1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fitorja e Erdogan-it: mandat për barazpeshë?

Bernd Grässler3 Nëntor 2015

Qeveria e lëvdon Ankaranë për zgjedhjet „paqësore“. Opozita flet për „një lloj gjendjeje të jashtëzakonshme“, e cila e favorizoi fitoren e AKP-së. Gjermania dhe Europa e nxisin presidentin Erdogan të kërkojë pajtim.

https://p.dw.com/p/1GyXF
Turqia ne zgjedhje
Fotografi: Reuters/S. Nenov

„Ne e përshëndesim faktin, që zgjedhjet parlamentare në Turqi u zhvilluan në mënyrë paqësore“, tha zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert në Berlin. Pjesëmarrja shumë e lartë në zgjedhje nxjerr në pah përkushtimin e lartë të popullit turk ndaj demokracisë. Në Turqi pjesëmarrja në zgjedhje është e detyrueshme, por dënimi për mospjesëmarrje është shumë i ulët.

Luftën kundër Shtetit Islamik, konfliktin me kurdët, polarizimin e brendshëm politik dhe kapërcimin e pasojave të krizës në Siri, zëdhënësi i Merkel-it i cilësoi si sfida, parat të cilave qëndron Turqia. Ai tha se është e rëndësishme që qasja ndaj këtyre sfidave të jetë „në frymën e unitetit kombëtar dhe të gatishmërisë për kompromis“, siç u shpreh Kryeministri Ahmed Davutoglu natën e zgjedhjeve.

Steffen Seibert
Steffen SeibertFotografi: picture-alliance/AA/Mehmet Kaman

Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme Gjermane deklaroi, se ka patur „pëshpëritje pozitive“ nga Davutoglu, kandidati kryesor i AKP-së. Kjo të bën të shpresosh, që po bëhen hapa përpara në procesin e ngecur të paqes me kurdët dhe në çështjen e refugjatëve. Ajo tha se do të ketë një takim të tretë në kuadrin e „Dialogut për Migracionin“ me Turqinë, të iniciuar nga Ministri i Jashtëm Steinmeier.

Shefi i Grupit Parlamentar Socialdemokrat në Bundestag, Thomas Oppermann, shfaqi habi për shumicën absolute të AKP-së dhe e paralajmëroi Presidentin Rexhep Tayyip Erdogan që ta përdorë atë me kujdes.

Mandat për barazpeshë

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, gjithashtu një socialdemokrat, i tha DW-s, se AKP-së me fitoren e zgjedhjeve i është ngarkuar edhe detyra, që t'i kushtojë vëmendje barazisë dhe stabilitetit të brendshëm. Turqia është tejet e dyzuar, si AKP-ja ashtu edhe opozita kanë marrë pothuajse gjysmën e votave.

Për të Majtët e opozitës dhe të Gjelbrit rezultatet e zgjedhjeve nuk duhen marrë aspak si të mirëqena. Politikanja e majtë, me prejardhje turke, Sevim Dagdelen deklaroi për DW-n, se nga shumë vrojtues të zgjedhjeve ajo dinte se ka patur pengesa, sidomos në zonat elektorale kurde.

Kështu në qytetin kurd Cizre, i cili kohët e fundit u sulmua nga ushtria, për shkak të një „njoftimi për zona të minuara“ u ndaluan 40 makina që po i drejtoheshin zonës elektorale për të votuar. Udhëtarët nuk u lejuan të hidhnin votën e tyre. Policia dhe ushtria i kishin detyruar njerëzit të votonin jo në fshehtësi, por hapur.

Thomas Oppermann
Thomas OppermannFotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

Përveç kësaj, në mediat shtetërore janë publikuar para kohe rezultate të zgjedhjeve, të cilat sipas vrojtuesve të zgjedhjeve nuk u përgjigjeshin ecurisë së numërimit. Dagdelen u ankua, se në këtë mënyrë kishin dalë në shesh llogaritjet e Erdogan-it për rifitimin e shumicës absolute.

Erdogan i ka fituar votat përmes një strategjie tensionesh, një klime të ankthit dhe frikësimit si dhe ndërprerjes së procesit të paqes me kurdët, tha deputetja e Majtë e Bundestag-ut. Por ajo i gëzohet faktit, që partia kurde HDP, megjithë valën e represionit, arriti të rikthehej në parlament.

Shefi i të Gjelbërve pret të ketë refugjatë turkë

Politikani i Gjelbër, Omid Nouriour i tha Programit Turk të DW-s, se duhet të priten raportimet e vrojtuesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve. Për shkak të një fushate zgjedhore të papërgjegjshme nga ana e AKP-së, në Turqi ka mbizotëruar një lloj gjendjeje e jashtëzakonshme. Në pallatin presidencial ka njerëz, „të cilët patën guximin të pranonin futjen e vendit në një luftë civile, por kryesorja, në këtë mënyrë ata fituan zgjedhjet".

Shefi i të Gjelbërve, Cem Özdemir mendonte se do të kishte madje edhe një valë refugjatësh nga Turqia drejt Gjermanisë. Politikani me prejardhje turke tha në një intervistë për radion, se nuk mund t'u vësh faj atyre njerëzve, që nuk duan të jetojnë në një vend, të cilin Erdogan e ka shndërruar gjithmonë e më shumë në një regjim të llojit të Putin-it. Bashkëfajtore është, sipas tij, edhe qeveria federale, pasi kancelarja Merkel e vizitoi Erdogan-in në Turqi në mes të fushatës zgjedhore.

Shumicë për AKP-në mes turqve të Gjermanisë

Komuniteti Turk në Gjermani u ka bërë thirrje kundërshtarëve dhe përkrahësve të AKP-së, që jetojnë këtu, që të tregohen paqësorë me njëri-tjetrin, megjithë mendimet e ndryshme që kanë. Në Shtutgart, natën e zgjedhjeve ka patur përleshje, kur njerëz të maskuar qëlluan me gurë një autokolonë me përkrahës të AKP-së.

AKP-ja kishte marrë gati 60% të votave nga 2,9 milion turqit me të drejtë vote në Gjermani, raportoi agjensia e lajmeve Anadolu. Lidhur me këtë, kryetari i Komunitetit Turk në Gjermani, Gökay Sofuoglu, tha se projektet infrastrukturore të ndërmarra nga AKP-ja kanë luajtur një rol më të madh se politika „e mangët“ e të drejtave të njeriut.