1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sporti i bashkon të rinjtë serbë dhe shqiptarë

27 Shkurt 2010

Të rinjtë shqiptarë, serbë dhe romë në Bujanoc, me një varg aksionesh përpiqen t'ju tregojnë bashkqytetarëve të tyre më të moshuar se në vend që të jetojnë pranë njëri-tjetrit mund të jetojnë edhe së bashku

https://p.dw.com/p/MDwK
Ekipet "Junior" dhe "Elita" bashkojnë forcat
Ekipet "Junior" dhe "Elita" bashkojnë forcatFotografi: AP

Pas shfaqjes së përbashkët teatrale me të cilën të rinjët serbë, shqiptarë dhe romë të Bujanocit kënaqën kritikët dhe bashkëmoshatarët e tyre në mbarë Serbinë edhe basketbollistët e rinj të kësaj komune multietnike u treguan bashkëqytetarëve më të vjetër se në jug të Serbisë mund të jetohet edhe ndryshe. Me inisiativën e lojëtarve është nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim dhe lojëra të përbashkta të dy ekipeve - atij serb "Junior" dhe atij shqiptar "Elita". Me këtë, thonë kapitenët Albion Selimi dhe Dalibor Tasiq ne u japim një mësim të mirë prindërve tanë.

"Mendoj se do të jetë mirë për ne të gjithë. Jetojmë së bashku dhe duhet të shkojmë përpara. Politikanët duhet të mësojnë nga ne sportistët që të nisen kësaj rruge në mënyrë që për të gjithë ne në këto hapësira jeta të jetë më e mirë dhe më bukur".

Dy ekipet edhe më tutje do të ndeshen njëra me tjetrën, por në ndeshjet në nivel më të lartë ato do të bashkojnë forcat. Kjo do të jetë edhe mundësi e mirë për shoqërim si dhe për mësimin e gjuhës. Selimi thotë:

"Ata do të mësojnë shqip ndërsa ne gjuhën serbe".

Basketbollistët ndihmohen nga një donacioni i qeverisë gjermane

Kryetari i klubit "Junior" Milovan Ristiq, tregon se si sporti i basketbollit në Bujanoc ka qenë në prag të shuarjes por ai morri veten sërish falë një donacioni të qeverisë gjermane të cilit i është bashkuar edhe Kwshilli Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, i cili është edhe garantues i kësaj marrëveshjeje.

"Kanë ndihmuar me donacion me të cilin kemi pajisur me veshje sportive rreth 40 fëmijë. Ky ishte një infuzion para rënies në komë".

Sulmet e shpeshta me bomba dhe provokimet në Preshevë dhe Bujanoc nuk mund të heshten si tema, thonë basketbollistët e rinj por të gjithë pajtohen se atyre duhet dhënë fund. I këtij mendimi është edhe kryetari i klubit "Elita", Selami Selimi.

"Autorët e këtyre akteve duhet të gjenden pavarësisht se nga kush janë bërë. Njerëzitë e moshuar kanë mundësinë që t'i bëjnë të rinjët të kuptojnë se duhet punuar për Bujanocin, duhet jetuar në Bujanoc pa marrë parasysh se aja në serbë apo shqiptarë".

Autor: Milica Ivanoviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani