1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëUkrainë

Biden i ofron Ukrainës mbrojtje të ngjashme si Izraelit

10 Korrik 2023

SHBA shpreh gatishmërinë që - pas përfundimit të luftës - t'i ofrojë Ukrainës mbrojtje të ngjashme si Izraelit. Hyrja e Ukrainës në NATO do të zgjasë edhe shumë kohë.

https://p.dw.com/p/4TegE
Biden dhe Zelensky
Biden dhe ZelenskyFotografi: Susan Walsh/AP/picture alliance

Pak para fillimit të samitit të NATO-s, presidenti i SHBA-së Joseph Biden i bëri një ofertë specifike Ukrainës për garancitë e kërkuara të sigurisë. Në një intervistë për CNN, ai tha se SHBA-ja është e gatshme që - në periudhën midis fundit të luftës së agresionit rus dhe hyrjes së mundshme në NATO - t'i sigurojë Ukrainës mbrojtje të ngjashme si Izraelit.

SHBA-ja tashmë i ofron mbështetje të konsiderueshme Ukrainës: sipas deklaratave të veta, që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit 2022, ajo ka ofruar ose ka premtuar ndihmë ushtarake në një total prej më shumë se 40 miliardë dollarë amerikanë.

Biden: Hyrja e Ukrainës në NATO do të kërkojë kohë

Biden: Ukraina si Izraeli?
Biden: Ukraina si Izraeli?Fotografi: Evan Vucci/AP Photo/picture alliance

Procesi i anëtarësimit në NATO do të marrë kohë, tha Biden për CNN. Ndërkohë, SHBA mund t'i sigurojë Ukrainës armët dhe aftësitë e nevojshme mbrojtëse. Por Biden theksoi se kjo do të ishte e imagjinueshme vetëm në rastin e një armëpushimi dhe një marrëveshje paqeje.

Anëtarësimi i Ukrainës në NATO tani do të nënkuptonte "luftë me Rusinë" mbi parimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s, tha Biden. Përveç kësaj, ai nënvizoi se anëtarësimi në NATO kërkon që vendet "të përmbushin të gjitha kushtet, nga demokratizimi në një mori çështjesh të tjera."

Në një intervistë me ABC të shtunën (08.07.2023), Biden tha gjithashtu se ai nuk mendon se Ukraina është gati për anëtarësimin në NATO. "Unë nuk mendoj se ka një konsensus në NATO për përfshirjen e Ukrainës në aleancë tani, në mes të luftës," tha Biden.

Zelensky: Vendimet duhet të merren në samit - jo paraprakisht

Pak para publikimit të ofertës së Bidenit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u kërkoi vendeve të NATO-s garanci të qarta sigurie. Samiti i NATO-s  në Vilna ka kuptim vetëm nëse jepen këto garanci, tha ai në një intervistë për televizionin amerikan ABC.

"Ne duam që të gjitha vendimet të merren gjatë samitit. Nuk do të shkoj në Vilna për argëtim, nëse vendimi tashmë është marrë”, tha Zelensky.

Samiti i NATO-s në Vilna fillon të martën (11.07.2023). Një pikë kyçe e diskutimit do të jetë mbështetja e Ukrainës në luftën kundër Rusisë. Duhet të diskutohet gjithashtu se çfarë garancishë sigurie mund t'i japë NATO vendit pas përfundimit të agresionit rus. Ukraina më parë dëshironte të merrte një ftesë zyrtare për t'u anëtarësuar në NATO në Vilna, por nuk ka gjasa që kjo të ndodhë.

Biden dhe Stoltenberg
Biden dhe StoltenbergFotografi: Jonathan Ernst/REUTERS

SHBA - 3.8 miliardë dollarë në vit për Izraelin

SHBA-ja mbështet Izraelin me rreth 3.8 miliardë dollarë çdo vit – një pjesë e konsiderueshme e të cilave shkon për mbrojtjen raketore dhe teknologjinë ushtarake. Sipas një raporti të fundit të Shërbimit Kërkimor të Kongresit Amerikan, që nga Lufta e Dytë Botërore - asnjë vend në botë nuk ka marrë më shumë mbështetje nga SHBA.

Në mars të vitit 2022, Kongresi Amerikan miratoi miliarda fonde shtesë për sistemin e mbrojtjes Iron Dome. SHBA ndihmuan në zhvillimin e këtij sistemi të mbrojtjes raketore, i cili është në përdorim që nga viti 2011 dhe i cili, ndër të tjera, shkatërron raketat me rreze të shkurtëra veprimi. "Kupola e Hekurt" është gjithashtu një simbol i rolit të SHBA-së si fuqia mbrojtëse e Izraelit.