizuar. Me miratimin e ndihmave për Ukrainën, Dhoma e Përfaqësuesve të shtunën votoi edhe për konfiskimin e vlerave të pasurive të ngrira ruse për të financuar rindërtimin në masë të madhe të Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov me gishtin ngritur
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri PeskovFotografi: Mikhail Tereshchenko/TASS/dpa/picture alliance

Pas muajsh bllokade nga republikanët, të shtunën (20.04.) u miratua një projektligj që parashikon 61 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën. Miratimi i Senatit nuk është dhënë ende, por konsiderohet i sigurtë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski shkroi në platformën X "Faleminderi Amerikë". Kemi shansin "stabilizojmë situatën dhe të marrim iniciativën", shkroi Zelenski dhe kërkoi që të mos ketë vonesa mes miratimit dhe dërgimit konkretisht të ndihmave.

 

 

la/ag