1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Maqedonia e tronditur, por jo e pashpresë

Zoran Jordanovski12 Maj 2015

Megjithëse ka ende paqartësi në konfliktin e përgjakshëm në Maqedoni, ky konflikt zgjoi vëmendjen e botës për zhvillimet në vend. Sepse kriza maqedonase ka kohë që ekziston, mendon Zoran Jordanovski.

https://p.dw.com/p/1FO4W
Bildergalerie Kumanovo Kämpfe Nachklapp
Fotografi: Reuters/O. Teofilovski

Ishte një përpjekje për të zgjuar fantazmat e vitit 2001. Shumë detaje të kujtojnë ngjarjet e atëhershme: Njoftime në media për shfaqjen e një grupi të armatosur të panjohurish në kufirin kosovaro-maqedonas në rajonin verilinor të Shkupit, "një terreni të sprovuar" për aktivitete të tilla, sulm i një grupi të armatosur kundrejt një pike kufitare maqedonase dhe një qeveri që gati e injoroi këtë.

Por kanë kaluar 14 vjet nga këto zhvillime dhe rrethanat e këtij konflikti janë të ndryshme. Marrëveshja e Ohrit, e cila mundësoi konfliktin e përgjakshëm mes forcave maqedonase të sigurisë dhe kryengritësve shqiptarë ka dhënë efektin e saj. Nga njëra anë shqiptarët, gati një e treta e popullsisë maqedonase janë më mirë të përfaqësuar në institucionet publike, nga ana tjetër edhe maqedonasit etnikë e kanë pranuar këtë. Marrëdhëniet ndëretnike në vend janë ende të brishta, por shumë më të stabilizuara se në kohën e konfliktit. Fakti që aksioni i grupit të armatosur nuk gjeti mbështetjen e partive politike të shqiptarëve dhe popullsisë shqiptare në Maqedoni është dëshmi e kësaj.

Deutsche Welle Mazedonisch Zoran Jordanovski
Zoran JordanovksiFotografi: DW/P. Henriksen

Stabilitet i brishtë

Por megjithatë pas këtij incidenti të rëndë me së paku 22 të vdekur, 8 policë dhe 14 vetë nga grupi i armatosur, mbetet e hapur pyetja: Pse ndodhi Kumanova? Është ende herët për një përgjigje të qartë, një ditë pas këtyre zhvillimeve. Për përfaqësuesit politikë të nivelit më të lartë në Maqedoni ishte një "akt terrorist nga jashtë me qëllim destabilizimin e shtetit". Ndërsa në opinionin publik gjen spekulime nga më të ndryshmet: Herë bëhet fjalë për një aksion kriminelësh për të siguruar rrugët e trafikut, apo komplot ndërkombëtar për të penguar planet ruse për gazsjellësin, ku sipas spekulimeve, Maqedonia shihet si hallka më e dobët e zinxhirit të zgjedhur Turqi-Greqi-Maqedoni-Serbi-Hungari. Herë flitet për një manovër të qeverisë Gruevski për të tërhequr vëmendjen nga akuzat aktuale për korrupsion masiv dhe keqpërdorim të pushtetit.

Pavarësisht nëse ka lidhje mes akuzave të lartpërmendura dhe ngjarjes në Kumanovë apo jo, shumë njerëz në Maqedoni janë habitur me përmasat e incidentit. Ka pasur disa paralajmërime se qarqe përreth kryeministrit Gruevksi mund të inskenojnë një konflikt ndëretnik si mjet të fundit, para se opozita të publikojë raste të tjera të rënda të keqpërdorimit të pushtetit dhe demonstratës së madhe të planifikuar më 17 maj. Regjistrime protokollesh policore që gjenden në duart e opozitës e po publikohen rregullisht dëshmojnë për raste të rënda korrupsioni, keqpërdorim masiv të pushtetit, përpjekje për fshehjen e vrasjes së kryer nga një polic etj. Të gjitha këto e kanë tronditur rëndë pozicionin e kryeministrit.

Zgjim i ndërgjegjes qytetare në Maqedoni

Por më e rrezikshme për qeveritarët në Maqedoni, mendoj, po kthehet zgjimi i ndërgjegjes qytetare nga një gjumë i gjatë. Demonstrata të përditshme me qindra e mijëra protestues, së pari në Shkup e më pas edhe në qytete të tjera. Më e rëndësishmja: Në këto protesta demonstruan bashkë maqedonas, shqiptarë dhe serbë bashkë që thërrasin "së bashku jemi më të fortë" dhe tregojnë flamurin maqedonas, shqiptar dhe serb të lidhur bashkë. Pavarësisht se kush fshihet pas konfliktit në Kumanovë: Kush ka interes për një Maqedoni të destabilizuar, ai me sa duket duhej të vepronte shpejt, kur ka parë këto pamje me karakter simbolik.

Krahas këtyre duhet përmendur edhe një aspekt tjetër. Politika ndërkombëtare duhej t'i kushtonte vëmendje shumë më herët zhvillimeve në Maqedoni. Në kohën që shtoheshin hijet e konfliktit në Ukrainë, dhe vazhdonte kriza e euros, në Maqedoni gjendja shkallëzohej. Kriza ka filluar shumë më herët. Pas samitit të NATO-s në vitin 2008 dhe vetos greke kundër pranimit të Maqedonisë, u vunë re tendenca negative, që janë forcuar me kalimin e kohës. Vullneti për reforma është dobësuar, ushtrimi autoritar i pushtetit u bë gjithnjë e më prezent, Maqedonia megjithë rekomandimet e BE-së për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit bën hapa mbrapa.

Dialogu politik në vend ka ngecur, opozita e bojkoton deri më sot parlamentin. Këto zhvillime mund të ndaleshin kohë më parë, por me sa duket vetoja greke ishte një pretekst edhe i kundërshtarëve të tjerë të zgjerimit. Edhe pas fajësimeve drejtuar qeverisë nuk ka pasur ndonjë reagim energjik ndaj Shkupit zyrtar. Tani BE-së do t'i kushtojë shumë më tepër rikthimi i Maqedonisë në rrugën e duhur. Por kjo duhet të ndodhë, dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë besim se ka shumë qytetarë në Maqedoni që dëshirojnë një vend tjetër, modern, dhe vërtet demokratik.