1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edi Rama në Kosovë, Albin Kurti nuk pranon ta takojë

7 Korrik 2023

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qëndroi të enjten (06.07.) në Prishtinë, ku takoi Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, por jo kryeministrin Albin Kurti.

https://p.dw.com/p/4TZ6q
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi RamaFotografi: Office of the President fo Kosovo

Megjithë kërkesën e Edi Ramës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi ta presë kryeministrin e Shqipërisë, në një takim të veçantë. Kryeministri Kurti tha se nuk e sheh të arsyeshëm një takim të tillë pa mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive, e cila u anulua një ditë para se të niste punimet në muajin qershor nga kryeministri Edi Rama.

Kurti tha se "për shkak të anulimit të paarsyeshëm të kësaj mbledhjeje, po dëmtohen qytetarët e të dyja vendeve duke mos përfituar nga 13 marrëveshje që ishin planifikuar të nënshkruheshin gjatë asaj mbledhjeje”.

Para nisjes për një vizitë në rajon, si përgatitje për takimin e Procesit të Berlinit, kryeministri Rama i nënshkroi këto 13 marrëveshje dhe ua dorëzoi  autoriteteve të Kosovës, duke theksuar se me nënshkrimin edhe nga ana e  Kosovës, ato hyjnë menjëherë në fuqi. Në orët e vona të së enjtes (06.07.) edhe qeveria e Kosovës i nënshkroi 13 marrëveshjet, që mbulojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, nga siguria e drejtësia deri tek arsimi dhe kultura.

Takimi Osmani-Rama

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani njoftoi përmes një komunikate për media se me kryeministrin shqiptar Rama kishte diskutuar për gjendjen aktuale në Kosovë e rajon, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

"U bisedua për domosdoshmërinë e hyrjes në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani në këtë proces të Berlinit, e sidomos asaj që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, si dhe për mundësinë e rritjes së projekteve dhe fondeve përfituese për vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit", thuhet në njoftimin e presidencës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi RamaFotografi: Office of the President fo Kosovo

"Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për t'i adresuar sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni së bashku me partnerët euroatlantikë. Ajo theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit” thuhet në njoftim.

Edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, tha pas takimit me kryeministrin Rama se nuk ka një acarim të marrëdhënieve ndërmjet kryeministrave aq sa mos të takohen fare.

"Ne kemi qenë të lënduar prej anulimit të mbledhjes së qeverive, po jo aq të lënduar sa mos ta presim fare, sepse mendoj që ne gjithmonë duhet të shohim nga këndvështrimi i interesit të kombit tonë”, tha Glauk Konjufca.

Rama kritikon ashpër Kurtin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas takimeve me Osmanin dhe Konjufcën, nuk foli për media, por në mbrëmje dha një intervistë të gjatë në një medium lokal "Klan Kosova". Rama e kritikoi ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se "politika në Prishtinë ka bërë që Serbia të duket si viktimë para bashkësisë ndërkombëtare”.

"Tragjike! Serbia ka dalë nga ekrani. Duket sikur është viktimë. Kush e ka përgjegjësinë për këtë? Nuk e ka bërë këtë një lëvizje inteligjente e Serbisë. Kjo është vepër e Prishtinës. I është dhënë Serbisë pozicion komod dhe këtu qeveria merr rrufetë e planetit”, tha kryeministri Rama. Ai  theksoi se nuk ka asgjë personale me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por se nuk pajtohet me politikën që ai po bën kohët e fundit.

"Kjo politikë është bërë pengesë, politika e gabuar,nuk e kam fare me personin. Nuk e godas kryeministrin Kurti. Unë mbaj qëndrim ndaj politikës së caktuar. Nuk kam asgjë personale. E kam mik dhe është njeri me të cilin debatoj me kënaqësi”, tha Edi Rama.

Opozita kosovare kritikon refuzimin e Kurtit për takim me Ramën

Partitë politike opozitare në Kosovë, e kanë kritikuar ashpër qasjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ndaj kryeministrit shqiptar Edi Rama. Zyrtarë nga Partia Demokratike e Kosovës e cilësuan refuzimin e kryeministrit Kurti për të takuar kryeministrin Rama si hipokrizi politike. Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, thanë se "diskutimet për takim ose jo të kryeministrit shqiptar janë tregues i krizës në të cilën ndodhet aktualisht Kosova në marrëdhënie me aletatët e saj.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, vendimi i kryeministrit Kurti u cilësua si "skandaloz dhe i turpshëm” duke theksuar se "çdo kryeministër shqiptar cilido qoftë ai që vjen në Kosovë, vjen në shtëpinë e vet”.